Nesër, fillon mësimi online në arsimin parauniversitar, ndërsa institucionet parashkollore dhe nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, do të vazhdojnë mësimin me praninë fizike në shkolla, duke i respektuar masat kundër COVID-19.

Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Qeveria, që i gjithë sistemi parauniversitar të fillojë mësimin në shkolla, ndërsa ekspertët thonë se mësimi online është në dëm të nxënësve.

I gjithë sistemi i arsimit parauniversitar në vend do të fillojë nesër mësimin për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021. Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se nga data 12 deri më 16 prill, mësimi do të organizohet me praninë fizike për fëmijët e institucioneve parashkollore si dhe për klasat 1 deri 5. Ndërsa, për klasat 6 deri 9 si dhe 10 deri 12, mësimi do të mbahet me platformat online. Por, Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që mësimi të fillojë me praninë fizike në shkolla për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar. Kryetari i Këshillit, Ymret Reshiti, tha për Radio Kosovën, se mësimi nga distanca në Kosovë është i dështuar.

Ndërkohë, Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, tha për Radio Kosovën, se mundësia që mësimi në shkolla të mos prek askënd, është vështirë e besueshme. Mirëpo, sipas tij, mundësia e dëmeve tek fëmijët është e madhe.

TONI: Rinori  : “Është jetike të kuptojmë që asnjë fëmijë nuk mund të humbet më asnjë kohë jashtë shkollës. Dëshmitë që mos prezantimi në shkollë dëmton fëmijët në periudhë afatgjatë janë të mëdha, përtej ngecjeve në mësim nxënie, periudha jashtë shkollës rritë pabarazinë, rritë mundësitë për probleme fizike dhe mentale tek fëmijët. Sistemi ynë arsimor mungon shumë në cilësi dhe barazi, dhe e njëjta tashmë veç është cunguar tutjegjatë kësaj periudhe.”

Sindikata e Arsimit e ka mbështetur vendimin e Qeverisë për mësimin online, por sipas saj, nuk ka kushte të kënaqshme për këtë formë të mësimit. Sindikata e Arsimit, disa herë ka shprehur shqetësimin për kushte jo të duhura të mësimdhënësve dhe nxënësve, sa i përket pajisjes me teknologji për shkak të kushteve ekonomike. Mësimi do të vazhdojë online deri më 18 prill, kur pritet vendimi për fillimin ose jo me praninë fizike në shkolla.

 

 

Autor: Albana Bajrami