FFK-ja gjobit me 2000 euro Ballkanin për akuzat publike për kurdisje

Ballkani i Suharekës është gjobitur nga Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me akuzat publike që i kishte bërë për kurdisje të rezultateve.

Të premten Disiplinori i FFK-së e ka gjobitur Ballkanin me 2000 euro.

Të dielën e kaluar, pasi u bë lider në Superligë, Ballkani përmes një letre publike bëri akuza të rënda ndaj FFK-së dhe “disa klubeve”. Sipas Ballkanit, disa klube, disa mbetje politike dhe FFK-ja janë të përfshira në kurdisje.

“FFK-ja në mënyrë mjeshtërore kryen punën e saj duke vendosur se cili klub do të bëhet kampion, cili do të fitojë Kupën e cili do të mbetet pa asgjë”, ka shkruar Ballkani.

Menjëherë FFK-ja përmes Komisionit të Garave inicioi procedurë disiplinore dhe më pas procedurë hapi Komisioni Disiplinor. Dhe të premten u mor vendimi përfundimtar.

“FC Ballkani nga Suhareka në procedurë të hapur disiplinore nga Komisioni i Garave për deklarata ofenduese drejtuar organeve të FFK-së, lidhur me ecurinë e rrjedhës së ndeshjeve, me çka shkel kodin e sjelljes sportive dhe cenon shprehimisht aktet normative të FFK-së, duke tejkaluar suazat normale të veprimtarisë së lejuar sportive dhe shoqërore. Ballkani dënohet me shumën prej 2000 eurove”, thuhet në vendimin e Disiplinorit.

Vetë hapja e procedurës ndaj Ballkanit, nga njohës të futbollit ishte cilësuar si përpjekje e keqe për të mbajtur klubet të heshtura. FFK-ja ka shkuar tutje duke gjobitur klubin lider të Superligës.

Ditë më parë FFK-ja formoi Task-Forcë për të luftuar kurdisjet e dyshuara. Ndërkohë dyshimet e akuzat për kurdisje janë rritur goxha shumë në javët e fundit.

 

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close