Mustafa: Çështja e ‘Trepçës’ assesi nuk do të diskutohet në Bruksel

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, i cili është angazhuar në grupin e ekspertëve të Kosovës për dialogun me Serbinë, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e “Trepçës” assesi nuk do të diskutohet në Bruksel. “Çështja e ‘Trepçës’ fare nuk do të duhej të diskutohej.

Pronat që kanë ngelur atje janë çështje e gjykatave, sepse edhe Serbia edhe vendet e tjera kanë pretenduar që kanë prona në Kosovë në saje të ndërtimit të mëparshëm”, ka thënë Mustafa.

Sa iu përket pretendimeve për prona, Mustafa ka thënë se për këtë çështje duhet drejtuar Dhomës Speciale.

“Të gjitha pronat këtu privatizohen dhe nëse dikush ka kërkesa specifike, atëherë paraqiten në Dhomën Speciale në Gjykatë Supreme, pra ose nga përfaqësuesit e firmave që pretendojnë se kanë prona ose nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që duhet t’i kenë të drejtat tona”, u shpreh Mustafa.

Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për çështjen e Ujmanit. “Çështja e Ujmanit si është nënshkruar marrëveshja në Uashington ka të bëjë me konventat ndërkombëtare. Kur një pjesë e liqenit shtrihet edhe në pjesën e shtetit tjetër atëherë në këto raste janë konventat ndërkombëtare. Unë kam këtë qëndrim”, u shpreh Mustafa.

Ai ka folur edhe për çështjen e energjisë në veri dhe për operimin e inspektorëve të ATK-së në pjesën veriore. “Çështja e rrymës në veri është çështje politike e që duhet të zgjidhet tani. Çështja e ATK-së është në kompetencë të shtetit që të hyjë atje dhe shteti duhet të organizohet për këtë”, ka thënë Mustafa.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close