POLITIKANI KONFLIKTUOZ, QË ËSHTË EDHE AKADEMIK

Nga Fadil Sahiti

Pothuajse nuk ka koncept që lidhet me vlera, dhe që këto 20 vitet e lirisë së Kosovës nuk është bastarduar; duke filluar nga ai i ‘luftëtarit të lirisë’, e deri tek koncepti i mësuesit dhe akademikut. Aq shumë janë përdhosur këto koncepte, sa që sot, t’i thuash dikujt që kam qenë luftëtar i lirisë, apo jam mësues nuk ngjall ndonjë emocion të veçantë. Me konceptin dhe statusin e ‘luftëtarit të lirisë’ është kapitalizuar në mënyrë të paskrupullt. Është dhe vazhdon të shfrytëzohet për zhvatje qoftë materiale, qoftë politike.

Në mënyrë të njëjtë është përdhosur edhe koncepti i ‘akademikut’, që lidhet me dijen, shkencën dhe emancipimin. Në hallakamën e krijuar pas luftës, të kesh një diplomë, ta zëmë të doktoraturës, ka vlerë, por nuk përbën ndonjë problem të fitohet. Kjo ka bërë që një numër jo i vogël i njerëzve, sidomos ata të lidhur me pushtetin, të ‘akademizohen’ formalisht. Tregëtia e diplomave ka qenë pothuajse e rëndomtë, njësoj, siç i blejmë me rëndomtësi zarzavatet në tregun e gjelbër.

Më ka rënë rasti të dëgjoj histori të ndryshme, nga ato më qesharaket. Një mik më tregonte një barcoletë, se si dikush ishte nisur të mbronte tezat e doktoraturës, dhe rrugës për në Tiranë njëri nga shokët e pyeti doktorantin për tezat që kishte zhvilluar. Ai ia ktheu se nuk e dinte, pasi që dy ditë para mbrojtjes së tezave (VIVA), ia kanë ndryshuar edhe përmbajtjen edhe titullin e tezës…Sigurisht, kjo është vetëm një barcoletë, por mesazhi i saj është i qartë. Në vitin e themelimit të Universitetit publik të Prizrenit, kam qenë në këshillin themelues të këtij institucioni, i cili në atë kohë udhëhiqej nga një administrator gjerman. Mbaj mend se në grupin e ligjëruesve ka pasur profesorë me doktoraturë amerikane, por pa ditur asnjë fjalë të vetme anglisht.

Në këto vite diploma akademike i ka ndihmuar disa individë të ngjitin shkallët e karrierës politike. Madje këtu tek ne ka edhe parti politike që asocohen me akademikët. Kjo ndoshta për shkak se në të kaluarën ka pasur parti të themeluara nga akademikë të mirënjohur të kohës. Për mua, kjo është plejada më e mirë e intelektualëve dhe akademikëve që populli i Kosovës ka pasur ndonjëherë. Por, dallimi mes akademikëve të atëhershëm dhe këtyre akademikëve të sotëm është fundamental. Akademikët e atëhershëm e kanë shfrytëzuar kapitalin e tyre akademik dhe intelektual jo për të politizuar termin e akademikut dhe intelektualit, por për ta intelektualizuar politikën. Ashtu siç e shoh unë, akademikët e sotëm bëjnë të kundërtën: e shfytëzojnë politikën për të politizuar jetën akademike, për t’u pasuruar dhe për të akumuluar pushtet politik.

Përveç lidhjes me librat, me dijet dhe shkencën, termi akademik evokon edhe urtësi, ndershmëri dhe integritet njerëzor. E kam të vështirë të imagjinoj një akademik të kalibrit të F. Aganit të involvohet në konflikt fizik me një kundërshtar politik. Duhet të kesh impulse destruktive për ta bërë këtë. Ashtu siç thotë një fjalë e urtë e popullit: ‘belasë i duhen dy belaxhi’. Grumbulli i librave që mund t’i ketë shkruar dikush në emrin e vet nuk është liri për promovimin e konflikteve dhe dhunës.

Integriteti dhe ndershëmria akademike përmban shumë më tepër se sa grumbulli i librave të botuara në një treg të lirë. Ky integritet para së gjithash nënkupton promovim të vlerave humane, të drejtësisë, e në mënyrë të veçantë të tolerancës ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Shkrimin dua ta përmbyll me një perifrazim të filozifit anglez B. Russell mbi tolerancën. Sipas tij, në këtë botë me shumë impulse konflikti dhe lufte, duhet të mësojmë të tolerojmë njëri-tjetrin, të pranojmë faktin se disa njerëz thonë gjëra që edhe mund të mos na pëlqejnë. Kush më tepër se një akademik është i thirrur të promovojë këtë vlerë! Promovimi i tolerancës është absolutisht thelbësor dhe për vazhdimin e jetës njerëzore në këtë planet. Në të kundërtën, të qenurit akademik sepse ke shkruar libra, nuk përbën asnjë vlerë.

CATEGORIES
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close