STIGMATIZIMI I E. PETROVCIT, PSE E BËJMË KËTË?

Nga Fadil Sahiti

Nuk është Enver Petrovci preja e parë e vulgut tonë. Ne kemi stigmatizuar Atë Gjergj Fishtën për 40 vjet. Herë në heshtje e herë hapur kemi stigmatizuar edhe B. Fehmiun. Të gjithë e dimë refuzimin e parlamentit të Kosovës për të mbajtur një minutë heshtje për nder të tij. Ne dimë edhe më keq. Ka shqiptarë që e demonizojnë edhe I. Kadarenë. I thonë, nuk është patriot, sepse nuk ka qenë disident (nuk ka qenë në burg në Spaç), por i ka shërbyer pushtetit dhe ka shkruar libra.

Ku buron ky demonizim kundër artistit?

Dua të theksoj se ai nuk ka nevojë për ndihmën time, sepse atë e mbron puna dhe veprimtaria e tij. Por, stigmatizimi buron nga një intervistë dhënë një gazete të Beogradit. Ka shpalosur pikëpamjen e tij me çfarë po ndodh me jetën tonë, veçanërisht me jetën e artistit sot në Kosovë. Në vend të një lloj demonizimi që po i bëhet artistit, fjalët e tij duhej të shërbenin si kambanë për neve, ndërsa për pushtetarët do duhej të shërbejë si një alarm për gjendjen e jetës së njerëzve që merren me art. Kjo do duhej të bëhej para se të ikin të gjithë ata që kanë vlerë si profesionistë.

Të gjithë e dimë se E. Petrovci është edukuar dhe brumosur si artist në Beograd. Ai mund të qëndronte edhe atje. Madje pa asnjë problem. Është kthyer, dhe pse është kthyer, ai e di më mirë, por për mua ky është një akt që duhet të vlerësohet shumë. Pa asnjë mëdyshje për mua ai është edhe një patriot, edhe një artist i madh.

Patriot sepse E. Petrovci ka qenë artist i krijuar (established) në ish-Jugosllavi. Karriera e tij si artist mund të ishte shumëfish më e sukseshme po të qëndronte atje. Por jo, ai ka vendosur të kthehet këtu, tek populli i tij, për të dhënë kontributin e tij si artist dhe si pedagog.

E. Petrovci është artist i madh, i përmasave të B. Fehmiut, F. Begollit, apo A. Shalës. S’ka nevojë ta them unë. Këtë e thotë skena e teatrit të Kosovës. E thotë ‘Idioti’ i Dostojevskit. Këtë e thotë kinematografia Kosovare. E thotë ‘Danjolli i Sherkës’ i Qosjes. Sigurisht, ai ka role mjaft të realizuara edhe në teatrin e Tiranës dhe Beogradit.

T’i kthehemi deklaratave të tij.

Ashtu siç ka folur Petrovci flet veç dikush që është i dezilizionuar (disillusioned) me lirinë e Kosovës, me realitetin e shtetit në të cilin jeton. Kur ka folur për mbizotërimin e ‘katundarisë’ në qytetet e Kosovës, është e qartë se ka aluduar për mentalitetin rural, provincial që mbizotron në secilën fushë të jetës sonë, sidomos në institucionet e shtetit. Ka shumë që e ndajnë mendimin e tij, përfshi edhe mua. Në fund të fundit, ai nuk ka folur më rëndë dhe më ashpër për shqiptarët sesa Faik Konica, që konsiderohet mendje e madhe shqiptare.

Në fund, zhgënjimi i tij me Kosovën e tij është zhgënjimi i një patrioti civil, bashkëkohor; është zhgënjimi i një artisti që kupton se këtu nuk ka art, sepse nuk ka qëllim për të ndodhur arti. Duke respektuar artistët si E. Petrovci ne do të dëshmonim që vërtetë këtu ka qytetari, ka civilizim. Qytetari jo në kuptimin pezhorativ, por në kuptimin e emancipimit tonë si individ dhe si shoqëri.

 

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close