Kush do ta paguajë faturën e pandemisë?

Për të shpëtuar sa më shumë, shteti shpenzon çdo ditë me miliarda euro. Dikush duhet të paguajë për këtë në fund të ditës. Por kush? Të pasurit? Nga Berlini Sabine Kinkartz.

Ministrit gjerman të Financave i bëhet vazhdimisht e njëjta pyetje: Edhe për sa kohë mund ta përballojë Gjermania mbylljen? “Ne mund të përballojmë atë që është e nevojshme,” përgjigjet gjithmonë socialdemokrati Olaf Scholz.

A është kështu? Në valën e dytë të infeksioneve janë mbyllur prej tashmë katër muajsh restorantet, palestrat, teatrot dhe muzetë. Nga mesi i dhjetorit u mbyllen dyqanet. Shteti u heq kompanive shpenzimet e pagave që këto të mos i pushojnë nga puna punëtorët. Kompanitë marrin ndihma kalimtare, që të mos shpërthejë vala e falimentimeve.

Miliarda shtesë 

Deri në 50 miliardë euro janë planifikuar si ndihmë ekonomike vetëm për periudhën nga nëntori 2020 deri në qershor 2021. Kësaj i shtohen edhe kostot e tjera të pandemisë duke filluar nga shëndetësia e deri te mbështetja e familjeve.

Në vitin 2020 qeveria federale u desh të merrte rreth 131 miliardë euro hua, këtë vit janë planifikuar deri në 180 miliardë euro hua.

Grindje në koalicion

Në fakt, brenda koalicionit ka nisur një grindje mbi kostot e pandemisë. Në mars 2021, ministri i Financave duhet të paraqesë pikat kryesore për buxhetin e vitit 2022 dhe planin financiar për vitet e mëpasshme. Ekonomia ka rënë, fuqia ekonomike ka rënë. Edhe të ardhurat po bien në mënyrë të vazhdueshme.

Lind pyetja se nga do të vijnë të ardhurat, nëse në vitin 2022  do të hyjë në fuqi rregullorja e frenimit të huasë, për momentin e shfuqizuar për shkak të pandemisë? Ajo lejon që shteti të hyjë në borxh të ri strukturor në masën deri në 35% të të ardhurave të brendshme bruto.

Si do të mbyllen boshllëqet?

Gjermania është në vit zgjedhjesh, dhe askush nuk flet për mundësinë e uljeve të shpenzimeve shtetërore. Ministri i ekonomisë, Peter Altmeier, CDU, ka hedhur idenë e shitjes së aksioneve nga të Postës dhe Telekomunikacionit, të cilat gjatë pandemisë kanë pësuar një rritje të madhe në vlerë.

Një variant tjetër do të ishte ndryshimi i ligjit themelor dhe rritja kuotës së borxhit për disa vjet. Para pak kohësh këtë e propozoi drejtori i kabinetit të kancelares Merkel, Helge Braun. Por ky propozim u prit me shumë kritika nga kolegët e partisë së vet, CDU.

Tatim mbi pronën

Ministri i financave Scholz, i cili vetë do të kandidojë për socialdemokratët për postin e kancelarit, është  për tatimin e pronës. “Është e pamundur të mendosh se mund të arrijmë ta kapërcejmë këtë fazë pa një sistem të drejtë tatimor derisa të kthehemi sërish në vijën e rritjes ekonomike e ku të na ndihmojë vetë ekonomia”, tha Scholz para ca kohësh.

Qarqet më të majta janë të mendimit se, veç tatimit mbi pronën, mund të vihet edhe një taksë shtesë pasurie, si ajo që iu kërkua gjermanëve pas shkatërrimit të Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2012, të Gjelbrit e propozuan një taksë të tillë në Bundestag, asokohe për të përballuar barrën e tatimeve të krizës së financave.

Shufra ari në bodrum?

Ekonomisti Clemens Fuest, President i Institutit Ifo në Mynih, e konsideron të tepruar taksën e pronës prej dhjetë deri në 20 përqind të vlerës neto. “Pas luftës kemi pasur një shkatërrim të pabesueshëm të shtëpive dhe infrastrukturës, imigrim të miliona njerëzve që nuk kishin asgjë,” tha para pak kohësh në një leksion në internet. Kriza e Coronës është “e keqe, por nuk mund të krahasohet me krizën e asaj kohe.”

Vendet që kanë vendosur taksë mbi pronën janë shumë të rralla. Prandaj, është thuajse e sigurt se kjo do të kishte si pasojë largimin e kapitalit, thotë Fuest. “Kjo do të çonte në më pak rritje dhe më pak të ardhura nga burime të tjera të taksave”, Fuest mendon se të ardhurat shtetërore mund të rriten vetëm ose me rritjen e tatimit mbi të ardhurat ose me rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar./dw

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close