Pandeli Majko pret Grubin: Regjistrimi i Diasporës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, akt patriotik

ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko priti sot në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Në takim u diskutua për procesin e regjistrimit të Diasporës në censin e Maqedonisë së Veriut dhe u theksua rëndësia që ka përfshirja sa më e madhe e saj në këtë proces. Zv/kryeministri Grubi u shpreh se kush më mirë se ministri Majko mund të luajë një rol kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës së Maqedonisë se Veriut, duke sjellë në vëmendje gjithashtu kontributin e ministrit Majko gjatë luftës së Kosovës.

“Kënaqësi e veçantë të takohem me mikun tim, ministrin Pandeli Majko. Të gjithë e kujtojnë kontributin e tij në Kosovë. Jam këtu sepse mendoj se zoti Majko ka rolin kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës sonë. Ky proces regjistrimi është jetik në Maqedoninë e Veriut, sepse të drejtat e komuniteteve në Maqedoninë e Veriut varet nga përqindja në të cilën ato janë të regjistruar në Censusin. Pas rreth 20 viteve kemi marrë përgjegjësinë për të realizuar regjistrimin e popullsisë, në vitin 2021 kemi qenë 25.7 për qind, ndërsa tani do të varet nga puna që ne do ta bëjmë bashkërisht për të nxitur mërgatën tonë që të regjistrohen përmes aplikimit online, proces që merr vetëm pak minuta kohë. Zoti Majko nuk heziton asnjëherë të na ndihmojë dhe të japë kontributin e tij dhe e falenderoj shumë”, u shpreh zv.kryeministri Grubi.

Ndërsa, ministri Pandeli Majko në thirrjen e tij drejtuar Diasporës, vuri theksin te rëndësia e këtij procesi, një proces që do t’i japë mundësi shqiptarëve në Maqedoni të përdorin gjuhën dhe flamurin e tyre kombëtarë.

“Ka 24 orë që fushata elektorale është gjysmë e pezulluar, sepse të gjithë faktorët politik në Shqipëri janë të orientuar nga bashkimi dhe thirrja e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për regjistrim. Ky nuk është një proces burokratik. Shqiptarët janë një popull i refuzuar, një popull që i janë refuzuar të drejtat, i është refuzuar edhe numërimi. Numërimi për shqiptarët nuk është një proces burokratik, por është një proces që ka të bëj me të drejtat, në shtetin e tretë që ka më shumë shqiptarë në trojet e veta etnike, Maqedonia e Veriut. Maqedonisë së Veriut nuk i vjen asnjë rrezik nga regjistrimi real i shqiptarëve, por e bën Maqedoninë e Veriut shtet më të vërtetë”, tha Majko.

“Në Maqedoninë e Veriut shqiptarëve deri vonë i është refuzuar numërimi. E theksoj numërimi nuk është proces burokratik, është një proces i cili ka të bëjë me të drejtën. Në qoftë se në një hapësirë administrative më shumë se 20 për qind e popullsisë së regjistruar është shqiptare, atëherë i jepet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, zyrës zyrtare. Në qoftë se nga numërimi, i cili nuk është burokratik, numërohen më shumë se sa 50 për qind e shqiptarëve në një hapësirë të caktuar, shqiptarëve i jepet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar”, vijoi ai.

“Ky nuk është një numërim thjesht matematikor, ky është një numërim që i bën shqiptarët kudo që janë, që me anë të regjistrimit do i japin të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe flamurit shqiptarëve, ndaj ashtu siç thoshte Çajupi i madh “Shqiptar mos rri po duku”. Kam vetëm një thirrje: Ju lutem, ju lutem të qenit shqiptar, të numëruarit si shqiptar nuk është një proces burokratik, por është një akt i madh patriotik”, u shpreh ministri Majko.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close