Amfiteatri dhe zonat përreth, fokus i punës transformuese për Durrësin turistik

ATSH/ Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme edhe në amfiteatrin e Durrësit, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishin në perimetrin e amfiteatrit, ku vijon puna për rikonstruksionin dhe rivitalizimin e tij. Një fakt i rëndësishëm, të cilin e vuri në dukje ministrja Margariti, është edhe pasurimi i amfiteatrit me të tjera hapësira të panjohura deri më sot.

“Punimet janë zhvendosur paksa në kohë, sepse ka pasur gjetje në pjesën e poshtme, hapësira, të cilat nuk e dinim që ekzistonin”, – tha ministrja Margariti.

Javën e ardhshme do të nisë edhe restaurimi i objekteve historike të dëmtuara në zonë.

“Gjithë kjo zonë hyn në një plan, i cili është një tjetër P2V e hartuar tashmë. Duke qenë se është qendër historike, nuk është trajtuar si të gjithë zonat e tjera të zhvillimit me plane të detyruara, me sistemimin e objekteve, por edhe për faktin se është hapësirë arkeologjike ka një studim të posaçëm. Në këtë studim, përveç rehabilitimit të këtyre objekteve që janë objekte të historisë, ka dhe një sistemim të të gjithë kësaj zone historike. Të gjithë këto rrugica do kthehen njësoj si në Vlorë, për ta rikthyer këtë në një qendër historike të mirëfilltë”, – shpjegoi Margariti.

Amfiteatri i lashtë, i ndodhur në qendër të qytetit dhe jo më larg se 350 metra nga deti, vit pas viti njeh rritje të numrit të vizitorëve vendas e të huaj, çka e kthen atë edhe në një mundësi më shumë zhvillimi për qytetin.

“Studimi ka për bazë një rivitalizim të gjithë zonës. Një pjesë e mirë e funksioneve përreth amfiteatrit duhet t’i përshtaten faktit që ky është një muze në qiell të hapur. Kjo do t’i krijojë gjithë habitatit përreth një mundësi të mirë ndërveprimi. E gjithë ndërhyrja duhet të vazhdojë e të zgjatet në pjesën e sipërme, kështu krijohet një pasazh dhe zgjatet qëndrueshmëria e vizitorëve në qendër. Kjo do t’i shtojë mundësitë jo vetëm turizmit, por dhe banorëve për zhvillim. Kjo është një nga zonat më të vizituara nga turistët e huaj,” – tha ministrja Margariti, duke nënvizuar se ambicia është që “ky projekt të futet në projektin e madh të rrugës Egnatia”.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close