KËSHILLAT E AMBASADORIT KOSNETT DHE ALETRANTIVAT E ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT

Shkruar nga Ali Gashi

Konstituimi i institucioneve të vendit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, është në përfundim e sipër. Dy veprime, ai i funksionimit parlamentar dhe zgjedhja e qeverisë, kanë shkurtuar çdo vonesë dhe kanë mbyllur çdo debat. Gjykuar nga praktikat e mëhershme, formimi i institucionet qendrore as nuk është ndikuar nga kalkulimet politike dhe as nga ndonjë pengesë tjetër, si për shembull puna e numrave! Sa do të jetë kjo e mirë për vendin, mbetet të shihet nga realizimi i programit qeveritar. E që nuk është gjë e keqe, padyshim, së paku tash jemi të sigurt se nuk do të torturohemi dhe as nuk do t’i kalojmë ditët pranverore nën presionin medial e politik në pritje të formimit të institucioneve!

Ndërtimi i institucioneve, kësaj here nuk u bë vetëm në kohë rekorde dhe pa debate që e ngujojnë një proces, që e ndalin rrjedhën e tij deri në paqartësi dhe pritje të mundimshme publike e qytetare. Edhe pse me një forcë të reduktuar, opozita mund të shkaktonte impulse negative në sjelljet dhe veprimet e saj. Por ajo, u tregua e duruar. Do të thoshim, kontruktive! Po, bash kështu tha edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, ambasadori i vendit aleat të dëshmuar ndaj Kosovës në çdo fushë historike, politike e ushtarake: Kosneti. Në datën simbolike të 24 marsit (2021), ai publikoi në portalin “Indeksonline” një analizë këshilldhënëse, një analizë miqësore dhe me udhëzime miradashëse për shoqërinë dhe vendin tonë. Me një adresim të kuptueshëm drejtuar pozitës dhe opozitës, Kosnet shkroi: “Në një demokraci funksionale, veprimi në mënyrë konstruktive në opozitë është formë e udhëheqjes, e cila është po aq e rëndësishme për mbrojtjen e qytetarëve dhe për t’ju shërbyer atyre sa është i rëndësishëm edhe shërbimi në koalicionin qeverisës.”

Konstruktiviteti dhe përgjegjësia s’i parime institucionale

Formimi i institucioneve, ende nuk është krejt i plotë. Ka mbetur të zgjedhjet Presidenti i vendit. Dhe, duke e pasur parasysh prestigjin e këtij institucioni, rolin e presidentit, imazhin etj., ka disa modele që po kërkohen për politizimin e zgjedhjes. Sidomos, ka disa përpjekje të pahijshme e me shtyrje që ky post, të shndërrohet në “mollë sherri” mes pozitës dhe opozitës”. Duke u nisur nga idetë dhe veprimet që krijojnë sherre, çka thotë ambasadori Kosnet në shkrimin e tij ?

“Për fat të keq, jo të gjithë politikanët e shohin këtë gjë në këtë mënyrë (konstruktivitetin).  Në fillim të mandatit si ambasador, një kryetar partie më tha drejtpërdrejt se puna e tij në opozitë ishte që t’ia vështirësonte sa më shumë funksionimin qeverisë, kështu që votuesit e pakënaqur do ta kthenin partinë e tij në pushtet. Të paktën ky politikan ishte i sinqertë për përparësitë e tij.  Duke gjykuar nga veprimet e shumë partive të Kosovës gjatë viteve, ai nuk ishte i vetmi që kishte këtë filozofi të „opozitës obstruksioniste”. Dhuna politike, është shembulli më ekstrem dhe më i papranueshëm i obstruksionizmit politik.  Por tradita e partive opozitare për bojkotimin e punës së Kuvendit për të parandaluar miratimin e buxhetit të vendit dhe të ligjeve tjera jetike, si dhe praktika e partive në largim për të fshehur informatat nga rivalët e ardhshëm gjatë kohës së tranzicionit të qeverisë, janë po aq tinëzare.”

Ambasadori amerikan Kosnet, na e jep këtë “fabul” mbi praktikat qeverisëse të ndërtimit të pushteteve në Kosovë s’i një “histori” që nuk lidhet me demokracinë funksionale, dhe as me praktikat e mira e prosperuese. Pra, ai i këshillon mandatarët e pushtetit të dalë me “14 shkurt”, pozitën dhe opozitën që t’u japin fund ideve të këqija, veprimeve antidemokratike. Këshillat e tij, kanë s’i bazë termin “obstruksionizmin”, një term gjykues për “sjelljet dhe veprimet” politike dhe partiake që, s’duhet të kenë ma vend në skenën publike dhe institucionale.  Më të adresuara këto këshilla të tij, lidhen me opozitën që siç thekson, “ajo e ka detyrim që të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në jetën parlamentare dhe që t’i kërkojë llogari qeverisë.”

Ambasadori Kosnet, lavdëron qëndrimin e opozitës s’i mjaft konstruktiv dhe të përgjegjshëm kur më 22 mars, kuvendi e votoi qeverinë Kurti. Por, ai ka si çështje trajtimi edhe zgjedhjen e Presidentit. S’i çështjen e zgjedhjes dhe s’i rolin që ka ky proces për t’u përmbyllur, Kosneti i konsideron me prioritet të lartë. Në analizën e tij, ai shkruan: “Tani partitë opozitare përballen me një vendim të rëndësishëm – a të marrin pjesë në procesin e votimit për presidentin e ri apo, të përpiqen të prishin procesin dhe ta çojnë Kosovën sërish në zgjedhje. Më lejoni të jem i qartë.  Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht dhe as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike.”

Këshillat dhe kërkesat e z. Kosnet, janë të njëjta me shumicën e interesave të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë lodhur nga krizat e ndryshme politike dhe ekonomike, nga terrori verbal dhe medial, po janë lodhur edhe duke shkuar në procese të shumta zgjedhore. Këshillat e tij, duhet të merren parasysh, e të mos injorohen sepse ato janë në interes të qytetarëve. Tash, kjo tregon se subjektet parlamentare, duhet t’i nënshtrohen këtij procesi duke e ndjekur veprimin më të mirë të zgjedhjes së presidentit, atë veprim që nuk prodhon kriza. Partitë në parlament dhe deputetët, e kanë mundësinë por, ata janë aty për interesa të qytetarëve dhe, shumë më pak për interesa partiake dhe personale.

“Disa politikanë nga radhët e opozitës ma kanë shprehur brengën se nëse marrin pjesë në proces, atëherë ata de facto do të shihen thuaja se e përkrahin kandidatin e vetëm. Besoj se kjo përbën keqinterpretim të ligjit dhe praktikës së Kosovës. Sa i përket ligjit – në vitin 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi obligimin e të gjithë deputetëve për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe për t’ju përmbajtur procedurave përkatëse për zgjedhjen e presidentit.  Sa i përket praktikës – nëse partitë e opozitës dëshirojnë të distancohen publikisht nga kandidati aktual, ata kanë çdo të drejtë të bëjnë këtë. Nëse duan të mbështesin ndonjë kandidat tjetër, mund ta bëjnë atë. Nëse deputetët duan që në mënyrë funksionale të abstenojnë duke vënë fletëvotime të zbrazëta në kutinë e votimit, ligji ua lejon këtë.  Por është jetike që çdo deputet i Kuvendit të jetë i pranishëm dhe të marrë pjesë.  Qytetarët e Kosovës janë politikisht të zgjuar dhe e kuptojnë që zgjedhja për të mos bojkotuar dhe penguar është shenjë e pjekurisë politike,” shkruan Kosnet.

Alternativat vepruese që shmangin kizat e pushtetit

Sipas këshillave – udhëzimeve të z. Kosnet (e që neve shumë herë na duket se s’i kemi dëgjuar ndonjëherë si të këtillat sepse bëhemi se “nuk i kemi dëgjuar”, sepse me të vërtetë kemi prirje që t’i komplikojmë proceset në dëm të interesave më të gjëra qytetare veç për t’i përmbushur interesat personale dhe partiake etj.), deputetët e Kuvendit të Kosovës padyshim që kanë alternativa të ligjshme për ta përfunduar me sukses zgjedhjen e presidentit. Në këtë rast, parimi për tu votuar dy kandidat konkurrues, është parim demokratik. Lista me vetëm një kandidat, është parim autoritar monist, dhe i imponueshëm nga numrat në Kuvend. Kështu, deri sa lufta për postin e presidentit duket e politizuar nga “pasqyra” e deritanishme që personifikohet si “ Vjosa – LDK & LDK-Vjosa”, opinioni është i njoftuar se për këtë post kanë konkurruar edhe z. Ramush Haradinaj nga AAK, dhe kandidati i pavarur, z. Nehat Idrizi. Deri sa i pari ka hequr dorë, i dyti, mbetet në garë.

Nuk do t’ishte e udhës që në shkrimin tim, të ofrojë çfarëdo impakti vlerësues për asnjërin nga kandidatët. Fundi i fundit, ata vlerësohen edhe nga opinioni, e sidomos do të vlerësohen nga deputetët dhe nga subjektet parlamentare. Ndryshe nga kjo, me rëndësi është që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos bëhet mollë sherri dhe, që vendi të shkoj në zgjedhje. E kjo, do të shkaktonte pasoja të mëdha. Ma thotë mendja se sjellja e përgjegjshme e kësaj legjislature më 22 mars me rastin e zgjedhjes së qeverisë, do të jetë po aq e përgjegjshme edhe në ditën kur do të caktohet zgjedhja e presidentit.

Në parim, shmangja e krizës eventuale dhe përjashtimi i politizimit të mëtutjeshëm të këtij posti, do të kishte një përfundim “hepyy end” sikur, parlamenti të shikonte mundësinë e votimit të një presidenti konsensual. E, janë shumë arsye dhe argumente që, do të mund të merreshin parasysh: 1. Sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti e përfaqëson unitetin e popullit, dhe një president konsensual e i pavarur, është zëvendësim i konsiderueshëm pozitiv i procesit kur presidenti zgjidhet me vota të drejtpërdrejta të qytetarëve. 2. Presidenti i Republikës ka një numër funksionesh të rëndësishme kushtetuese, sikurse ai i garantit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me kushtetutë. Një president apolitik, duke qenë i pavarur dhe përtej partiak, ka përparësi të konsiderueshme në ushtrimin e  funksionit. 3. Përtej aspekteve formale, në praktikën e deritanishme të funksionimit të institucioneve, normalisht, “Presidenti politik” ka rezultuar ndryshe dhe jo krejt i pavarur! 4. Përfundimisht, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, por edhe përvojat e deritanishme, kanë ofruar dëshmi të bollshme dhe bindëse se posti i Presidentit të Republikës do të ushtrohej më së miri nga një person apolitik, pra i paanshëm dhe profesional. 5. Presidenti apolitik, është garancë e emërimit të paanshëm dhe pa ndikime politike të gjyqtarëve, prokurorëve, drejtorit të AKI-së dhe të emëruarve diplomatik-ambasadorëve etj.

“Tani është koha që politikanët e Kosovës të tregojnë respektin e tyre ndaj popullit duke i ri-menduar politikat e Kosovës ashtu që taktikat e obstruksionizmit të mos konsiderohen më vetëm si „diçka e zakonshme, ” shkruan në fund të analizës së tij, z. Kosnet. E unë, do të shtoja në parantezë të kësaj fjalie se, tash është edhe koha për një president konsensual.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close