Presidentja Osmani: Pokleku është Holokausti i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar se gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi.

Osmani ka shkruar në Facebook, se në mesin e tyre, Lirie Muqolli gjashtë muajshe, jeta e së cilës u shua në fillim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, porse lirinë nuk e arriti.

“Ajo dhe fëmijët e tjerë u vranë pse ishin shqiptarë, teksa bashkë me gra, djem e burra të tjerë prehen në një varrezë të përbashkët. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen e zhukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën. Dëshmitë dhe disa dëshmitarë të mbijetuar në Poklek si dhe në masakrën në Çikatovë të Vjetër ku u vranë edhe 24 civilë shqiptarë po më 17 prill, qartë tregojnë qëllimin shfarosës që kishte Serbia. Sot, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca nderuam të rënët dhe ndamë dhimbjen për ta bashkë me familjarët e tyre. Sot, zëri i Lirisë dhe i fëmijëve, grave e burrave të tjerë të vrarë në këto masakra trokasin në ndërgjegjen tonë si thirrje e fuqishme për drejtësi. Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtij akti makabër të dalin para drejtësisë. Liria dhe paqja do të kenë kuptim kur familjarët e të masakruarve në Çikatovë të Vjetër e në Poklek ta gjejnë qetësinë kur drejtësia të marrë epilog. E ne nuk do të ndalojmë kurdo dhe kudo ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën për këto masakra. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët në masakrën e Poklekut dhe të Çikatovës së Vjetër”, ka shkruar ajo në Facebook, ku ka postuar edhe disa fotografi.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close