Pandemia infekton shëndetin mendor

Pandemia e COVID-19 ka qenë dhe mbetet një faktor stresues që ka shkaktuar traumatizimin e popullatës dhe ka dëmtuar shëndetin e saj mendor në Kosovë, thotë neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë.

Personat që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mjaft raste kanë mbetur me pasoja që manifestohen me frikë dhe drojë, thekson Fahri Drevinja, neuropsikiatër i pensionuar, por që vazhdon punën në një klinikë private në Prishtinë.

Psikologu Fitim Uka vlerëson se situata që ka krijuar pandemia, ka shënuar rritjen e nevojës për shërbime psikologjike. Sipas tij, bazuar në hulumtimet ndërkombëtare, prevalenca e ankthit dhe e depresionit ka prekur rreth 5 për qind të popullatës në mbarë globin, ndërkaq që çdo i treti person në botë ka treguar shenja të stresit akut, ankthit dhe depresionit. Në këtë pikë, sipas tij, përjashtim nuk bën as Kosova.

Sociologu Shemsi Krasniqi, thotë se që nga fillimi i pandemisë COVID-19, shumëçka ka ndryshuar në sjelljet e përditshme të njerëzve.

Traumat nga pandemia

Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës kur autoritetet shëndetësore dhe ato qeveritare kishin vendosur masat, siç i quan ai, të mbyllljes së plotë, që kishin nisur në marsin e vitit të kaluar e deri në fund të pranverës së atij viti, në qendrën që ai drejton ishin vënë në dispozicion tre telefona pa pagesë ku qytetarët mund të drejtoheshin për këshilla.

Por, siç thotë, personave të prekur në aspektin e shëndetit mendor, është vështirë t’iu ndihmohet me këshilla përmes telefonit, sidomos atyre që kanë përjetuar traumë.

“Traumatizimi po manifestohet me çrregullime të theksuar të ankthit, me çrregullim të gjumit dhe normalisht, ata kanë nxjerrë edhe problemet e veta në aspektin e neurologjisë. Sa i përket shëndetit mendor, stresi është faktori kryesor”, theksoi Rexhepi.

Neuropsikiatri Fahri Drevinja, i cili pas pensionimit nga reparti i psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vazhduar punën në një klinikë private, thotë se pandemia COVID-19 ka ndikuar te shumca e njerëzve, duke e destabilizuar gjendjen shpirtërore, por edhe shëndetin mendor.

Por, bazuar në përvojat tij të punës gjatë pandemisë, ai thekson që ndër personat më të goditur kanë qenë ata që kanë pasur, siç e quan ai, të fshehur ndonjë problem që godet shëndetin mendor.

“Njerëzit që ne i quajmë ‘potencialë’, që kanë pasur gjendje relativisht pa probleme, që e kanë disi atë sëmundjen e brendshme dhe ende të pashfaqur, tek ata ka ndikuar që ato sëmundje të keqësohet. Ato janë raste latente, raste joklinike, ku ende nuk është dukur sëmundja. Në këto rrethana të vështira, ato sëmundje janë aktualizuar”, tha Drevinja.

Shëndeti mendor i stigmatizuar dhe vizitat në klinika private

Ndonëse ekspertët e shëndetit mendor vlerësojnë se numri i personave që ballafaqohen me probleme të kësaj natyre, për shkak të pandemisë dhe rrethanave të krijuara nga ajo, është në rritje, sipas tyre nuk ka një statistikë të saktë se sa është numri i këtyre personave.

Por, megjithatë, neuropsikiatri Rexhepi thekson që mungesa e një statistike të qartë është edhe për shkak se pjesa më e madhe e atyre që kanë kërkuar ndihmë, këtë e kanë bërë në klinikat private.

Megjithatë, sipas tij, në baza ditore, ndihmë nga Qendra e shëndetit mendor në Prishtinë kanë kërkuar deri në dhjetë persona.

“Numri lëkundet deri në dhjetë (persona), për shkak se kapacitetet tona janë shumë të vogla. Mirëpo, është mjaft numër i shtuar në ordinancat private. E dimë që shëndeti mendor te ne është shumë i stigmatizuar dhe shumë vështirë njerëzit e mbledhin guximin për të kërkuar një ndihmë profesionale në institucione psikiatrike”, theksoi Rexhepi.

Neuropsikiatri Drevinja, thotë se në klinikën ku ai punon, thuajse çdo ditë kërkojnë ndihmë persona që këtë e bëjnë për herë të parë.

“Vijnë pacientë, madje ndoshta brenda ditës dy prej tyre, të cilët e kanë pasur dikë të sëmurë dhe nuk mund ta përballojnë ikjen e tyre në amshim, sepse kanë vdekur nga virusi ose edhe vet kanë qenë të sëmurë. Tash kërkojnë këshilla se si ta përballojnë këtë gjendje, sepse kanë mbetur, në një mënyrë, në gjendje psikike të brishtë. Kanë pengesa shoqërore, për t’u ngjitur në atë entuziazmin e mëparshëm. Do të thotë, u është paraqitur një lloj depresioni, një lloj ndrojtje. Ndrojtja nuk i lë të shkojnë përpara”, theksoi Drevinja.

Traumat që harrohen dhe ato që mbesin

Rritja e nevojave të njerëzve për shërbime psiko-sociale dhe për mbështetje emocionale gjatë periudhës së pandemisë, është vërejtur që nga vera e vitit të kaluar, vlerëson psikologu klinik, Fitim Uka, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se trendi i rritjes vazhdon edhe më tej. Sipas tij, ky trend nuk është befasues marrë parasysh që pandemia COVID-19 ka në sfond rrezikun që i kanoset shëndetit dhe mirëqenies së secilit individ.

Në klinikën private ku ai punon, brenda një jave ndihmë kërkojnë të paktën klientë të rinjë. Sipas tij, ky numër është relativisht i madh për një klinikë të vogël.

Aktualisht, siç thotë psikologu Uka, për njerëzit ende është evident rreziku për infektim nga koronavirusi dhe tash për tash, nuk është i mundur rikthimi i plotë i mirëqenies psikologjike i personave që kanë probleme emocionale dhe të shëndetit mendor.

“Mirëpo, në momentin kur largohet kjo, atëherë njeriu është qenie që adaptohet dhe ka potencialin e vet që gradualisht ta harrojë përvojën traumatike. Por, një pjesë e klientëve tanë, padyshim që zhvillojnë edhe atë që njihet si çrregullim i stresit post-traumatik, sepse është e pashmangshme për ata, të cilët kanë humbur familjarë, të afërm ose që e kanë përjetuar shumë vështirë – edhe në aspektin fizik – që ta kalojnë pandeminë COVID-19, si një përvojë të zakonshme”, theksoi Uka.

Dhunë në familje gjatë pandemisë

Pandemia COVID-19 ka ndryshuar shumëçka në sjelljet e përditshme të qytetarëve, vlerëson sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja në familje, për shkak të masave kufizuese qeveritare, por edhe nga frika e infektimit, kanë krijuar situata të reja për njerëzit. Fillimisht, mbyllja ne familje ka krijuar situatën, siç e quan ai, të rinjohjes mes vete dhe kanë krijuar një lloj simulimi.

“Gradualisht ajo është bërë jetë e përditshme, sepse u ndërpren lidhjet me njerëz, me kolegë, me shokë, me familjet. Janë ndërprerë ato traditat tona familjare që kemi pasur për vizita. Ajo atmosfera familjare – ndonëse ka pasur qaste të mira, të bukura, sepse janë takuar njerëzit e një familjeje dhe kanë qëndruar bashkë – megjithatë ka pasur raste kur ka pasur përshkallëzime dhe tensione të brendshme. Ka pasur edhe dhunë në familje, për fat të keq. Natyrisht që trauma ose stresi ka qenë i përditshëm ose po vazhdon, në fakt, të jetë edhe sot e kësaj dite”, theksoi Krasniqi.

Sipas të dhënave të organizatës UN Women në Kosovë, prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar dhe deri në fillim të marsit të këtij viti, në Kosovë janë raportuar 650 raste të dhunës në familje, kryesisht në zonat urbane. Krahasuar me vitin 2019, ka pasur rritje për 22 për qind.

Prej 13 marsit të vitit 2020 janë regjistruar rastet e para të infektimit me koronavirus, e deri më 21 prill të vitit 2021, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 102,742 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,105 kanë vdekur. Aktive mbeten edhe 11,496 raste./rel

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close