Biden njeh masakrën ndaj armenëve si gjenocid

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka njohur zyrtarisht masakrën kundër armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore si gjenocid.

“Çdo vit në këtë ditë, ne kujtojmë jetën e të gjithë atyre që vdiqën në gjenocidin armenë në epokën Osmane dhe ne zotohemi sërish për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin sërish”, tha Biden në një deklaratë të lëshuar më 24 prill, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit armen.

“Ne nderojmë viktimat e Meds Yegher në mënyrë që tmerret e asaj që ndodhen të mos harrohen kurrë në histori. Ne kujtojmë në mënyrë që të vazhdojmë të jemi vigjilentë ndaj ndikimit të urrejtjes në të gjitha format”, shtoi Biden.

Me njohjen formale, Biden ka përmbushur premtimin që kishte dhënë gjatë fushatë zgjedhore, që nëse zgjidhet president, do të ndërmerrte një step të madh simbolik për këtë çështje.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se ky vendim i Bidenit nuk nënkupton se Turqia moderne fajësohet për ngjarjet që kanë ndodhur.

Por, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu menjëherë ka kritikuar deklaratën e Bidenit.

“Fjalët nuk mund ta ndryshojnë historinë apo ta rishkruajnë atë”, tha Cavusoglu në Twitter.

“Ne nuk do të pranojmë leksione nga askush për historinë tonë. Oportunizmi politik është tradhtia më e madhe për paqe dhe drejtësi. Ne plotësisht e refuzojmë këtë deklaratë, e cila është e bazuar në populizëm”, tha ai.

“Kjo deklaratë e SHBA-së, e cila shtrembëron faktet historike, kurrë nuk do të pranohet në ndërgjegjen e popullit turk dhe do të hapë një plagë që minon miqësinë dhe besimin tonë reciprok”, tha Ministria e Jashtme turke, përmes një deklarate të ndarë, ku u shtua se e kundërshtojnë “në termat më të fuqishëm” deklaratën e presidentit Biden.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar Bidenin “për hapin e fuqishëm drejt drejtësisë dhe mbështetjes së madhe për pasardhësit e viktimave të gjenocidit armen”.

Gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, turqit otomanë vranë ose dënuan deri në 1.5 milionë armenë – një minoritet i krishterë në perandorinë me shumicë myslimane. Shumë historianë dhe shtete të tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e konsiderojnë vrasjen e armenëve si gjenocid.

Armenët për dekada me radhë kanë kërkuar që fjala gjenocid të përdoret për të përshkruar vrasjen dhe dëbimet, por ky term është refuzuar nga Turqia.

Më 23 prill, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden ka biseduar me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Agjencia Reuter, ka cituar burime që kanë pasur njohuri me këtë bisedë, të kenë thënë se Biden i ka treguar Erdoganin se ai dëshiron që ta njohë si gjenocid vrasjen masive dhe dëbimin e armenëve.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate tha se Biden në këtë bisedë ka shprehur interesin e tij për “marrëdhënie konstruktive dypalëshe dhe bashkëpunim në fusha të gjera dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve”.

Liderët po ashtu janë pajtuar që të mbajnë një takim në margjinat e samitit të NATO-s, që do të mbahet në qershor në Bruksel, për të “diskutuar për çështjet dypalëshe dhe rajonale”, u tha në njoftim.

Nga Zyra e Erdoganit thanë se gjatë bisedës, të “dy liderët janë pajtuar për raportet me karakter strategjik dhe për rëndësinë e punës së përbashkët për të ndërtuar një bashkëpunim më të madh në çështjet me interes të përbashkët”.

Ankaraja insiston se vrasja e armenëve ishte si rezultat i trazirave civile dhe nuk ka qenë përpjekje e planifikuar e qeverisë otomane për të zhdukur armenët. Turqia gjithashtu pretendon se numri i armenëve të vrarë është më i vogël sesa raportohet.

Kongresi amerikan, ndërkaq, më 2019 kishte njohur gjenocidin armen, por administrata e presidentit, Donald Trump e kishte bërë të qartë që dëshiron që të mbahet status quo-ja për këtë çështje.

Ndërkaq, presidentët e tjerë amerikanë i janë shmangur përdorimit të termit gjenocid, për shkak të shqetësimeve se do të mund të dëmtoheshin raportet me Turqinë.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close