Në shërbim të askujt...vetëm informacion!

Përhapja e COVID-19 në popullatë në prill/Shqipëria me riskun më të ulët në rajon

ATSH/ Në Akademinë e Shkencave u zhvillua forumi i tretë shkencor “Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”.
Në këtë forum Prof. Alban Ylli paraqiti veçoritë e dinamikës së prevalencës dhe përhapjes  së infeksionit COVID-19 në Shqipëri.
Gjatë analizës ai u dha përgjigje pyetjeve të tilla si: sa është niveli i riskut lidhur me Covid-19 aktualisht në Shqipëri në raport me kapacitetet për kontroll, sa është niveli real i qarkullimit të virusit në popullatë në qarqe të ndryshme të vendit dhe cilat janë prirjet lidhur me receptivitetin, cilët do të ishin skenarët në terma afatshkurtër dhe afatagjatë.
Për analizën e riskut është përdorur një model i propozuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në fund të nëntorit të vitit të kaluar, i cili bazohet në disa parametra epidemiologjikë dhe shërben për të vlerësuar situatën dhe ndërtuar përgjigjen, tha prof. Alban Ylli dhe theksoi se ky është një model që po përdoret edhe nga autoritetet shqiptare, duke përfshirë komitetin e ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të monitoruar dhe për të gjykuar mbi situatën e pandemisë, model që pasqyron situatën e dy javëve të fundit (deri më 16 prill); dëshmon se risku në Shqipëri si nga pikëpamja e përhapjes, si nga pikëpamja e modalitetit, si nga pikëpamja e pozitivitetit të testimit është duke u shndërruar në një risk të moderuar.
Sipas prof. Yllit nëse prirjet do të vijojnë në javët në vazhdim, me shumë gjasë, risku mund të bëhet i ulët. Kjo do të thotë një përhapje kumulative javore për 100 mijë (e mesatarizuar në dy javë) prej më pak se 50 dhe një nivel mortaliteti javor (sërish i mesatarizuar në dy javët e fundit) prej rreth 1-2 për 100 mijë.
Nga ana tjetër, analiza e të dhënave dëshmon dy elementë të tjerë: Së pari, duket se situata në Tiranë është shkaku kryesor për prirjen e përgjithshme drejt uljes në Shqipëri. Pavarësisht nga numri krahasimisht i lartë i rasteve aktive në këtë qark, ato nuk janë duke prodhuar shumë raste të reja. Ndërkohë që raporti i përhapjes me nivelin e rasteve aktive është shumë më i lartë në Gjirokastër, Berat, Korçë, apo në rajone të tjera të vendit. Kjo dëshmon për një receptivitet dhe si pasojë risk më të lartë në këto qarqe krahasuar me Tiranën. Rezultatet e studimit të seroprevalencës të kryer nga Akademia në fund të qershorit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar e mbështesin gjithashtu këtë analizë.
Së dyti, nëse analizojmë prirjet e nivelit të pozitivitetit të testimit për COVID-19 vërejmë se në valën e shkurtit, treguesi i pozitivitetit është përmirësuar (është ulur), krahasuar me vitin e kaluar. Ky tregues vijon të bjerë dhe aktualisht ndodhet midis 10 për qind dhe 5 për qind. Ky tregues është një nga parametrat që ndihmon për të përllogaritur raportin e prevalencës, që është raporti i numrit real të rasteve të infeksionit me rastet e diagnostikuara.
Ai shpreh nivelin real të qarkullimit të COVID-19 në popullatë dhe nuk është i njëtrajtshëm, gjatë kursit të pandemisë. Vlerësohet që aktualisht të jetë jo më shume se 3, vlera më e ulët që nga fillimi i pandemisë, duke dëshmuar njohje dhe kontroll më të mirë të situatës reale në popullatë.
Gjatë prezantimit prof. Alban Ylli falënderoi Akademinë e Shkencave për studimin e seropevalencës që ka kryer vitin e kaluar. E ka udhëhequr akad. Sulçebe dhe shfrytëzoj momentin për të falënderuar edhe profesor Gjinushin për lidershipin e treguar në këtë kërkim, tha ai. Ka dhënë një këndvështrim origjinal dhe besoj të vlefshëm të situatës, duke i konsideruar studimet e seroprevalencës të dobishme në fushën e Covid-it.
Për parashikimet në terma afatshkurtër në javët në vijim në Shqipëri ai tha se do të vijojmë të kemi një risk të moderuar ose të ulët. Ky përmirësim i nivelit të riskut ndodh në kontekstin e një situate globale jo të mirë. Risku në vendet fqinje, ashtu si në shumicën e vendeve të rajonit është më i lartë se në vendin tonë.
Në terma afatmesëm dhe afatgjatë, prirjet e nivelit të riskut të COVID-19 në vendin tonë do të vareshin nga disa faktorë me ndikim pozitiv dhe negativ. Ato me ndikim pozitiv përfshijnë imunitetin artificial në rritje si pasojë e vaksinimit dhe stinën e verës. Faktorët me ndikim negativ do të ishin dobësimi i distancimit social dhe shtimi i peshës së varianteve të reja të COVID -19 me pasojë një dobësim të mundshëm në të ardhmen të imunitetit ndaj virusit.
Rasti i Iranit, një nga vendet e para ku pandemia ka filluar dhe që aktualisht ndodhet në një “valë të katërt” të COVID-19, tërheq vëmendjen për ruajtje të masave dhe të kujdesit.
Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për kontrollin e pandemisë gjatë gjithë vitit në vazhdim.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close