Shqipëri-Zgjedhjet e përgjithshme/ Nis procesi i votimit, 5199 qendra në gjithë vendin

Shqipëri-Zgjedhjet e përgjithshme/ Nis procesi i votimit, 5199 qendra në gjithë vendin

ATSH/ Nisi sot në vend procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, i cili pritet të zgjasë deri në 19:00 të pasdites.

Në të gjithë vendin do të funksionojnë 5199 qendra votimi.

Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara.

Mënyra e votimit është përcaktuar nga KQZ:

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 5199 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse është kryer në kushte manuale.

Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim (ID) ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

Zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit me të dhëna biometrike, si më poshtë: letërnjoftim (kartë identiteti), ose pasaportë.

Kryetari i KQV-së, pasi verifikon se zgjedhësi është i njëjtë me personin në dokumentin e identitetit, i dorëzon dokumentin e identitetit të zgjedhësit operatorit teknik të QV-së.

Zgjedhësi timbroset në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar me vendim të KQV-së me një lëndë të posaçme, të dukshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar Zonën e Administrimit Zgjedhor nr. 40, në Bashkinë e Tiranës, si njësinë administrative për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave. ZAZ nr. 40 është e përbërë nga 32 qendra votimi.

Qendrat e votimit mbyllen në orën e caktuar. Nëse edhe pas kalimit të këtij orari ka zgjedhës që presin në radhë, KQV-ja mbledh dokumentet e identifikimit të të gjithë zgjedhësve të pranishëm dhe i thërret ata me radhë për të kryer votimin.

Asnjë zgjedhës tjetër nuk do të lejohet të votojë nëse nuk ka qenë në radhë në kohën e mbledhjes së dokumentit të identifikimit.

Pasi voton edhe zgjedhësi i fundit i pranishëm, votojnë anëtarët e KQV-së dhe operatori teknik i QV-së/personi i ngarkuar për funksionimin e kamerës.

KQV-ja merr vendim për mbylljen e votimit, duke plotësuar formularin tip përkatës, duke shënuar në të edhe orën e mbylljes së votimit.

Duke marrë në konsideratë zhvillimin zgjedhjeve në situatë pandemie, udhëzimi i KQZ-së thekson zbatimin në mënyrë rigoroze të masave antikovid dhe protokolleve të miratuara nga institucionet shtetërore.

Në total në zgjedhjet e 25 prillit janë të regjistruar 3 588 869 qytetarë shqiptarë që kanë të drejtën e votës.

Të ndarë sipas qarqeve, kryeson Tirana me 910 494 zgjedhës, për të vijuar me Fierin me 403 220 zgjedhës, Durrësin me 358 730 zgjedhës, Elbasanin me 346 948 zgjedhës, Vlorën me 318 428 zgjedhës, Korçën me 284 363 zgjedhës, Shkodrën me 272 078 zgjedhës, Beratin me 183 119 votues, Lezhën me 173 899 votues, Dibrën me 131 225 votues, Gjirokastrën me 123 270 votues dhe Kukësin me 83 027 votues.

CATEGORIES
Share This
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close