Hetimet e krimeve elektorale / Kim: Askush nuk është mbi ligjin

Hetimet e krimeve elektorale / Kim: Askush nuk është mbi ligjin

ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim përshëndeti sot njoftimin e SPAK për hetimin e rasteve që kanë të bëjnë me shkeljet zgjedhore.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ambasadorja Kim u shpreh se, ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht.

“Gjë shumë e mirë që shoh njoftimin e SPAK për hetimet e krimeve elektorale. Unë e kuptoj që prokurorët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht. Askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadorja Kim.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se është duke ushtruar me përparësi ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, apo ndaj subjekteve të ndryshëm, që janë kompetencë hetimi të kësaj prokurorie.

Për të gjitha rastet që janë në hetim, garantojmë subjektet që kanë paraqitur kallëzimet, si dhe opinionin publik se, deri tani janë hetuar dhe në vijim do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda proaktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme që lidhen me veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje.

Kushdo që ka të dhëna, fakte apo çdo gjë që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të fakteve të kallëzuara është i mirëpritur t’i paraqesë në Prokurorinë e Posaçme, duke i garantuar se do vlerësohen me seriozitetin e duhur dhe do i nënshtrohen hetimit të plotë.

Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, të cilët janë regjistruar:

27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

2 procedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

1 procedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

1 procedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”.

CATEGORIES
Share This
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close