400 studentë në vend të mësimdhënëseve shtatzëna

Ministria e Arsimit, ka arritur marrëveshje me Fakultetin e Edukimit që të angazhojë studentë të kësaj njësie akademike, pas vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga prezenca fizike në procesin mësimor.

Njohës të çështjeve të arsimit këtë vendim të ministrisë e kanë mirëpritur, për arsye se do të ndihmojë në përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë.

Ndërsa, përfaqësues të Sindikatës së Arsimit thonë se me e arsyeshme do të ishte ndarja e  mjeteve shtesë për angazhimin e profesionistëve të kësaj fushe sesa angazhimi i studentëve.

Ministria e Arsimit,  ka arritur marrëveshje me Fakultetin e Edukimit që në vend të mësimdhënëseve shtatzëna, të angazhojë rreth 400 studentë të kësaj njësie akademike.

Në lidhje me ketë çështje, Ministria e Arsimit  në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se mësimdhënëset që do të lirohen janë të obliguara që përmes komunikimit në distancë, në vazhdimësi të jenë në kontakt me studentët për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme profesionale.

“Me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 18 prill 2021, mësimdhënëset shtatzëna janë liruar nga prezenca e tyre në shkollë, por punët duhet t’i realizojnë nga shtëpia, andaj në këtë situatë nga drejtoritë komunale të arsimit është kërkuar mbështetje profesionale. Prandaj, në pamundësi të punësimit të stafit të ri, sepse për një pozitë nuk mund të kenë marrëdhënie pune dy persona, mundësia e vetme ka qenë bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit. Do të vazhdohet edhe me njësi të tjera akademike sipas nevojës, që të na ofrojnë studentë të nivelit master dhe studentë të vitit të katër,të cilëve ju njihet praktika profesionale në shkolla.”

E njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, në një përgjigje për Radio Kosovën, këtë marrëveshje e cilëson vendim të mirëpritur për komunitetin dhe në interes për mirëqenien e vetë mësimdhënësve.

“ Vendimi i fundit për zëvendësim të mësimdhënësve shtatzëna me studentë nga Fakulteti i Edukimit paraqet një vendim të mirëpritur për komunitetin dhe në interes për mirëqenien e vetë mësimdhënësve. Shpresoj shumë që ky vendim të hapë rrugë për zgjidhje të ngjashme afatgjate edhe për mësimdhënësit me sëmundje të rënda, por edhe nevojën e funksionalizmit të fazës hyrëse për mësimdhënës.”

Ndërsa, këtë marrëveshje nuk e përkrahë Sindikata e Arsimit. Ymer Ymeri, nga kjo sindikate në një përgjigje për Radio Kosovën tha se kjo  marrëveshje është jo e qëlluar për arsye se ky angazhim i studentëve do t’ ju numërohet si praktikë dhe aftësimi i tyre do të mungojë në mungesë të prezencës se mësimdhënësit në klasë.

“ Sindikata e Arsimit këtë marrëveshje e vlerëson si jo adekuate  që studentët të zëvendësojnë mësimdhënësit.  Ky angazhim i studentëve do t’ju numërohet si praktikë dhe studentët me rastin e kryerjes së praktikës kanë nevojë dhe është  e nevojshme  prezenca e mësimdhënësve. Por më mirë kishte me qenë që të ndahen mjete shtesë për angazhimin e profesionistëve të fushës. “

Fakulteti i Edukimit ka bërë të ditur se në këto pozita do të caktojë studentë të nivelit master dhe studentë të vitit të katërt.

/Radio Kosova

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close