Instituti GAP: Ende i ulët punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë

Instituti GAP publikoi raportin statistikor “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë” për vitin 2020. Pandemia COVID-19 dhe ndërrimi i dy qeverive brenda vitit 2020, kanë ndikuar edhe në aspektin e punësimit dhe përfaqësimit të grave në Kosovë. Si pasojë e pandemisë pozita e grave në tregun e punës është rënduar edhe më shumë meqë janë ulur mundësitë për punësim. Në vitin 2020, shkalla e punësimit tek gratë ishte vetëm 14.4%, ndërsa tek burrat 46.2%.

Përkundër se numri i vajzave që ishin duke studiuar apo që i kanë përfunduar studimet ishte ndjeshëm më i lartë se i djemve, të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e tyre në tregun e punës mbetët ende e ulët, ku vetëm 21.5% e grave në moshë pune janë aktive në tregun e punës. Për më tepër, mbi 8,737 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil (5,034).

Tek pozitat kyçe në qeveri, gjatë vitit 2020, Qeveria Kurti kishte emëruar gra në 21% të pozitave ndërsa Qeveria Hoti 14%. Në pozitat drejtuese, shërbimin civil dhe stafin akademik, gratë kanë mbajtur rreth një të tretën e pozitave edhe në vitin 2020. Ndërsa në administratën komunale të disa komunave, sidomos atyre të volga, vetëm çdo i pesti vend i punës mbahet nga gratë.

Ndërkaq shkalla e papunësisë tek gratë, që përfshin vetëm personat të cilët kërkojnë punë, ishte 33.1% ndërsa tek burrat 21.5%. E në anën tjetër, edhe këtë vit, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njejtit nivel me atë të burrave. Numri i grave punëkërkuese të regjistruara në Agjencinë e Punësimit në vitin 2020 ishte 90,677, kurse numri i burrave punëkërkues të regjistruar në këtë agjenci ishte 109,900.

Tek skema e ndihmës sociale, si e vetmja skemë që targeton varfërinë, dallimet gjinore janë theksuar dhe progresi ka qenë i vogël krahasuar me vitin paraprak. Në Kategorinë 2, vetëm 9.42% të përfituesve janë gra, ndërsa në dy kategoritë e skemës së bashku, shkalla e përfituesve gra është 34.14%.

Ky është raporti i katërt vjetor përmes të cilit, në mënyrë statistikore, Instituti GAP synon të vë në pah dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqënie sociale.

CATEGORIES
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close