KDI: 1 maji – rikujtim se duhet të veprohet për të drejtat e punëtorëve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve këtë vit e gjen Kosovën me papunësi të rritur, duke qenë se shumë punëtorë kishin humbur vendet e punës si pasojë e mbylljes së ekonomisë për shkak të pandemisë COVID 19.

Përderisa deri më sot, nuk ka shifra të sakta mbi numrin e punëtorëve që humbën vendet e punës, numri i punëkërkuesve të rinj të regjistruar vetëm në prillin e vitit të kaluar ishte mbi 32,000 mijë.

Në njoftimin e dërguar nga KDI thuhet se pakot fiskale të Qeverisë të cilat u dizajnuan për të adresuar nevojat e pandemisë nuk dhanë rezultatet e parashikuara.

“Në fakt, përpos pakos së parë emergjente mars-maj 2020, pakot tjera të nxjerra nga Qeveria nuk e kishin në fokus ndihmën, edhe ashtu shumë modeste për punëtorët e sektorit privat. Sipas Administratës tatimore të Kosovës (ATK), deri më 17 korrik 2020, numri i punëtorëve të sektorit privat të cilët përfituan dy paga nga 170 euro, ishte 196,049 punëtorë. Në anën tjetër punëtorët e institucioneve publike, mjekët, policët, arsimtarët e infermierët u ndihmuan me shtesë në paga”.

“Që nga fillimi i pandemisë, KDI, përmes programit për ofrimin e ndihmës juridike falas ka vazhduar të pranojë ankesa të shumta nga qytetarët të cilëve u ishin shkelur të drejtat e tyre të punës nga punëdhënësit e tyre, qoftë institucionet publike apo kompanitë private. Si një vend me mundësi të kufizuara buxhetore, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos e kenë prioritet dinjitetin e punëtorëve dhe zbatimin e të drejtave të tyre”.

Sipas KDI-së largimi nga puna si pasojë e pandemisë, pasuar nga puna me orar të zgjatur janë shqetësimet kryesore të raportuara gjatë pandemisë.

“Punëtorë kryesisht të ndërmarrjeve që merren me sigurimin fizik të objekteve qeveritare apo edhe private, kanë raportuar në vazhdimësi që zakonisht orari i tyre është jashtë kërkesave të ligjit të punës, apo 40 orëshit në javë. Kundërshtimi i orarit të zgjatur për këtë kategori të punëtorëve nënkupton edhe largim automatik nga puna”.

“Shumë punëtorë në sektorin privat vazhdojnë të privohen nga mospagesa e kontributeve pensionale nga punëdhënësit apo kompanitë e tyre, përkundër që ato janë të regjistruara dhe përkundër faktit se ato në pagat neto të punëtorëve ndalin shumën që duhet të paguhet për kontributin pensional. Po kjo kategori e punëtorëve nuk kanë asnjë siguri, në kuptimin e vazhdimësisë së punës, pasi që në mungesë të kontratës së punës, punëdhënësi mund t’i largojë në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

CATEGORIES
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close