Hetimi i krimeve të luftës me katër prokurorë

Hetimi i krimeve të luftës me katër prokurorë

Berisha theksoi se ka dëshmi për vrasjet që kanë ndodhur, por siç shprehet ai, nuk ka shpresë se kryesit e krimeve do të mund të dalin para drejtësisë.

“Në familjen tonë nuk ka marrë askush kurrfarë shënimesh dhe nuk di asgjë… sikur të mos kishte ndodhë asgjë. Nuk jemi optimistë se do të ndriçohet diçka. Me këtë ritëm të punës dhe me këtë sistem të drejtësisë, nuk presim diçka. Nëse ndërron diçka, nëse rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndoshta ndryshon diçka. Përndryshe, nuk e di, kështu jemi ne [në këtë gjendje] dhe shumë familje që kanë humbur familjarët e tyre gjatë luftës”, tha Berisha.

Që nga përfundimi i luftës e deri më tash, në Kosovë, në Serbi dhe në Hagë, janë dënuar më pak se 70 persona për krime lufte.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që ka monitoruar proceset e gjykimeve në rastet e krimeve të luftës, thuhet se deri tani, në Kosovë, për krime të luftës në procese gjyqësore, kanë qenë të përfshirë 111 persona, kurse janë dënuar vetëm 41 prej tyre.

Sipas organizatave joqeveritare që merren me ketë çështje, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës [QKRMT] dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë [FDHK], institucionet e Kosovës ende nuk janë duke e marrë seriozisht trajtimin e krimeve të luftës, sepse mungojnë prokurorët për këtë çështje.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se aktualisht në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë vetëm katër prokurorë, të cilët janë duke punuar në trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës. Në kuadër të Prokurorisë Speciale është departamenti i veçantë i cili merret me krimet e luftës. Ata kanë shtuar se ky këshill ka bërë shpalljen e brendshme për avancimin edhe të dy prokurorëve në këtë prokurori.

Më shumë se 13.500 persona u vranë gjatë luftës më 1998-99

Nga ana tjetër, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thotë se për çështjen e krimeve të luftës, duhet të ketë numër më të madh dhe angazhim më të fuqishëm të prokurorëve.

“Ky numër kaq i vogël i prokurorëve, vë në pah se sa me seriozitet janë trajtuar krimet e luftës dhe ky numër kaq i kufizuar i prokurorëve, vë në pah pastaj edhe moszbardhjen e krimeve të luftës dhe mosndëshkimin e gjithë atyre krimeve”, tha Rushiti.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë shqiptarë.

Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptueshme se pse në Departamentin për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale, aq pak prokurorë merren me krimet e luftës.

“Por, ne nuk besojmë se mjafton vetëm rritja e numrit të prokurorëve, sigurisht se ata duhet të përkrahen edhe me staf tjetër. Vetë fakti apo informatat që vijnë nga kjo prokurori, tregojnë se është e domosdoshme që të rritet numri, sepse ata kanë trashëguar shumë lëndë nga EULEX-i”, tha Blakaj.

Në Serbi, për krimet të luftës në Kosovës, janë dënuar 17 persona me vendim të formës së prerë, ku dy nga ta kanë qenë shqiptarë.

Ndërsa, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, janë dënuar tetë persona, nga ta dy shqiptarë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për emisionin për sundim të ligjit ‘Iustitia’, thotë se Kosova ka trashëguar rreth 1,000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Këta prokurorë janë vendosur në një pozitë jo të drejtë, sepse ata kanë trashëguar gjithë këto raste dhe ato janë rreth 15 vjet të vjetra. Unë mendoj se ka pasur pak përmirësim dhe duhet të ketë edhe më shumë. Ne dëgjojmë shumë biseda nga politikanë të ndryshëm, se si do të krijojnë institucione të reja dhe duan të bëjnë shumë gjëra kur flitet për krime lufte, mirëpo nuk dëgjoni shumë për vendosjen e më shumë burimeve në prokurori dhe polici, për t’u siguruar se ata kanë çka iu duhet për t’i sjellë këto raste në gjykatë”, tha Morton-Owens.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një përgjigje per Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në planet e punës dhe politikat e veta, në vazhdimësi e ka fuqizimin e prokurorive me kapacitete të reja njerëzore./rel

CATEGORIES
Share This
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close