Lekaj: AAK-ja nuk do të jetë pjesë e dialogut

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij, duke thënë se për afër 60 ditë pune nuk ka arritur të bëjë asnjë punë.

“Sa i përket programit të qeverisë Kurti2, mendoj se as për së afërmi nuk i përmbushë kërkesat e qytetarëve, është program i shkruar mirë, por pa mbështetje financiare, pa analizë, është më tepër teorik sesa praktik që mund t’iu shërbejë qytetarëve. Program të tillë të dobët nuk kemi pasur më parë në Qeverinë e Kosovës, më tepër kanë shkruar histori dhe poezi se sa diçka që mund ta bëjnë realitet për qytetarët e Kosovës. Ai (Kurti) ka premtuar që paga minimale do të jetë 350 euro, ndërsa e ka zbritur në 250 euro dhe në fjalimin e tij para Kuvendit e ka zbritur edhe në 200 euro, kjo ka dalë në bazë të llogarive që i kemi bërë për 40 orë. Kjo është më tepër mashtrim për qytetarët se program i prekshëm që do të ndikojë në zhvillimin e vendit. Nëse mendojmë në mënyrë analitike, për vitin 2022 nuk e ka cekur shumën buxhetore se si duhet të shpërndahet, operacionalizohet vija buxhetore, dhe kjo është absurditet i kohës dhe dhashtë Zoti kësi programi të mos ketë në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

“Mesazhi kryesor është se si Aleancë do të vlerësojmë çdo punë të mirë, por do të jemi shumë të zëshëm dhe aktiv kur ka dështime dhe nepotizëm, punë jo të mira për vendin, dhe presim që në ditët në vijim, pasi në 60 ditë e qeverisjes kryeministri Kurti nuk ka bërë asgjë, ndoshta fillon të mendoj diçka pozitivisht për Kosovën”, shtoi ai.

Lekaj po ashu, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe shkuarjen e Kurtit në Bruksel, e paralajmëron këtë të fundit se do të jenë 24 orë nën vëzhgim, dhe nuk do të lejojnë siç thotë asnjë lloj autonomie e copëtim të vendit.

Lekaj lë të kuptohet se AAK nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë edhe nëse ju bën ftesë kryeministri Kurti.

“Si Aleancë ne jemi të respektueshëm ndaj vendimeve të shtetit, Kushtetua e vendit ka një vlerësim që përgjegjësia i takon kryeministrit për dialog, dhe po them se Aleanca sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë pjesë e dialogut”, thotë Lekaj.

“Sa i përket Kurtit u mësuam me frazat e tij, diçka tjetër thotë para qytetarëve dhe diçka tjetër në fushata. Kur ka qenë në opozitë nuk e ka përkrahur dialogun, dhe siç dihet kanë rënë dy qytetarë për të kundërshtuar dialogun. Edhe për dialogun ka bërë mashtrim, pasi ka thënë se është diku në pikën e shtatë të prioriteteve, por po del që është e para. Dhashtë Zoti që Kurti mos të bëjë hapa të gabueshëm dhe mos të ndikojë pozita e të qenit kryeministër dhe arroganca e numrave që mund të vendos vet për Kosovën. Si AAK do të jemi kujdestar për 24 orë për dialogun dhe çështjet tjera për Kosovën dhe nuk do të lejojmë të hy në ujërat e turbullta që mund të kenë ndikim negative për statusin e Kosovës”, tha tutje ai.

Lekaj më tej tregoi se çfar presin si Aleancë nga dialogu Kosovë-Serbi.

“Ne kemi pavarësinë e shtetit tonë, AAK nuk pranon asnjë kompromis tjetër përveç që Kosova të njihet në kufijtë ekzistues dhe të kemi njohje reciproke të pranueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht, por në asnjë mënyrë nuk do t’i hyjmë copëtimit të Kosovës, autonomi apo distrikt që po flitet në kuluare me këto në “Non Paper” dokument. Ne duhet të jemi të vëmendshëm, sepse nëse ndodh Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, Kosovën e ndanë dhe e bën disfunksionale. Nuk guxojmë të shkojmë në dialog dhe të diskutojmë për këto çështje, duhet me shku të barabartë në dialog si dy shtete, duhet paraprirë bisedat për personat e pagjetur si dhe dëmin që Serbia i ka bërë Kosovës”, tha lekaj në një intervistë për Reporterin.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close