Gastronomët paralajmërojnë mosrespektim të masave kufizuese

Me thirrjet “Me një vaksinë nuk çel vera” dhe “Çelma derën”, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka protestuar të martën para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar heqjen e masave kufizuese për luftim të koronavirusit.

Kryetari i kësaj shoqate, Petriti Kllokoqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka ende asnjë plan për hapjen e sezonës së verës.

“Tash e 438 ditë jemi mbyllur, tash e 438 ditë nuk po mund të sigurojmë kafshatën e gojës. Po punojmë me kufizime e me dënime. Këto masa nuk kanë më kuptim kur rastet kanë rënë në më pak se 1 për qind”, ka thënë Kllokoqi.

Ai ka paralajmëruar se kjo do të jetë protesta e fundit që gastronomët do ta realizojnë në këtë mënyrë, dhe se tani e tutje, protesta do realizohet me mosdëgjueshmëri qytetare dhe mosrespektim të masave kundër pandemisë.

Sipas vendimeve të marra më 18 prill nga Qeveria e Kosovës, kufizimi i lëvizjes në Kosovë zbatohet në periudhën 22:30 – 05:00.

Bizneseve të gastronomisë iu lejohet puna, mirëpo duket pasur parasysh mbajtjen e distancës fizike dhe kufizimin e konsumatorëve për metër katror.

Situata epidemiologjike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën një viktimë me koronavirus.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,291 mostrave.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 25 maj janë shëruar 258 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 3,303.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,725 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,241 kanë vdekur.

Në Kosovë është në zhvillim e sipër faza e dytë e vaksinimit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Në fazën e tretë, ndërkaq është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.

Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike./rel

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close