Përpjekje për unifikim para dialogut me Serbinë

Kryeministri, Albin Kurti kërkon të gjejë një gjuhë të përbashkët me opozitën për dialogun e pritshëm me Serbinë. Por nga opozita vijnë kritika, se Albin Kurti ka ndërruar qëndrim përsa i përket dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, takoi disa nga krerët e partive politike opozitare në përpjekje për të informuar dhe bashkërenduar qëndrimet e Kosovës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi i parë i kryeministrit Kurti me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq, pritet të ndodhë në fund të muajit qershor nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, datë kjo që do të shënonte rifillimin e dialogut.

Kurti ka ndryshuar pozicionin në dialog

Kryetari i partisë opozitare LDK, Lumir Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Kurti, tha se ky i fundit ka ndryshuar qëndrim sa i përket dialogut me Serbinë. Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, kritikonte partitë në pushtet duke thënë se dialogu me Serbinë duhet zhvilluar pas kërkimfaljes nga Serbia, vendosjen e reciprocitetit dhe fillimisht dialog i brendshëm me serbët e Kosovës dhe pastaj me Serbinë”. “Unë vërejta, se kryeministri jo vetëm për reciprocitet por edhe për shumë tema të tjera ka ndryshuar pozicion në dialog, por është koha e tij ta dëshmojë veten, është reciprociteti, kërkimfalja dhe dialogu i brendshëm para atij të jashtëm”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK, Abdixhiku, shprehet, se bëmë një kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që duhet të prezantohet në Kuvend. “Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i Qeverisë për dialog. Dhe bëmë një ofertë, ne i kemi dorëzuar një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që duhen mbrojtur, siç janë diskutimi mbi bazën e vendimit të GJNDS-së për Kosovën, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe rezultati final duhet të jetë anëtarësimi në NATO dhe njohja e ndërsjellë”, tha Abdixhiku. Për Abdixhikun, pjesëmarrja e SHBA-së në dialog është e pakontestueshme.

Haradinaj: Dialogu nuk duhet të ketë befasi

Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti, “që dialogu të mos ketë befasi”, ndërsa u shpreh se do të ishte me dobi që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht presidenti Joe Biden të emërojë një emisar në dialogun Kosovë-Serbi”.

“Hetojmë një mungesë të prezencës së SHBA-ve në dialog. Mendoj se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovësnë dialogun me Serbinë. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga presidenti amerikan Joe Biden. Lajçak është një nivel i ulët i përfaqësimit për agjendën tonë. E ardhmja e dialogut është e rëndësishme”, tha Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, shqetësues është edhe fakti, se “ka konfuzion në agjenda, sepse disa zhvillime prezantohen si agjendë e Berlinit, siç është ajo e lëvizjes së lirë me Bosnjën”.

Gjermania përshëndet Kosovën për bashkëpunimin rajonal

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka përgëzuar Kosovën për “bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit”, pasi qeveria e Kosovës miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet  Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve vetëm më letërnjoftim. “Të inkurajuar nga qëndrimi proaktiv i qeverisë kosovare për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal përpara takimit të Procesit të Berlinit me vizat e vendit të tretë dhe kartat e identitetit që udhëtojnë në rajon”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman.

PDK nuk takohet me Kurtin

Takimin me kryeministrin Kurti e refuzoi kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Enver Hoxhaj. Ky i fundit përmes një letre është shprehur, se “çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.“Nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirëinformuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo “çështje madhore”, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës. “, shkroi Hoxhaj, duke refuzuar që ta takojë kryeministrin.

Serbia akuzon, se Kosova nuk do kompromis

Para rinisjes së dialogut Kosovë Serbi, Presidenti serb Aleksandër Vuciq, ka thënë se “Kosova nuk është e interesuar për kompromis” dhe këtë konstatim ai e nxorri pas takimit të liderëve të rajonit në Samitin e Bërdo Brionit. “Është e rëndësishme për ne që të zhvillojmë bisedime dhe ne jemi të interesuar në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi. Tani isha në Brdo afër Kranjit në Slloveni, në samitin e vendeve të Evropës Juglindore, ku takova Vjosa Osmanin, e cila shprehu interes për gjithçka, përveç për një zgjidhje kompromisi për Kosovën. Nëse qëllimi i tyre është të presin që dikush të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të bërë akuza për gjenocid ndaj Serbisë dhe nuk e di se çfarë tjetër, atëherë unë nuk jam një optimist. E gjithë kjo tregon se pala tjetër nuk është e interesuar për dialog”, tha Vuçiq, në një intervistë për portalin çek “Parlamentní listy”.

Njohësit e zhvillimeve politike, ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar opozitës për koordinim qëndrimesh e shohin si një zhvillim pozitiv, ndonëse rikujtojnë që ishte vetë Kurti kur ishte në opozitë që nuk pranonte fare të takohej me qeverinë për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu u shpreh për DW, Blerim Burjani analist politik. “Vetëvendosje dikur nuk ishte pjesë e asnjë debati në këtë temë me pozitën e atëhershme, ndërsa tash kërkon bashkëpunim të plotë me opozitën. Tash a duhet të mbizotërojë inati dhe revanshizmi, apo pragmatizmi veprues? Siqoqoftë, është çështje e palëve pozitë-opozitë. Bashkëpunimi për momentin nuk ekziston në këtë temë dhe takimi i Kurtit me një pjesë të opozitës nuk duket i frytshëm”, thotë Burjani.

Sipas Burjanit për momentin “situata rreth rifillimit të dialogut është e komplikuar dhe po duket më tepër lojë fjalësh dhe blerje kohë për fillim të këtij dialogu”. “Qeveria aktuale nuk është ende e qartë për një fillim dhe një përfundim të plotë të kësaj çështje. Është e saktë që rrjedha e dialogut nuk përcaktohet dhe nuk drejtohet nga palët, por nga ndërmjetësuesit në këtë. Nëse SHBA emëron një përfaqësues të vetin në këtë dialog, atëherë mund ti jepet fund disi këtij problemi 21 vjeçar. Nuk mund të ketë kushte, pra palët nuk vendosin kushtet, sepse kjo do të bënte të pamundshëm dialogun. Analisti nga Kosova pret, që BE të lehtësojë zgjidhjen përfundimtare të mundshme të dakorduar nga palët./dw

CATEGORIES
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close