ORIENTALIZMA SHQIPTARE

Orientalizma shqiptare është padyshim një sistem mendimesh, ndjenjash edhe instiktesh, si çdo sistem tjetër jetësor, me një botkuptim dhe filozofi të tijën. Dhe dallohet nëpër disa shprehje simptomatike e jetë filozofike.

Orientali shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – qelepir – nga të tjerët; bota për ta asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët aj i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyet se ku nget e ku vret.

Orientali shqiptar është i zoti për të gjitha . . . turpet. Shet bab’ e nanë, din e iman, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t’i shkoi kungulli mbi uj, vetëm që mos t’i prishen telat e karadyzenit.

Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku e llokma; për t’i sigurue vehtes këto të mira përdor aj çdo mjet: bahet, kur e do nevoja, edhe patriot e tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar… e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet asht oriental kryekëput rrënimtar, asht destruktiv… dhe bashkohet me të tjerët si njata ujq që vehen së bashku në pre… porse edhe si njata ujq që e shkyjn shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës.

Sepse orientali shqiptar i ka instiktet e ujkut monoambulant, t’ujkut tek. Dhe deviza e tij karakteristike që e përcjell ndër shtegtime të jetës asht – një thanie thuajse popullore: Kudo rafsha, mos u vrafsha!

Vendi, ku ushqehet dhe majet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për të. Jo sepse e don, por sepse e shfrytëzon. Kësi farë orientalash gjinden si ner pleqsi edhe ner të rinj shqiptarë….

Porse e vërteta na detyron edhe për një konstatim tjetër për kah orientalizma shqiptare!
Asht një gabim i trash kur thuhet shumë herë se orientalizma na ka ardhë sefte nga Azia, apo nëpër religjonin muhamedan, apo edhe nga populli turk. Jo, kurrsesi, orientalizma e jonë asht një dhanti 😊 darovë) fatale e kristianizmit, me gjithë që e një kristianizmi euro-aziatik.

Kush është Krist Maloki?

Pr.Dr.Krist Maloki ka lindur më 8.4.1900, në Prizren dhe ka ndëruar jetë më 24.11.1972 në Graz-Austri.Qysh në moshën 12 vjeç, si nxënësi më i mirë i fillores shqipe në Prizren, shkoi në Austri si bursist i Ministrisë së P. të Jashtme të Austrisë., ku shkollën e mesme dhe studimet universitare i vazhdoi në Austri.

Krist Maloki është bërë i njohur për kritikën letrare. Mund të thuhet se ishte i pari kritik letrat shqiptar.

(Marrë prej: Krist Maloki “Oriental apo Okcidental”, Plejad, 2003,109 -111)


 

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close