Michael Roth: Optimist për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Bullgari-MV

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth tha për Deutsche Wellen në Tiranë, se Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet. Ai rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë gjermane për Konferencën Ndërministrore.

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, solli në vizitën e tij zyrtare në Tirane të enjten, (27.05) shpresa të kushtëzuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, (MV) e për një vendim pozitiv të Këshillit Europian lidhur me Konferencën e Parë Ndërministrore të BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe MV.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, ai rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë gjermane ndaj mbajtjes së kësaj Konference. “Të dyja shtetet, në këndvështrimin tonë kanë përmbushur kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe për këtë arsye duhet që me të dy shtetet të nisin këto negociata. Më së fundi, duhet të fillojë ky proces dhe pikërisht për këtë ne po punojmë me vendosmëri. Jam sigurisht optimist e kështu do të mbetem dhe shpresoj që kjo të mund të mbërrihet në 22 qershor,” tha në Tiranë, Ministri gjerman i Shtetit Roth.

Kryeministri Rama e cilësoi miratimin e kornizës negociuese dhe thirrjen e Konferencës së Parë Ndërministrore të BE “thjesht dhe vetëm çështje të brendshme të Këshillit Europian në një moment kur BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike, që lidhet me ngërçin e krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”. “Bashkimi Europian duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese e duke thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Kjo do varet nga sa do të arrihet të zgjidhet ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sa Bullgaria do jetë e gatshme të heqë barrikadën që i ka vënë këtij procesi, në një forum, ku pa konsensus nuk merret dot asnjë vendim”, tha kryeministri Rama duke nënkuptuar Këshillin Europian.

Ai theksoi që “vendimmarrja në Këshillin Europian lidhet me këtë situatë më shumë se asnjëherë më parë me çfarë duan të bëjnë ata, jo me çfarë kemi bërë ne. Ne thjesht po kërkojmë atë që na takon. Fatmirësisht, sot, të gjithë e dinë që na takon tani. Do na e japin apo nuk do na e japin është çështje kohe”, tha kryeministri Rama.

Roth: Ballkani Perëndimor – interesi europian dhe gjerman

 “Një shenjë solidariteti nga ana e Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe para së gjithash për Shqipërinë.” Kështu e cilësoi ministri gjerman i shtetit për Çështje të Europës, Michael Roth vizitën e tij zyrtare në Tiranë të enjten. “Ka një interes strategjik të spikatur të Bashkimit Europian. Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasëm, por oborri i brendshëm i Europës. Paqja, stabiliteti, demokracia, mirëqënia, shteti ligjor, pajtimi rajonal janë në interesin europian dhe interesin gjerman”, vuri në dukje ai në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Ai bëri me dije se BE do të vërë në dispozicion, në ditët e ardhshme 12 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor për të amortizuar pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë Covid-19. “Nuk dëshiroj që të lindë përshtypja që Rusia e Kina të jenë më shumë të angazhuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Premtoj më tepër angazhim nga të gjitha shtetet anëtare”, theksoi ai.

Roth: BE duhet të mbajë premtimet e veta

Pyetjes së Deutsche Welles në Tiranë, nëse mosmbajtja e premtimeve nga BE dhe lënia peng e Shqipërisë për një kohë të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe MV vë në rrezik kredibilitetin e BE, ministri gjerman Roth iu përgjigj: “Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them në mënyrë autokritike. Liberalizimi i vizave në Kosovë do duhej të ishte përmbushur prej kohësh, jo sepse këtë e dëshiron Michael Roth, por sepse Komisioni ka përcaktuar që kushtet janë përmbushur dhe po kështu, edhe tani është e njëjta gjë. Kushtet janë përmbushur, pra, duhet të mbajmë fjalën, por Bashkimi Europian është i strukturuar në çështje qendrore pikërisht mbi arritjen e konsensusit. Të gjitha shtetet e Bashkimit Europian të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, tha Roth.

Ndarja nga BE e qytetarëve të Ballkanit në dy kategori

Kryeministri Rama e cilësoi pamundësinë e qytetarëvë të Ballkanit Perëndimor për të udhëtuar lirisht në Europë për shkak të ndarjes në dy kategori, – sipas llojit të vaksinës anti-Covid që ata kanë marrë më të rëndë se shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore që mund të udhëtojnë dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore që nuk mund të udhëtojnë. Lëvizja e shqiptarëve të Shqipërisë, e cila është garantuar prej vitesh  nuk mund të fragmentohet  se njëri ka bërë vaksinën Pfizer, tjetri ka bërë vaksinën Sinovac, njëri ka bërë AstraZeneca, tjetri ka bërë Sputnik”, tha ai. I pyetur nga DW, Tiranë, nëse ka sinjale që kjo nuk do të ndodhë, kryeministri Rama vuri në dukje se ” BE nuk duhet të marrë peng askënd që jeton në Ballkanin Perëndimor për shkak të firmës që ka prodhuar vaksinën.”/dw

CATEGORIES
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close