Në shërbim të askujt...vetëm informacion!

Sulm i ri kibernetik nga hakerët rusë ndaj agjencive të SHBA-së

Hakerët rusë kanë ndërmarrë një sulm të ri ndaj agjencive qeveritare dhe institucioneve hulumtuese amerikane, duke përdorur një postë elektronike marketingu të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), njoftoi kompania Microsoft.

Zëvëndëspresidenti i Microsoft-it, Tom Burt, tha se sulmet shënjestruan 3,000 llogari në më shumë se 150 organizata të ndryshme.

Të paktën një e katërta e organizatave janë të përfshira në fushën e zhvillimit ndërkombëtar, angazhimin humanitar dhe të drejtat e njeriut. Organizatat që janë sulmuar janë të përfaqësuara në të paktën 24 vende, tha Burt.

Ai nuk dha hollësi nëse ndonjë nga sulmet e hakerëve ka rezultuar i suksesshëm.

Sipas tij, shumica e sulmeve ndaj klientëve të Microsoft-it u bllokuan në mënyrë automatike.

Kompania tani është në proces të njoftimit të të gjithë klientëve për sulmet.

Zbulimi i këtij sulmi kibernetik u bë vetëm tri javë para takimit të planifikuar mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Në muajin dhjetor Shtetet e Bashkuara zbuluan sulmin kibernetik për të cilin fajësuan Rusinë në rrjetin e kompjuterëve të disa institucioneve qeveritare dhe kompanive në SHBA.

Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan për shkak të këtyre sulmeve, por edhe për kërcënimet ruse ndaj Ukrainës dhe trajtimin e aktivistit të burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Si përgjigje ndaj sulmit, presidenti Biden pati shpalli sanksione ndaj Rusisë. Gjithashtu Uashingtoni dëboi disa diplomatë rusë.

Zëvëndëspresidenti i Microsoft-it, Tom Burt, tha se grupi i hakerëve Nobelium, me origjinë nga Rusia, qëndron pas sulmeve të fundit dhe është i njëjti aktor që ishte pas sulmit ndaj klientëve të SolarWinds, që u zbulua në dhjetor të 2020-ës.

“Sulmet e fundit duket se janë pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme të Nobelium për të shënjestruar agjencitë qeveritare të përfshira në politikën e jashtme”, tha Burt.

Si ndodhi sulmi kibernetik?

Hakerat fillimisht morën qasjen e email-it në shërbimin e marketingut të USAID-it, tha Microsoft.

Pastaj, ata dërguan email-a me virus të krijuar për të lejuar hakerat “të kenë qasje të vazhdueshme në pajisjet e infektuara”.

Microsoft tha se fushata e sapozbuluar është duke vazhduar.

Derisa fushata e sulmeve e zbuluar në dhjetor të vitit të kaluar ishte zhvilluar gjatë tërë vitit para se të zbulohej, këtë të fundit, ekspertët e sigurisë kibernetike e konsiderojnë më të lehtë për t’u zbuluar.

Burt tha se sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shteti nuk kanë të ndalur dhe bota ka nevojë për masa që rregullojnë sjelljen e shteteve në hapësirën kibernetike.

“Ky është edhe një shembull tjetër sesi sulmet kibernetike janë bërë mjeti i disa shteteve për të përmbushur qëllimet politike”, tha Burt.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë fajësuar Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) për sulmet e zbuluara në muajin dhjetor, që shënjestruan nëntë agjenci federale të SHBA-së dhe qindra kompani të sektorit privat.

Këtë muaj, shefi i spiunazhit rus mohoi përgjegjësinë për sulmin kibernetik, por tha se ai ndihej “i privilegjuar” që inteligjenca e jashtme ruse akuzohet për një sulm aq të përsosur.rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close