Në shërbim të askujt...vetëm informacion!

KURIOZITETE NGA HISTORIA E VLORËS

-Në Mesaplik janë zbuluar dy mbishkrime të hershme. Njëri- në Mozaikun e Mesaplikut, i shekullit VI të erës sonë, dhe tjetri, me 50 shkronja (latine), edhe më i hershëm. Prej këtyre shkronjave, të gdhendura në një gur të shtuftë, janë ruajtur 15 prej tyre.

-Në fund të shekullit të 15-të hordhitë turke dogjën fshatin Bolenë (të vjetër), i cili ndodhej në vendin e quajtur Markovë. Banorët u larguan prej andej dhe gjysma e fshatit mërgoi në Peloponez të Greqisë. Prej andej na kanë ardhur dy këngë, pikërisht të asaj periudhe, pas vitit 1492. Ato janë pasqyruar në historikun e Bolenës.

-Në gjysmën e parë të shek.të 19-të, kanë shkruar dy poetë nga Smokthina: Demir Ago Curraj dhe Ali Mesapliku. Ata u shkolluan në Lindje dhe erdhën e luftuan për çështjen e lirisë kundër pushtuesit turk. Shkruajtën shumë vjersha. Prej Demirit ruhet sot një poemë prej më se 90 vargjesh.

-Në vitin 1848 erdhi në Dukat e Tërbaç piktori anglez Eduard Lir. Ai bëri një seri pikturash e gravurash nga këto zona. Prej tyre u frymëzua poeti Tenison, në Londër. Ai shkroi një vjershë të bukur për malet e Akrokerauneve (Çikës). Vjersha është përkthyer nga poeti Xhevair Spahiu.

-Në folklorin grek është pasqyruar heroizmi i Zenel Gjolekës, në kryengritjen e madhe të vitit 1847. Vjersha ka mbi 30 vargje dhe e quan Gjolekën “Skënderbe të Jugut”.
-Në vitet 1883-1887, katër vjet rresht, në Vlorë ka ardhur revista e De Radës “Fjamuri i Arbrit”. Atë e merrnin patriotët vlonjatë dhe e përhapnin në rrethet patriotike të atyre viteve.

-Në verën e vitit 1878, Naim Frashëri, kur punonte në Sarandë, erdhi në Llogora, për të gjuajtur kafshë të egra… Kjo është zbuluar nga një letër e një vëllai të tij, që ia dërgon Avdulit, vëllait më të madh. Letra është zbuluar nga një studiues kosovar.

-Rreth vitit 1900, Andon Zako (Çajupi) vinte nga Sheperi në Vunoin e Himarës, ku ndiqte një shkollë të mesme (Internat). Gjatë rrugëtimit nga Kuçi ai u mahnit nga natyra e ashpër dhe e bukur dhe shkroi më vonë vjershën “O Labëri, sa të dua”, prej më se 80 vargjesh.

-I riu kaninjot, Dush Strati, në vitin 1900, ishte një poet i ndjeshëm. Pas vdekjes së Naim Frashërit, i pikëlluar nga humbja e poetit të madh, ai shkroi një vjershë-elegji prej 7 strofash, me cilësi të lartë artistike. Është nga elegjitë e para, krahas Çajupit, për humbjen e Poetit Kombëtar.
…………………………………………….

( Këto kuriozitete janë shkëputur nga një libër prej afro 200 faqesh, i përgatitur për botim. Libri titullohet “Qyteti i Bukurisë” dhe ka 2000 kriozitete).

/Përgatiturnga Idajet Jahaj

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close