Ai kishte guximin të jetë frikacak! Një hero!

/Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Ai është kryesisht një njeri i mirë dhe jashtëzakonisht i moralshëm, me aftësi të shkëlqyera hajnie, por edhe i korruptuar. Ai shkëlqen dhe kundërmon, lëshon një erë të fortë si peshku i kalbur.


Unë kam një koleg dhe mik të ngushtë me të cilin prej fëmijërisë kam pasur shumë biseda të sinqerta. Ne nuk flasim për motin dhe erën, por ndajmë mendime mbi kombin, keqpërdorimin e fesë, politikën, gjuhën magjepse shqipe, kulturën dhe etikën në trojet e gjyshërve tonë. Ne flasim për libra, artikuj gazetash dhe opinione që kemi lexuar dhe për ato që kemi shkruar vetë, për TV programet tallava, për leksionet dhe këndvështrimet në debatet tona, veçanërisht për vendosjen e anarkisë, ikjen e rinisë-shpopullimin e Shqipërisë (e të gjitha trojeve – nga shqiptarët autokton), falja e detit dhe monitorimi zero i kufirit me Greqinë prej nga hyjnë (dhe do mbeten aty) emigrantë joligjorë nga i gjithë rruzulli tokësorë. Flasim për të huajt (rusët, serbët, arabët…) që janë gati të blejnë të gjithë pronën shoqërore dhe “apartamente pushimi” në të gjithë bregdetin shqiptar dhe praktikisht të kolonizojë vendin, flasim për përjetimet tona ku kemi marrë pjesë si vëllezër të fushëbetejës dhe psikologjinë e sjelljes së popullit tonë indiferent – që nuk shqetësohet dhe nuk unifikon veprimet për çështjet shumë serioze kur bëhet fjalë: për të qenë-mos me qenë si komb e vend. Qeveria shqiptare që falsifikoi zgjedhjet, mund të lejojë të huajt të financojnë vetëm në industri dhe ngjashëm, e jo të shesin bregdetin tonë si me ua pjellë mamaja e tyre. Pas blerësve të vegjël qëndron një agjendë e madhe, kolonizimi i Shqipërisë. Mafiozët betonojnë edhe bregun ranor të plazheve si dhe gjithë Tiranën, thjesht, për të pastruar para të pista. Kishim aq shumë për të folur, nëse do të kishim mjaft kohë.
Një ditë erdha për të vizituar mikun tim, përpara se të përshëndesja dhe të hiqja këpucët, ai thirri: “Aurel, meqë të dy jemi me origjinë shqiptare më thuaj vëlla, janë në Shqipëri mendimet ose veprimet që janë të dënueshme?”
“Mendimet!”, ishte përgjigja ime, para se të mendoja për të. Ai më pyeti pse iu përgjigja kësisoj. Unë thashë që është kështu sepse mendimet çojnë në veprime.
Ai eci para dhe prapa në dysheme, duke bërë gjeste me duart në mënyrën e tij të zakonshme, u ndal para divanit dhe tha: “Imagjino që kjo është një stol në park dhe se unë si 20 vjeçar beqar jam ulur në të. Një vajzë shumë e bukur kalon pranë meje, dhe mendoj se ajo duket e mrekullueshme. Mendoj për të pjesën tjetër të ditës, në mendjen time e ledhatoj. A janë mendimet e mia kriminale? Jo.”
Unë pashë që miku im i mençur kishte të drejtë. Asnjë diktator, asnjë pushtet, nuk mund të ndalojë mendimet tona, edhe nëse na përndjekin. Edhe kur nuk duam të mendojmë për një temë, apo një situatë, ne mendojmë automatikisht.
Përgjigjja ime ishte plotësuese: “Por, nëse i vë në praktikë mendimet e mia, në formën e një akti fizik të paligjshëm, atëherë veprimet e mia janë të dënueshme dhe ato do të ndëshkohen. Askush nuk mund të më prangosë sepse në mendjen time e ledhatova ose bëra më shumë. A ka ndonjë bir nëne që mund të më ndalojë të mendoj, apo është e pamundur?”


Shpesh e mendoj këtë bisedë me mikun tim. Në shtetin amë, jo vetëm qeveria post-enveriste që ka kapur shtetin, por ka edhe “analistë” që preferojnë një ligj për të kufizuar lirinë e shprehjes (por vetëm kur bëhet fjalë për kritikat ndaj kolegëve, miqve dhe simpatizantëve të tyre politikë), megjithëse kritikat janë të mirëfillta, të argumentuara me miliona fakte të patjetërsueshme.
Sidoqoftë, kufizimi i lirisë së shprehjes, në asnjë mënyrë, ose në formën e censurës në gazetë ose TV, nuk mund t’i ndalojë njerëzit të mendojnë.
Kufizimi i lirisë së shprehjes (së mirëfilltë në dobi të kombit e vendit) mund të kontribuojë në veprime të dhunshme. Kur mendoni ose i vendosni mendimet tuaja me fjalë në formën e të folurit ose të shkruarit për të, mendimet tuaja “transmetohen” dhe të tjerët mund të marrin pjesë në to. Ata që nuk janë të lidhur me ideologjinë e verbër të kohës së xhaxhit mund të marrin (fitojnë) një horizont më të gjerë se sa të kishin menduar vetëm. Edhe në psikiatri themi që vendosja-shprehja e mendimeve dhe ndjenjave me fjalë krijon siguri dhe besim, se djajtë shpërthejnë në diell.
Kufizimi i lirisë së fjalës është kufizimi i mendimeve. Kufizimi i mendimeve është i rrezikshëm për vendin dhe kombin. Kur dikush nuk mund të shprehet lirshëm, ose nuk ka qasje në mendimet e të tjerëve dhe nuk mund të shkëmbejë ide dhe përvoja, kur nuk dëgjohet ose nuk guxon të ndajë mendime sepse ligji (i kapësve të shtetit) e ndalon atë, krijohen situata të rrezikshme. Sulltani mbetet në pushtet deri në “kijamet”.
Njerëzit (që nuk janë të dëmshëm për shoqërinë) duhet të kenë mundësi të shprehin mendimet e tyre, mendimeve nuk mund t`ua zësh frymën, ato nuk mund të mbyten. Ne mund të presim krahët e zogjve, por nga zogu nuk mund të heqim ëndrrën e fluturimit.
Kufizimi i shprehjeve nënkupton ndëshkimin e mendimeve të mirëfillta. Sipas ligjit, të dënueshme janë veprimet (aktet kriminale), jo mendimet. Për shembull, ne nuk mund ta ndëshkojmë gazetarin që denoncon hajdutin, vrasësin apo tradhtarin. Që alarmon shoqërinë për ligësitë e politikë-bërësve të lidhur ngushtë me krimin e organizuar. Liria e shprehjes është një derivat i lirisë së mendimit. Është një e drejtë që nënkupton lirinë e njerëzve për të pasur mendimet e veta. Liria e shprehjes do të thotë gjithashtu që ju mund të merrni dhe të siguroni informacion pa ndërhyrje nga autoritetet ose persona të tjerë.
“Intelektualët” tanë që duan kufizime në shprehjet (e mirëfillta) e vendosin historinë në të kundërt dhe rikthejnë shoqërinë në kohën e diktaturës së egër, shtypjes, shfrytëzimit, represionit. Pse duan ta mbrojnë kulturën klanore nga kritikat, nga mendimet dhe dyshimet se diçka nuk është në rregull me politikë-bërësit, oligarkët, zyrtarët dhe qeveritarët tanë, që faktikisht, kryesisht janë të korruptuar, dhe nëse je i korruptuar automatikisht ligjërisht je një kriminel që (edhe nga mediat e lira) duhet të denoncohesh dhe ndëshkohesh shumë rëndë menjëherë?
Fjala e lirë është bërë censurim nga të korruptuarit të zhytur deri në fyt në krimin e organizuar, ndryshe, servilët e forcave të errëta që urrejnë gjithçka shqiptare, prandaj me dekada punojnë për boshatisjen e vendit tonë nga rinia dhe zëvendësimin e tyre me “refugjatë” të paftuar.
Ne fillojmë të humbim kontrollin e asaj që njerëzit kanë apo nuk kanë të drejtë të dinë.

Intelektual quhet personi që ia kushton kohën e tij mendimit dhe analizës. Intelektuali sillet në mënyrë abstrakte, racionale dhe objektive reflektuese në mjedisin e tij. Të jesh intelektual nuk do të thotë të jesh veçanërisht inteligjent; duhet kuptuar më shumë si një mënyrë specifike e zbatimit të inteligjencës së dikujt në takimin e tij me botën. Qasja intelektuale qëndron në kontrast me një mënyrë më të menjëhershme, të drejtuar nga emocionet, për të perceptuar gjërat. Gazetat shqipfolëse janë karakterizuar si frikacakë, sepse pronarët e tyre shpirtskllav, kanë zgjedhur të mos botojnë letrat e mirëfillta që nuk u konvenojnë interesave të financuesve të tyre mafioz antikombëtar.


Gjithkush ka të drejtën e një mendimi, por jo çdo mendim është i rëndësishëm. Secila situatë ka specifikën e vet dhe karakterin e saj. Që të jeni në gjendje të mendoni, duhet të keni qasje në informacionin bazë të burimit. Vetëm njerëzit e lirë mund të mbrojnë qëndrimet dhe nderin e tyre të fortë për një përfundim të përbashkët, duke mbështetur interesat e kombit dhe të vendit para interesave personale.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close