Vaksinimi masiv i hapi rrugën sezonit turistik

ATSH/ Operatorët turistik që operojnë në tregun shqiptar shprehen optimist për ecurinë e këtij sezoni turistik duke konfirmuar edhe rritje të rezervimeve nga turistë të huaj.

Nënkryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Fatos Cerenishti në një prononcim për ATSH-në deklaron se pritet që të ketë një rritje prej më shumë se 30% të numrit të turistëve të huaj që do të vizitojnë Shqipërinë.

Rezervimet e deritanishme, por edhe fluturimet çarter të planifikuara na bëjnë optimist për një sezon turistik shumë herë më të mirë se ai i vitit 2020”, deklaroi Cerenishti për ATSH.
Ai thekson se turistët polakë janë ata që kryesojnë rezervimet deri tani dhe se kërkesat nga tour-operatorët polakë po shtohen dita-ditës.

Sipas tij, prej disa vitesh ata janë edhe vizitorët kryesorë të huaj në tregun shqiptar.

“E njohin mirë tregun shqiptar dhe e kanë të renditur ndër destinacionet e tyre të preferuara”, thotë Cerenishti.

Shqipëria pret gjithashtu, thekson Cerenishti, një numër në rritje edhe të turistëve nga Bjellorusia dhe Ukraina.

Ndërsa turistët nga Europa këtë sezon do të jenë në numër më të kufizuar, të paktën deri tani.

Sipas Cerenishtit, për shkak se në kthim atyre u kërkohet testi negativ i COVID-19 kemi një numër më të vogël të turistëve nga tregu europian.

Por tregut shqiptar sërish këtë nuk do t’i mungojnë turistët nga vendet e rajonit, të cilët sipas Cerenishtit parashikohet të ketë një shtim të numrit të tyre.

Një ndër ekspertët e njohur në tregun turistik të vendit Besnik Vathi, në një intervistë për ATSH-në shprehet se “natyrshëm për plazh do të ketë turistë kryesisht nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe 2-3 shtete të Europës Lindore, apo vende të tjera që ndoshta mund të jenë në një situatë më të mirë të pandemisë. Mund të ketë lëvizje individuale dhe burimi kryesor për turistët këtë vit do të jenë shqiptarë që jetojnë jashtë”.
Vathi e vlerëson politikën e ndjekur nga qeveria për vaksinimin masiv, proces i cili, shprehet ai i hapi rrugën sezonit turistik.

“Vaksinimi, ishte dhe është një domosdoshmëri për përmirësimin e situatës në vend. Qeveria e bëri detyrën e vet, e natyrshëm po bëhet gjithnjë e më shumë. Ishte një kusht i domosdoshëm”, deklaroi Vathi.
Për rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë, ai e konsideron të rëndësishëm hapjen e kufijve edhe nga vendet e tjera.

Vathi sjell shembullin e Greqisë që mban të mbyllur kufirin me Shqipërinë, në kushtet kur Shqipëria sot paraqitet shumë më mirë se vendet e rajonit madje edhe më mirë se Greqia për vaksinim e shkallës së infeksionit.

“Greqia i ka hapur kufirin Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe vazhdon të mbajë mbyllur kufirin me Shqipërinë. Në këto kushte detyra e qeverisë shqiptare dhe e Shqipërisë nuk është vetëm të vaksinohet, por të sigurojë hapje të kufijve me vendet e tjera, si në marrëdhëniet dypalëshe edhe në marrëdhëniet shumëpalëshe”, shton ai.

Sipas të dhënave nga INSTAT, katër mujori i parë i këtij viti solli në territorin e vendit 754.796 qytetarë të huaj, nga të cilët mbi 380 mijë qytetarë nga Kosova dhe 120 mijë nga Maqedonia e Veriut.
Turizmi është ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend pasi kontribuon me rreth 10% në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close