Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nga Velipoja në Ksamil

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nga Velipoja në Ksamil

ATSH/-Ka nisur sot në Ksamil e Velipojë shembja e ndërtimeve pa leje.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaron se “operacioni “Bregdeti Ynë” do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit”.
Duke ndjekur operacionin nga Ksamili, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi sot se operacioni “Bregdeti ynë” fillon me moton tolerancë zero për këdo që abuzon me territorin dhe pushton territorin që është pronë e të gjithëve, por edhe për çdo zyrtar që mbyll sytë përballë paligjshmërisë.
Hodaj tha se “ky aksion ishte paralajmëruar edhe nga Kryeministri muajin e kaluar, është një aksion që do zhvillohet nga Ksamili dhe Velipoja dhe do të vazhdojë për të gjithë zonën turistike bregdetare”.
“Zonat turistike janë një pasuri kombëtare, dhe sidomos bregdeti është pasuri e të gjithëve dhe nuk mundet askush që të abuzojë me këtë pasuri”, tha ai.
Hodaj tha se “pretendime nga banorët mund të ketë gjithmonë, por besoj se ka një rrugë administrative dhe një rrugë gjyqësore për ta verifikuar këtë”.
“Të shqetësuar për prishjen duhet të jetë kushdo që ka bërë ndërtim pa leje, apo ka abuzuar me çdo metër katror tokë që është pasuri publike. Nuk di, në dijeninë time të ketë pasur përplasje me policinë apo fërkime të çfarëdo lloji. Ka rrugë administrative dhe rrugë gjyqësore për këdo që ka një pretendim për ta sqaruar dhe vërtetuar”, tha ai.

Në fokus të operacionit, sipas tij, “janë të gjitha ato objekte që konsiderohen pa leje dhe këtu kam parasysh dy kategori, si ata që nuk kanë një leje ndërtimi edhe ata që kanë një leje ndërtimi por kanë shkelur kriteret duke shtuar volume apo kate”.

I pyetur se përse aksioni vjen para sezonit, Hodaj tha se “kjo problematikë bëhet më e ndjeshme në fillim të sezonit sepse është edhe momenti i vitit kur edhe tentativat për të uzurpuar pronë publike apo për të shtuar volume e për të dalë nga lejet e ndërtimit janë edhe më të shumta, prandaj detyrimisht që kjo periudhë shfrytëzohet për këtë qëllim”.

“Nuk besoj se sezoni ka filluar tamam dhe besoj se nga volumi i punës dhe nga planet tona brenda 30 qershorit ky aksion do të ketë përfunduar. Nëse do t’i çmontojnë vetë qëllimi është arritur, nëse jo, do të prishen”, tha ai.

Hodaj shtoi se, “në gjithë Ksamilin janë rreth 30 objekte që rezultojnë pa leje dhe puna do të vazhdojë deri në përfundim. Luftimi i paligjshmërisë në territor dhe kthimi i ligjshmërisë në territor është objektivi”.

Lamallari nga Velipoja: Aksioni do të shtrihet në gjithë bregdetin shqiptar

Në një prononcim për mediet nga Velipoja, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se “aksioni ‘Bregdeti ynë’ ka nisur nga Velipoja dhe Ksamili dhe do të vijojë edhe në ditët në vijim për t’u shtrirë më tej në gjithë bregdetin shqiptar, zonë pas zone, objekt pas objekti”.

“Të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje kundër çdo ligji të mundshëm apo kanë shtuar mbi objektet ekzistuese kate pa leje do të ndëshkohen. Ne po ndjekim nga afër gjithë operacionin që vijon dhe do të ketë përgjegjësi si financiare edhe ligjore për të gjithë shkelësit, por edhe ata që kanë lejuar që ne të kemi ndërtime pa leje. Njëherë e mirë do të marrë fund epoka e ndërtimeve pa leje dhe e gjithë maskaradës me bregdetin. Bregdeti është pasuri natyrore që duhet ta gëzojnë gjithë shqiptarët”, tha Lamallari.

Ai theksoi se “kjo është një reformë shtetbërëse për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit dhe pasurisë më të çmuar, natyrës sonë”.

I pyetur nëse ky aksion prish imazhin e turistëve për vendin, Lamallari tha se “nuk mendoj se turistëve u prishet imazhi kur shohin sesi agjencitë ligjzbatuese zbatojnë ligjin”.

“Po flasim për paligjshmëri dhe ligji duhet zbatuar në çdo kohë, si në sezonin veror ashtu edhe në tetor. Ndoshta është pak më e ndjeshme në sezonin veror, por këto janë çështje që duhen zbatuar çdo ditë dhe ky është mesazhi më i qartë që ne i përcjellim jo vetëm turistëve, por çdo qytetari shqiptar, çdokujt që mendon se mund të ndërtojë në Shqipëri. Duhet ta bëjë këtë sipas rregullave dhe ligjit, në çdo kohë, qoftë në sezon turistik, apo në periudhën e dimrit. Këtu mbizotëron vetëm ligji”, shtoi Lamallari.

Ai tha se “për çdo shembje që do të kryhet kërkohet angazhimi i shumë institucioneve në nivel qendror dhe vendor, për çdo rast është shqyrtuar dokumentacioni, nxirren dhe përgjegjësitë përkatëse dhe çdo gjë duhet bërë sipas ligjit”.

“Përgjegjësia është atyre që kanë shkelur ligjin duke mos respektuar procedurat për marrjen e lejeve, apo edhe ato që kanë toleruar shkelësit e ligjit. Po vijohet dhe me evidentimin e personave që duhet të reagonin dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Kjo punë që vijon dhe nxirren përgjegjësitë ligjore të personave që nuk kanë vepruar ashtu si duhej vepruar”, tha Lamallari.

Ai theksoi se “ky operacion nuk ka kthim pas dhe do t’u japë shqiptarëve atë që meritojnë, të pushojnë në mënyrë sa më dinjitoze”.

I pyetur lidhur me mungesën e autoriteteve vendore të Shkodrës gjatë operacionit në Velipojë, Lamallari tha se, “bashkëpunimi me të gjithë aktorët është i nevojshëm për të bërë të mundur zbatimin e ligjit që të bëjmë një operacion sa më efektiv në të gjithë territorin. Këtu kërkohet bashkëpunimi i të gjithë autoriteteve vendore. Njoftimi ka qenë publik pak ditë më parë dhe të gjithë kanë marrë dijeni”.

CATEGORIES
Share This
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close