Detyrat e vështira për Bidenin në turneun evropian

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën (9 qershor) niset për Evropë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Turneu i tij tetëditor përfshin një sërë takimesh në kuadër të samitit të G7-s, pastaj bisedime me partnerët evropianë dhe të NATO-s, si dhe një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Përmirësimi i raporteve transatlantike dhe diskutimi i mosmarrëveshjeve me Rusinë pritet të jenë çështjet kyç të kësaj vizite.

Udhëtimi shihet edhe si një provë e aftësisë së presidentit Biden për të menaxhuar dhe përmirësuar raportet me aleatët kyç të SHBA-së, të dëmtuara ndjeshëm gjatë udhëheqjes së paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e kishte tërhequr SHBA-në nga traktatet ndërkombëtare dhe kishte vendosur tarifa tregtare ndaj aleatëve, raporton Reuters.

Presidenti Biden në një opinion të publikuar në Washington Post, para nisjes për në Evropë ka thënë:

“A do të dëshmojnë institucionet, aleancat demokratike aftësinë e tyre kundër kërcënimeve dhe kundërshtarëve të ditëve moderne? Unë besoj se përgjigjja është po. Dhe këtë javë në Evropë, ne kemi mundësinë ta dëshmojmë atë”.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan u tha gazetarëve se Biden shpresonte që takimet e tij të G7-s dhe NATO-s do të forcojnë një ndjenjë të unitetit mes aleatëve para takimit të tij me Putinin.

“Në samitin e SHBA-BE, presidenti dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të fokusohen në përafrimin e pikëpamjeve ndaj tregtisë dhe teknologjisë në mënyrë që demokracitë dhe jo dikush tjetër, Kina ose autokracitë e tjera, të diktojnë rregullat për tregtinë dhe teknologjinë në këtë shekull”, ka thënë Sullivan.

Biden do të bëjë ndalesën e tij të parë në fshatin bregdetar të Shën Ives në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar, ku ai do të marrë pjesë në samitin e G7-s (vendeve më të industrializuara të botës: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia).

Në këtë takim do të diskutohet për pandeminë e koronavirusit, tregtinë, çështjet klimatike dhe një iniciativë për rindërtimin e infrastrukturës në botën në zhvillim.

Zyrtarët amerikanë e shohin këtë si një përpjekje për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të Kinës.

Biden mund të përballet me presion për të bërë më shumë në shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit me vendet e tjera.

Biden do të ketë një takim me kryeministrin britanik, Boris Johnson të enjten në Kornuall, si një mundësi për të forcuar “marrëdhëniet e posaçme”, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Pas tre ditësh të samitit të G7-s, Biden dhe gruaja e tij Jill do të vizitojnë Mbretëreshën Elizabeth në Kështjellën Windsor.

Hera e fundit që 78-vjeçari Biden u takua me Mbretëreshën ishte në vitin 1982, kur ai ushtronte pozitën e senatorit.

Nga atje, Biden do të fluturojë për në Bruksel për samitet me BE-në dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Agjenda e bisedimeve pritet të dominohet nga Rusia, Kina dhe çështja shumëvjeçare në lidhje me kontributet financiare të vendeve aleate ndaj NATO-s.

Një takim i ndjeshëm në kuadër të samitit të NATO-s, pritet të jetë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Biden e ka inatosur Erdoganin, një aleat i Trumpit, duke theksuar situatën e rëndë të të drejtave të njeriut të Turqisë dhe duke njohur gjenocidin e Perandorisë Osmane kundër armenëve. Uashingtoni rrezikon “të humbasë një mik të çmuar”, ka paralajmëruar Erdogan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit të martën se Turqia shpesh “nuk po vepron siç i takon si një aleat i NATO-s”, por Uashingtoni ka “interes të vazhdojë përpjekjen për ta mbajtur Turqinë të afërt me Perëndimin”.

Samiti i Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës, po vlerësohet të jetë si një gurthemel i këtij udhëtimi. Pasi ky takim mund të jetë një mundësi për të ngritur shqetësimet e SHBA-së për sulmet kibernetike, agresionin e Moskës kundër Ukrainës dhe një mori çështjesh të tjera.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk presin shumë nga takimi, megjithatë Shtëpia e Bardhë e sheh zgjatjen e traktatit të ri të armëve bërthamore START, si një shembull se “ku mund të bëhet biznes”.

Biden gjithashtu ka nevojë për Kremlinin për të bërë përparim me Iranin, i cili është i afërt me Rusinë.

Lista e tensioneve, megjithatë, është shumë më e gjatë.

Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit – JBS.

Biden gjithashtu do të bëjë presion mbi Putinin në lidhje me situatën në Ukrainë, burgosjen e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny dhe mbështetjen e Alyaksandr Lukashenkas në Bjellorusi.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se gjatë shërbimit me dekada në Senat dhe tetë vjet si nënpresident i SHBA-së, presidenti Biden ka “bërë detyrat e shtëpisë”./rel

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close