Kryeministri Rama: Mini-shengeni projekt strategjik për rajonin, kemi përkrahjen e BE-së

Kryeministri, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria mbetet e palëkundur në qëndrimin se projekti që po njihet si ‘mini-shengen’ është strategjik dhe me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për rajonin.

Këto deklarata ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media me komisionerin evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Tiranës, i cili mblodhi në Tiranë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rama përmendi edhe takimin e 5 korrikut në kuadër të Procesit të Berlinit, për të cilin tha se do të jetë i fundit i atij formati.

“Mbesim të palëkundër në qëndrimin se projekti që njihet si mini-shengen është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale e politike për rajonin dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij visioni me BE-në është e plotë. Ne shpresojmë që procesi i Berlinit të kalojë në duart e Bashkimit Evropian, me dëshirën që takimi i 5 korrikut në kuadër të këtij procesi, të jetë i fundit në formatin e deritanishëm dhe ai i vitit të ardhshëm të bëhet në një format nën kujdesin e Komisionit Evropian, me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së. Kjo është ambicie që e ndajmë plotësisht me komisionerin. Nëse ne bëjmë hapa në drejtim të njëjtësimit të lirive të BE-së, ideja është që këta hapa të na njihen edhe në BE, qoftë në aspektin e tregtisë, të qeverisjes, të të dhënave dhe mundësive” ka thënë Rama.

Tutje, ai përmendi marrëveshjen bilaterale që Shqipëria ka arritur para pak ditësh me Hungarinë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në periudhën post-CoViD.

“Siç e dini, para dy ditësh edhe me Hungarinë, në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrime ekstra, pa teste, histori e gjëra të tilla, vetëm pse nuk jemi anëtarë të BE-së. Sot komisionerit i janë paraqitur kërkesat e të gjitha vendeve të Ballkanit që karta e gjelbër digjitale e qytetarëve të vendeve të rajonit tonë të njihet në gjitha hapësirat dhe të lëvizim lirshëm si qytetarë të BE-së”, tha Rama tutje.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close