Shkarkimi i Dakës, “goditje ndaj KQZ-së”, thotë opozita

Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për të shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është goditje e rëndë ndaj një institucioni të pavarur dhe shkelje e Kushtetutës.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetes, Blerta Deliu Kodra, tha se vendimi i presidentes është sulm ndaj KQZ-së dhe “kapje” e këtij institucioni, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vjeshtë.

“Veprimi i presidentes përbën shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje flagrante në institucionet e pavarura kushtetuese të vendit”, tha deputetja Deliu-Kodra në një konferencë për media.

Ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka thënë se “me shqetësim të madh e ka pritur vendimin e sotëm të presidentes për ndërprerjen arbitrare të mandatit të Kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

“Vendimi, për më tepër, rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, në prag të të cilave është Kosova. KQZ-ja, në këtë periudhë përgatitore ka pasur nevojë për stabilitet institucional. Ky stabilitet është cenuar. Prandaj, si i tillë, vendimi i sotëm është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë në vendin tone”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Presidentja Osmani përmes një njoftimi bëri me dije se e ka liruar nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin, kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Disa organizata joqeveritare në Kosovë e kanë kundërshtuar vendimin e presidentes Osmani.

“Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”, thuhet në reagimin e organizatave Demokracia në Zhvillim, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ai për Studime Politike, Lëvizja Fol, Organizata Nëna Tereze, Çohu, Syri Vizionit, Demokracia Plus, INDEP dhe INPO.

Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close