SHKATHTËSIA E RAPSODIT LAB

Dikur, në fund të shekullit të 19-të, dijetari ynë i madh Sami Frashëri, në librin e tij të madh “Fjalor i Gjeografisë dhe Historisë…” përshkruan vise e grupe popullsie të vendit tonë. Thotë për ta edhe tipare të veçanta dalluese. Kështu përshkruan labët e Vlorës. Midis të tjerash thotë se “Labët kanë të theksuar aftësinë e thurjes në çast të vargjeve e këngëve. Kjo është një aftësi e tyre e veçantë”.
Duke studiuar sythe të veçanta tematike të folklorit lab, m’u radhitën vargjet e disa rapsodëve të rrethinave të Vlorës. Dhe pikërisht në këtë evidentim tiparesh të tyre, për të cilat bënte fjalë Rilindësi.
Veçova përgjigjet e çastit të tre rapsodëve, ose thjesht vargëzuesve, nga fshatrat Smokthinë, Dukat e Tragjas.
Nga Smokthina, A.M., në muajt e fundit të Luftës Çlirimtare, këndoi, natyrisht fshehurazi, me disa shokë të tij, këto vargje:
O flamur, more flamur,
Të kemi patur qëkur
Pesëqind vjet e kusur…
Këto vargje ishin të rapsodëve të famshëm të Bratit, Selim e Mato Hasani, por A.M. shtoi vargjet:
O flamur të mbuloi zia
Që kur të vuri yllin Partia…
Vargjet bënë bujë, sepse ishin kundër Partisë. Lajmi vajti te drejtuesi i luftës në krahinë, më pas udhëheqës shteti. Thonë se e thirrën A.M. I thanë se ke kënduar këto vargje, që… cënonin Partinë! A. u përgjigj menjëherë:
-Jooooo, unë nuk i kam thënë ashtu ato fjalë.
-Po si?- i thanë.
-I kam thënë kështu:
O flamur të mbuloi zia,
Që kur erdhi Italia,
Të vu sëpatat e ti-a
Po do t’i heqë rinia!
Të pranishmit vunë buzën në gaz, po ashtu edhe Udhëheqësi i luftës.
-Kështu po,- i thanë dhe nuk e shtynë më tej hetimin e tyre.
Rasti i dytë.
Rapsodi i njohur nga Dukati (A.V.) i thuri disa vargje udhëheqësit të luftës në Vlorë (H.K.). Kënga fliste për gabimin që bëri udhëheqja partizane, për goditjen që i bëri fshatit të Dukatit. (Ngjarja dihet historikisht, por këtu është fjala për rapsodin). Rapsodi këndoi:
Hysni Kapo, Hysni nuri,
Me Dukat sherrin e zuri,
Ju duk koqe fike muri,
Po kish zot palo-hauri…
Sigurisht, kënga u përhap, por edhe u tkurr më vonë, në kujtesën e brezave, për shkak të pushtetarëve. Pas çlirimit, ish Udhëheqësi i luftës, H.K., tashmë në krye të shtetit, erdhi në Vlorë e Dukat. Në fund të bisedave që pati me përfaqësuesit e fshatit, kujtoi edhe rapsodin:
-Këtu është filani, ai rapsodi që më këndoi mua atë këngën gjatë luftës?
-Këtu,- i thanë.
-Hajde këtu,- i tha Udhëheqësi.
A.V. erdhi. Natyrisht pak i trembur se… Dihej turri komunist. Po Udhëheqësi i luftës ishte i njohur për tolerancën e tij.
-Pa këndoje edhe një herë atë këngën për mua, -i tha rapsodit.
-Cilën këngë?- bëri sikur s’e kuptoi ky.
-Atë “Hysni Kapo, Hysni nuri”.
-Aaaaaa, jooo,- iu përgjigj flakë për flakë rapsodi i zgjuar.- Këndova atëherë, por tani e them ndryshe.
-Si?- ia priti H.K.
-Lule Hysni Kapua,
Që në Kotë e Llogora,
E bëje një orë e ca,
Me djersë në shpatulla !
Dhe rapsodi buzëqeshi. Buzëqeshën të gjithë të pranishmit. Buzëqeshi edhe Udhëheqësi. Dhe e përqafoi rapsodin.
Rasti i tretë:
Aty nga vitit 70-të (shek. i kaluar), rapsodin M.B., nga Tragjasi, e pyetën për gjendjen në kooperativë. Ky veç me vargje dinte të përgjigjej:
Kooperativa Tragjas,
Rrofsh, moj rrofsh, e më lënç pas,
Na bëre barkun dërras’ !…
-Kaq kisha, tha ai, dhe nuk foli më. Po llafi mori dhenë, siç thotë populli. Vajti informimi në Komitetin e Partisë. Erdhën të deleguarit. E takuan M.B. Me ton kërcënues, i thanë:
-Ke thënë nja dy llafe për kooperativën!
Pas tonit të tyre hakërrues, rapsodi e dinte se ç’e priste. Partia të bënte gjëmën.
-Ç’ llafe?- u tha, sikur s’ dinte gjë.
-Po ja, ato “Rrofsh, moj rrofsh…”
-Aaaaa, unë s’ kam thënë ashtu, – ylberoi në fytyrë rapsodi. -Kam thënë të tjera.
-Çfarë??
-Kooperativa Tragjas,
Rrofsh, moj rrofsh, të lënça pas,
Për rezultatet pa mas’ !
-Kështu po,- thanë punonjësit injorantë të kohës, të cilët nuk e kuptuan sarkazmën e rapsodit të zgjuar. Nuk e nganë më këtë problem.
… Mu kujtua Rilindësi i madh, Samiu, i cili , megjithëse larg vendit të vet, i dinte e i njihte aq mirë cilësitë e banorëve të krahinave të Shqipërisë: “Labët kanë dhuntinë e thurjes së vargjeve në çast”. Pra, jo vetëm të pak banorëve, por në përgjithësi të këtij populli kaq të talentuar. Dhe rapsodë të veçantë qëndisnin vargje, pas çdo ngjarje, të vogël apo të madhe, në këto zona kaq epike./Idajet Jahaj

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close