Raisi në favor të marrëveshjes bërthamore, por kundër takimit me Bidenin

Presidenti i zgjedhur i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se i mbështet bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të vitit 2015 – e cila rregullon programin bërthamor të Republikës Islamike – por e përjashtoi mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta me presidentin amerikan, Joe Biden.

Në fjalimin e tij të parë prejse i ka fituar zgjedhjet javën e kaluar, Raisi tha se edhe nëse Uashingtoni i heq të gjitha sanksionet kundër Iranit, ai nuk e ka ndërmend të takohet me Bidenin.

“Ne i mbështesim negociatat që garantojnë interesat tona kombëtare… Amerika duhet t’i kthehet menjëherë marrëveshjes dhe t’i përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes”, tha Raisi.

“Çdo takim duhet të prodhojë një rezultat për kombin iranian”, theksoi ai.

Raisi, nga linja e ashpër politike, ka fituar afro 62 për qind të votave në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ai do ta marrë detyrën e presidentit në fillim të gushtit, duke zëvendësuar Hassan Rohanin, i cili ka shërbyer dy mandate radhazi.

Rohani ka qenë arkitekt kryesor i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila ka kufizuar aktivitetin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe kanë filluar të vendosin sërish sanksione financiare kundër Iranit.

Në përgjigje, Teherani i ka shkelur kushtet e marrëveshjes.

Kjo ka bërë që nënshkruesit e tjerë të saj, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, të punojnë me Bashkimin Evropian, për ta rikthyer SHBA-në.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close