Gresa Caka-Nimani solemnisht merr detyrën e Kryetares së GJK-së

Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, Arta Rama – Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, Gresa Caka – Nimani.

Në fjalimin e saj përshëndetës, znj. Rama – Hajrizi foli për sfidat e përballura dhe të
arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni, me
ç’rast përveç gjyqtarëve falënderoi edhe të gjithë stafin e Gjykatës për bashkëpunimin
dhe për punën e tyre të palodhur, duke theksuar se, “vetëm me përkushtimin dhe
punën e përbashkët Gjykata arriti të kalojë me sukses të gjitha sfidat, duke filluar me
tranzicionin nga përbërja e përzier ndërkombëtare në atë vendore, përmirësimin e
dukshëm të kualitetit të vendimeve dhe arsyetimeve të shkruara, rritjen e integritetit
dhe respektit të publikut ndaj Gjykatës, dhe çka është më e rëndësishmja,
konsolidimin e rolit burimor të Gjykatës, e që është mbrojtja e frymës së Kushtetutës,
e sistemit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Republikës së
Kosovës”. Tutje ajo rikujtoi se, “përmes vendimeve që kemi marrë jemi vlerësuar si
një prej gjykatave më të mira në rajon dhe, si rrjedhojë, kemi arritur të forcojmë
bashkëpunimin me gjykatat e tjera, partneritetin me Komisionin e Venecias,
bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe me Gjykatën Evropiane për
të Drejtat e Njeriut”.

Në fund, znj. Rama-Hajrizi shprehu bindjen se nën udhëheqjen e kryetares
Caka–Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të
ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me
standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.

Pas pranimit ceremonial të detyrës, kryetarja Caka-Nimani nënvizoi rëndësinë e
pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e
kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin
e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive
themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu vuri theks
edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e
Gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e
mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës. Duke folur në emër të të gjithë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Gjykatës, kryetarja Caka-Nimani e falënderoi znj.
Rama-Hajrizi për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë mandatit të saj si
gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese për dy mandate, në rritjen e
standardeve të gjykimit dhe të cilësisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe
për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në mbrojtjen e pavarësisë institucionale të
Gjykatës.

Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani,
është tri vjet.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close