Çfarë na mëson fundi i Jugosllavisë

Më 26.06.1991 filloi lufta, që shkatërroi Jugosllavinë. Sot shtete të tjera multietnike dhe organizime të ngjashme me formën e shtetit gjenden para sfidave të tilla si shteti multietnik para shpërbërjes së tij.

A ia ka vlejtur? Një dekadë me luftëra? Arratisje, dëbime? Jo, do të thoshin shumica e qytetarëve të shtatë shteteve pasardhëse të Jugosllavisë, sikur të pyetej një kolektiv përfaqësues i tyre, qoftë ndër të moshuarit, që e kanë përjetuar atë ngjarje, qoftë ndër të rinjtë, që nuk njohin asgjë tjetër përveç periudhës postjugosllave.

Por një kolektiv i tillë nuk ekziston. Nuk ka më shoqëri jugosllave, që të përfaqësohej prej tij. Nëse pyet sot njerëzit në ish-republikat e veçanta, përgjigja është shumë e ndryshme. Vetëm në Slloveni kujtesa lidhur me shtetin multietnik për shumicën e njerëzve është e relaksuar. Ka qenë ok, fare mirë, për disa gjëra të vjen keq, por në fund nuk shkonte më. Kjo është formula më e përhapur atje. Por a ka qenë me të vërtetë ok?

Ndër shqiptarët e Kosovës nuk ka pothuajse fare “nostalgjikë të Jugosllavisë”. Kujtesa e dekadës së fundit të shtetit është tepër traumatike. Në Kosovë deri në vitin 1999 nuk kishte luftë, por terror policor. Nga ana tjetër rënia e Jugosllavisë vajtohet haptas nga shumë bashkëkohës në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë , Mal të Zi dhe madje në Kroaci, edhe pse jo hapur apo pas gotës së tretë të birrës.

Në një sondazh të gjerë, zhvilluar më shumë se dhjetë vjet pas pavarësisë dhe luftës, shumica e cilësoiJosip Brozin”Titon”, figurën kryesore të shumëpërfolur të Jugosllavisë, si kroatin më të madh të të gjitha kohërave. Përpjekja për t’ia ndërruar atij vendin me babanë e pavarësisë së Kroacisë në 1991, Franjo Tuxhman, nuk gjeti me të vërtetë pranim. Stipe Mesiç, presidenti i dytë i vendit pas pavarësisë, e pati titulluar me krenari librin e tij të kujtesës: “Si e shkatërruam ne Jugosllavinë”. Kjo nuk u prit mirë. Në botimin e dytë e njëjta vepër u quajt: “Si u shkatërrua Jugosllavia”.

Diversteti nuk ishte problemi

Krimbin e shkatërrimit vendi e mbante prej kohësh në vetvete. Diversiteti kulturor i banorëve nuk ishte problemi – kombe të tjera, nga India në Zvicër deri në vendet e emigracionit si SHBA ia dalin të jetojnë me dallime shumë më të mëdha. Problemi është si të veprosh me to.

Në “Jugosllavinë e parë” të periudhës mes dy luftërave botërore (1918-1941) parulla ishte që dallimet kombëtare, konfesionale apo kulturore të injoroheshin sa më shumë. Ndodhi e kundërta e asaj që dëshirohej: meqë dallimet nuk duhej të përbënin problem, shumica relative, ajo serbe, u imponua më fort.

Marrja në konsideratë nga komunistët

Pas sulmit nga Gjermania naziste dhe më vonë luftës civile të viteve 1940 me ngjyrim të fortë etnik, komunistët u betuan të mos përsërisnin gabimin e vjetër. Në “Jugosllavinë e dytë” (1943-1991) u morën në konsideratë me vetëdije identitetet e vjetra kombëtare – dhe të rejat u stimuluan, si ato të maqedonasve, boshnjakëve dhe së fundmi edhe të romëve.

Për aq kohë sa identiteti kombëtar i bazuar në modelin sovjetik kuptohej si folklor dhe e vetmja përgjegjëse për politikën ishte partia e bashkuar komuniste, ky sistem funksiononte. Por kur komunizmi u bë gjithnjë e më i diskutueshëm, kur demokracia parlamentare u dëshmua superiore në nivel botëror, dhe kur në fund u zbeh edhe miti i luftës partizane, përkatësitë kombëtare morën gjithnjë e më shumë kuptim politik.

Përkatësi etnike në vend të demokracisë

Pozicionet, vendet e punës, burimet financiare, autostradat, vendndodhjet e ndërmarrjeve prodhuese – për gjithçka në Jugosllavinë socialiste respektohej “çelësi” etnik. Vendimet e shumicës ndaloheshin, sepse një kombësi ishte gjithmonë më e fortë se tjetra. Gjithçka synonte ekuilibrin optimal. Por ekuilibri ishte në gjendje të mbahej vetëm si jo i qëndrueshëm. Kur gjërat filluan të rrëshqasin, si në Kroaci në fillim të viteve 1970, Tito ndërhyri dhe i futi brenda ata që prishën qetesinë.

Pasardhësit të mundshëm të Titos, arbitrit të madh, i duhej të kishte qenë një kryqëzim i arritur i paraardhësve nga të gjitha kombësitë jugosllave. Një të tillë nuk kishte. Në presidiumin tetë anëtarësh, që duhej të merrte përsipër këtë rol, vendimet me shumicë qenë formalisht të mundshme. Por kur një komb kalohej me vota nga të tjerët, gjithmonë vihej menjëherë në pikëpyetje ekzistenca e shtetit. Kur Sllobodan Millosheviçi, “presidenti serb i reformave”, siç u konsiderua fillimisht, injoroi me “bllokun e tij serb” kujdesin dhe konsideratën e nevojshme, shtetit i erdhi vërtetë fundi.

Ndarja si pasojë logjike

Jugo-nostalgjikët ngrenë sot përsëri në qiell modelin e shtetit multietnik si një shembull; ata thonë se vendi është shkatërruar ose nga vendet e huaja armiqësore ose nga politikanët dashakëqinj. Por një shoqëri, që shpërndan pasurinë dhe pushtetin e vet sipas kuotave etnike, nuk duhet të çuditet, kur konfliktet midis grupeve etnike dominojnë gjithçka. Ndarja ishte në fund pasoja logjike. Njerëz qëllimkëqinj, që e çuan projektin drejt një fundi të përgjakshëm, si kudo tjetër në botë nuk mungonin as në Jugosllavi.

Kjo nuk do të thotë, që Jugosllavia nuk ka pasur kurrë një shans. Në fund të viteve 1960, kur thuajse kudo në botë ekzistonte një frymë optimizmi, edhe në Jugosllavi të rinjtë luftuan për vlerat liberale. Shumica e tyre u morën kryesisht me barazinë qytetare, jo me barazinë kombëtare. Por garda e vjetër në pushtet, me Titon në krye, nuk dëshironte të guxonte më shumë demokraci. Në vend të kësaj ajo vendosi të balancojë ekuilibrin etnik edhe më fort se më parë. Në fund të gjithë u ndien të shfrytëzuar nga të gjithë. Dhe të gjithë me të drejtë.

Jugosllavia nuk do të ekzistojë më kurrë. Por vende të tjera multietnike dhe organizata të ngjashme me formën e shtetit po përballen me sfida të ngjashme me ato të shtetit multietnik para shembjes së tij. Arsye e mjaftueshme kjo, që duke shikuar pas, të evitosh çdo shfaqje arrogance.

Norbert Mappes-Niediek punon prej 30 vjetësh si korrespondent për Evropën Juglindore për mediat gjermane. Libri i tij i ri “Qielli i ndarë i Evropës. Pse Perëndimi nuk e kupton Lindjen” u botua më 15 shkurt 2021 nga shtëpia botuese Christoph Links, Berlin.

  • Data 26.06.2021
  • Autor Norbert Mappes-Niediek

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close