Ministrja Gërvalla: Kosova është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, po merr pjesë sot në takimin e Koalicionit Global Kundër Daesh (ISIS/ISIL), që po zhvillohet në Romë të Italisë.

Kjo po ndodhë në prani të sekretarit amerikan të Shtetit, z.Antony Blinken; nikoqirit të takimit, ministrit të Jashtëm të Italisë, z. Luigi Di Maio; sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z.Jens Stoltenberg; përfaqësuesit të Lartë të BE-së, z. Josep Borell, si dhe zëvendëskryeministrave dhe ministrave nga e gjithë bota.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla ka theksuar para homologëve të saj dhe përfaqësuesve diplomatik nga e gjithë bota, se Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të suksseshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit global.

Gërvalla ka nisur fjalimin e saj duke kthyer në vëmendjen e të pranishmëve faktin që shtetësia e Kosovës erdhi pas përjetimit të luftës dhe gjenocidit kundër popullatës civile, e cila u shpëtua vetëm falë një koalicioni të kombeve të civilizuara. Ajo theksoi që ky fakt është i rrënjosur thellë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.

“Si një vend i vogël me vetëm 1.9 milion banorë, jemi krenarë që jemi një partner i qëndrueshëm në këtë koalicion global. Kosova është një vend me një popullsi kryesisht myslimane. Por harmonia dhe toleranca jonë ndërfetare janë pjesë e identitetit tonë që prej shekujsh. Të shohësh një kishë dhe një xhami që ndajnë të njëjtin oborr, në Kosovë nuk është asgjë e jashtëzakonshme”.

Marrë në konsideratë këtë trashëgimi, Gërvalla ka thënë se kur disa shtetas të Kosovës kishin nisur t’i bashkoheshin ISIS-it, institucionet e vendit kishin reaguar menjëherë. Ajo ka shpjeguar masat e ndërmarra për t’i mbajtur përgjegjës ata që kishin kryer krime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë ka theksuar edhe përkushtimin institucional për të riintegruar të gjithë të kthyerit.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta. Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre.

Për më tepër kemi krijuar programe për de-radikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar gjithashtu kontributin përmes prezencës së trupave kosovare në këtë koalicion. “Jemi shumë krenarë të kontribuojmë në këtë koalicion që nga ky vit me një numër simbolik të trupave tona. Falënderojmë Kuvajtin për mikpritjen dhe trupat amerikane për mbështetjen e ofruar për ushtarët tanë të guximshëm, si në rrafshin profesional ashtu edhe në atë personal”, ka shtuar ndër të tjera Gërvalla.

Gërvalla ka siguruar që Kosova do të mbetet një partner serioz i koalicionit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close