Deti i Zi – Zonë e rritjes së konfliktit Rusi-Perëndim

Para një manovre ushtarake në Detin e Zi, Rusia ka përdorur për herë të parë municionin për të kërcënuar një luftanije të NATO-s. Konfrontimi i ri mes Rusisë dhe Perëndimit po shkallëzohet.

Granata ruse dhe bomba kundër një luftanijeje britanike. Më pas manovra ushtarake e përmasave të mëdha “Sea Breeze” nën udhëheqjen e SHBA dhe Ukrainës, ku merr pjesë gjysma e vendeve anëtare të NATO-s. Deti i Zi, që për një kohë të gjatë në këndvështrimin gjeopolitik luante një rol dytësor, tani është kthyer në kryetitujt  e mediave botërore. Aktualisht ai është rajoni më i rrezikshëm në konfrontimin e ri mes Rusisë dhe Perëndimit, ku nuk përjashtohen më edhe përplasje direkte ushtarake mes palëve. Këtë e tregoi edhe incidenti me luftanije britanike “HMS Defender” javën e shkuar.

Luftanija, e cila ndodhej në itinierarin nga porti ukrainas, Odesa në Gjeorgji, kaloi nëpër ujërat detare ukrainase para Gadishullit të Krimesë, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare një veprim legal. Ushtria ruse u përpoq të nxirrte nga kursi luftanijen britanike, sepse që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, Rusia pretendon, se jo vetëm Krimeja është territor rus, por edhe territoret detare ukrainase përreth – një pretendim që shkel të drejtën ndërkombëtare.

Ishte hera e parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, që Rusia veproi me vetëdije me armë kundër NATO-s dhe testoi me këtë rast edhe vendosmërinë e aleancës transatlantike për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare në ujërat detare. Vërtet në këtë incident nuk pati as të lënduar e as dëme, por nga Moska u bë e ditur, siç u shpreh edhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov, se në të ardhmen Rusia do të sulmojë ushtarakisht shkelësit e ujërave territoriale të saj, nëse paralajmërimet nuk mjaftojnë.

Zonë e ndërmjetme kundër Perëndimit

Në manovrën ushtarake “Sea Breeze” një skenar i tillë mund të bëhet realitet. 32 vende marrin pjesë në manovrat ushtarake, përfshirë vendet përreth Detit të Zi, përjashtuar Rusinë, 5000 ushtarë, 32 luftanije, 40 avionë luftarakë, 18 komando speciale. Kjo manovër zhvillohet nga viti 1997, por këtë vit është më e madhja. Ende nuk dihet, nëse trajnimet do të zhvillohen edhe në territore detare të pretenduara nga Rusia para Krimesë, apo të paktën në afërsi të saj.

Por ajo që duket për momentin më shumë si matje forcash, në realitet është një konflikt shumë më i thellë dhe serioz. Rusia pretendon tradicionalisht të drejtën politike dhe ushtarake në rajonin e Detit të Zi – si qasje në Mesdhe dhe vatrat e tjera të konflikteve në Lindjen e Afërt apo Afrikën Veriore por edhe si zonë të ndërmjetme kundër Perëndimit. Viktimat më të mëdha të kësaj politike janë Ukraina dhe Gjeorgjia, që duhet t’i paguajnë me mijëra jetë njerëzish luftërat që janë iniciuar, janë zhvilluar nga Rusia apo nga aneksimet e territoreve të tyre. Nuk ka shpresa, që atyre do t’u kthehen shpejt këto territore.

Pirateri shtetërore

Rusia përdorkundër këtyre vendeve mjete të piraterisë shtetërore dhe pengmarrjen: Kështu në nëntor 2018 u mbajtën në arrest 24 marinarë ukrainas, anijet e të cilëve nga ana e së drejtës ndërkombëtare, tërësisht legalisht, po kalonin ngushticën e Kertshit mes Krimesë dhe tokës ruse. Rusia e ndali anijen dhe e konfiskoi me dhunë. Të prekura janë edhe vende të tjera, me përjashtim të Turqisë, me të cilën Rusia ka interesa strategjike më shumë se mosmarrëveshje, pra edhe Bullgaria, Rumania e Republika e Moldavisë, që nuk lidhet drejtpërdrejt me Detin e Zi, por që ka një port të vogël të Danubit jo larg Detit të Zi. Ky vend mbetet i përçarë përmes një konflikti që mbahet gjallë nga Rusia që nga viti 1991.

Deti i Zi si “det rus”

Ish-presidenti rumun, Traian Basescu e kishte paralajmëruar Perëndimin që në vitin 2005 për planet ruse të aneksimit dhe skenarët e luftës në rajonin e Detit të Zi. Në një fjalim në SHBA, Basescu tha: “Deti i Zi trajtohet [nga Rusia] prej shekujsh si një det rus, nuk e keni kuptuar këtë?” Atëherë kjo deklaratë shkaktoi shumë polemika, por brenda një dekade ish-presidenti rumun mori të drejtë. Në Rumani influenca politike ruse është e vogël. Megjithatë në këtë vend historikisht për shkak të politikës së aneksimit rus e sovjetik ka një ndjenjë të të qenurit i kërcënuar. Kjo ushqehet edhe nga prezenca e trupave ruse në Transnistri, pjesën e shkëputur të Republikës së Moldavisë.

Eurofighter i Bundeswehrit në Detin e Zi

Që kjo ndjenjë kërcënimi rritet e tregoi së fundmi edhe një iniciativë e presidentit rumun, Klaus Iohannis së bashku me homologun e tij polak, Andrzej Duda. Gjatë një takimi të shteteve lindore të NATO-s në Bukuresht, të ashtuquajturin samiti B9, të dy krerët e shteteve i bënë thirrje aleancës për më shumë prezencë në rajon. Iohannis paralajmëroi nga “aksionet gjithnjë e më destabilizuese të Rusisë” në rajonin e Detit të Zi.

Më pak e qartë është gjendja në Bullgari, që në kohët e socializmit konsiderohej si republika e 16 sovjetike. Aty Rusia është më prezente si nga ana ekonomike, edhe në sektorin energjitik, të bankave dhe atë të imobilieve. Pjesë të elitës politike mbajnë lidhje të ngushta politike. Por së fundmi marrëdhënia u tendos për shkak të skandaleve të spiunazhit rus dhe disa sulmeve me helm, sipas supozimeve të kryera nga shërbimi sekret rus në këtë vend.

Ndërkohë Gjermania për herë të parë e mbështet ushtarakisht rajonin e Detit të Zi. Bundeswehri nuk merr pjesë në manovrën e “Sea Breeze”, por pas incidentit me luftanijen britanike, aviacioni luftarak gjerman dërgoi dy avionë të tipit “Eurofighter” në afërsi të qytetit rumun Constanta pranë Detit të Zi. Së bashku me Air Force, tha një zëdhënës ushtarak gjerman, Eurofighter do të kryejë misione mbështetëse fluturimi në rajonin e Detit të Zi./dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close