Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri për shëndetin e pushuesve

Inspektoriatet shtetërore të shëndetit të Shqipërisë dhe Kosovës po kontrollojnë qendrat shëndetësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime në zona turistike në Shqipëri. Aktiviteti bashkëpunues vjen për herë të parë dhe synon, sipas dy inspektoriateve, për të siguruar shëndetin e qytetarëve të dy shteteve, gjatë sezonit turistik.

Kryeinspektori i Kosovës Dr. Shaban Osmanaj thotë për Zërin e Amerikës se veprimi përbashkët midis dy inspektoriateve shëndetësore shënon ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit të nisur pas marrëveshjes së përbashkët, nënshkruar pesë vite më parë. Osmanaj thotë se inspektorët po kryejnë veprime konkrete në zonat turistike për të parë kushtet shëndetësore.

“Ky është qëllimi inspektimeve të përbashkëta, për të parë, për të shkëmbyer informacionin, si ofrohet shërbimi, në cfarë kushtesh. Ne këtë projekt e kemi paraqitur bashkarisht këtë vit me homologët shqiptarë për një sezon turistik të shëndetshëm”, tha Osmanaj.

Ndërsa Kryeinspektorja e Shërbimit Shtetëror shëndetësor në Shqipëri, Vjollca Braho thotë se të dy inspektoriatet kanë bartur një barrë të madhe të përgjegjësive në menaxhimin e situatës me COVID-19. Sipas saj ato kanë mundësi të ndihmojnë njëra tjetrën me përvojën e krijuar.

“Ne po vijmë nga një përvojë e vështirë që ka kaluar Shqipëria, Kosova dhe mbarë bota. Ne kemi qenë institucioni që kemi zbatuar të gjitha protokollet të miratuara për pandeminë e coronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe aktet normative të qeverisë shqiptare për të gjitha subjektet që kryejnë shërbime në Shqipëri. Tani jemi në një periudhë kur një pjesë e protokolleve janë lehtësuar, por vëmendja e dy inspektoriateve duhet të jetë e qëndrueshme, sidomos ndaj varianteve të reja të coronavirusit”, tha Braho.

Braho thotë se qendra shëndetësore të reja janë hapur këtë vit në zonat turistike për të qenë në gatishmëri të ndihmës mjekësore.

“Për sezonin turistik nga Ministria e Shëndetësisë janë hapur këtë vit 29 qendra të reja shëndetësore gjatë gjithë vijës bregdetare për të qenë sa më afër pushuesve. Përveç qendrave ekzistuese ky shtim është për të pasur një sezon sa më të shëndetshëm dhe të sigurt për gjithë pushuesit që do vijnë në Shqipëri”, shprehet ajo.

Trupat e inspektimit vlerësojnë se masat për situatën e pandemisë së coronavirusit, ndonëse të lehtësuara, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme ndaj varianteve të reja. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar rastet e para me variantin “Delta” të coronavirusit.Gjatë situatës së pandemisë dhe gjysmës së parë të këtij viti turistët nga Kosova zunë pjesën kryesore të pushuesve, nga jashtë vendit, në Shqipëri. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave vetëm gjatë majit hynë në Shqipëri rreth 144 mijë shtetas nga Kosova, gati dy herë më shumë se njëjta periudhë e vitit 2019, para situatës së pandemisë.

Ndërkohë 5-muajt e parë të këtij viti në Shqipëri vlerësohet nga të dhënat zyrtare se kanë hyrë mbi gjysmë milionë turistë nga Kosova, për të pushuar në zonat turistike shqiptare.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close