Kancelarja Merkel: Është në interesin e BE-së që ta integrojë Ballkanin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se ajo i sheh të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian, për “arsye gjeostrategjike”.

“Është në interesin e vetë BE-së që të avancojë përpara këtë proces”, tha Merkel për gazetarët, pas një konference virtuale me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke lënë të kuptohet në ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por nuk përmendi me emër asnjërën prej këtyre dy shteteve.

Kancelarja Merkel shtoi se bashkëpunimi rajonal, i promovuar që prej vitit 2014, në kuadër të Procesit të Berlinit, tashmë ka arritur sukseset e para, siç është marrëveshja e roaming-ut, që ka hyrë në fuqi më 1 korrik.

Në takimin virtual morën pjesë kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë si dhe liderë të BE-së.

Në video-konferencë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se “qartazi” ka shprehur mbështetjen e tij që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së.

Tre milionë doza të vaksinës për Ballkanin Perëndimor

Kancelarja Merkel po ashtu ka bërë të ditur se Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se këto vaksina do të dërgohen “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ajo po ashtu ka theksuar se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është diçka që nuk është arritur ende, por, siç ka thënë, pritet që shpejt të ndodhë një gjë e tillë.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close