Nga sot fillon aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të drejtë aplikimi për votim kanë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe qytetarët që nuk kanë shtetësi, por që, sipas ligjit, kanë të drejtë shtetësie.

Kosovarët që jetojnë jashtë vendit edhe në zgjedhjet komunale që do të mbahen të dielën e tretë të tetorit do të jenë të parët që do të votojnë. E, për të votuar me postë, nga sot fillon periudha e aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës, ka bërë të ditur për Radio Kosovë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Gjatë kësaj periudhe, nga 10 korriku deri më 18 gusht, për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të aplikojnë shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës. Po ashtu, për t’u regjistruar mund të aplikojnë edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas sipas ligjit për shtetësi”, tha ai.
Ata që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mundë të votojnë përmes postës nga 15 shtatori deri më 15 tetor. Emrat e të regjistruarve për votim jashtë vendit do të largohen nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve, thotë zëdhënësi Elezi, përderisa tregon se ka ndryshuar mënyrën e verifikimit të aplikuesve.

“KQZ-ja do të verifikojë 2% të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme. Gjithashtu do të verifikojë edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm apo në rastet kur në një adresë elektronike përdorët në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm. Të gjitha këto raste, KQZ-ja do t’i verifikojë përmes thirrjeve telefonike”, tha Elezi.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, numri i aplikacioneve të dërguara për votim nga jashtë ishte pak më shumë se 130 mijë, prej të cilëve ishin regjistruar për votim 102 mijë e 100 persona. Për zgjedhjet e 14 shkurtit KQZ kishte aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime, ndërkohë, për arsye të ndryshme kishte refuzuar rreth 22 mijë të tilla.

 

/ Radio Kosova