Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 19 korrik në Bruksel

Takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

Javën e kaluar në Bruksel janë takuar zëvëndëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

As në këtë takim nuk është arritur ndonjë përparim.

Pala serbe insiston që Kosova të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa pala e Kosovës vlerëson se përgjatë dialogut janë nënshkruar një mori marrëveshjesh që nuk respektohen plotësisht nga Serbia, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, kontrollet kufitare, dhe çështje tjera.

Dialogu mes dy vendeve ka nisur më 2011 në Bruksel.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close