Ndërtimi i “Korridorit blu”/ Balluku: Shqipëria hap garën në vjeshtë

ATSH-Maela Marini/ Shqipëria do të hapë në vjeshtë garën për ndërtimin e “Korridorit blu”, një projekt shumë i rëndësishëm ky që nis nga Murriqani, në Kakavijë.

Kështu u shpreh sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila priti në një takim në Tiranë, ministrin për Çështjet e Detit, Transportit dhe Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butković, me të cilin dha edhe një deklaratë të përbashkët për media.

Balluku informoi se në takim është biseduar për të gjitha hapat që do të hidhen në të ardhmen, duke nisur nga projekti më i rëndësishëm që tashmë Shqipëria ka, “Korridori blu”, ndërkohë që Kroacia e ka nisur prej vitesh këtë projekt dhe është drejt përfundimit.

“‘Korridori blu’, ose Korridori Adriatiko-Jonian, përshkon të gjithë anën e Ballkanit Perëndimor që laget nga deti Adriatik dhe ai Jon, duke filluar nga Kroacia në Greqi. Shqipëria ka një pjesë të rëndësishme të këtij korridori, ndaj ne kemi nisur punën gjatë vitit të shkuar, por për shkak të pandemisë dhe problematikave financiare të krijuara nga pandemia ky projekt u stopua për momentin, për të vazhduar shumë shpejt gjatë këtij viti. Menjëherë në vjeshtë ne do të nisim edhe një herë garën për ndërtimin e ‘Korridorit blu’, i cili do të fillojë nga pika hyrëse që lidh Shqipërinë dhe Malin e Zi, nga Murriqani dhe deri në pikën dalëse që lidh Shqipërinë me Greqinë, në Kakavijë”, tha Balluku.

Balluku vlerësoi se “bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë është i hershëm dhe sot janë identifikuar një sërë marrëveshjesh që janë firmosur që në fillim të viteve ’90, për të pasur një bashkëpunim të bazuar mbi marrëveshje të rëndësishme, siç janë ato të transportit ajror, transportit detar dhe transportit rrugor”.

Në fushën e transportit rrugor, Balluku informoi homologun kroat mbi gjithë infrastrukturën moderne që po ndërtohet, apo është në plan të ndërtohet në të ardhmen në Shqipëri, për t’iu përgjigjur edhe kërkesës së madhe të turistëve që tashmë ka vendi.

“Kemi diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e aviacionit civil. Duke qenë se aviacioni civil është një nga industritë më të avancuara e cila u godit rëndë nga pandemia, por që ka filluar të rimëkëmbet. Ne shpresojmë shumë që në një tryezë të përbashkët mes dy vendeve tona të kemi një bisedë të detajuar mbi bashkëpunimin në disa sektorë të aviacionit, duke nisur nga fluturimet direkte Zagreb-Tiranë dhe Tiranë-Zagreb, deri te shkëmbimi i eksperiencës për navigimin ajror, trajnimet e kontrollorëve të trafikut ajror, apo gjithçka tjetër që mund të jetë e vlefshme në këtë fushë midis dy vendeve”, shtoi ajo.

Po ashtu, Balluku tha se me homologun kroat ka diskutuar në detaje se si mund të bashkëpunojmë në fushën e transportit detar. “Kemi diskutuar se si mund të krijohen linja detare nga Durrësi në Zadar, apo nga Durrësi në Rieka dhe anasjelltas dhe se si një pjesë e transportit, për sa i përket eksporteve dhe importeve mund të kryhet nga deti. Po ashtu edhe lundrimet turistike drejt Shqipërisë apo drejt brigjeve të Kroacisë”, tha ajo.

Një çështje me interes për Shqipërinë, sipas saj, është zhvillimi hekurudhor. “Ne kemi një ngjashmëri shumë të madhe me Kroacinë, pasi të gjitha hapat që ne kemi hedhur sot duke filluar nga baza rregullatore, ndryshimet legjislative që ka pësuar i gjithë organizimi i sektorit hekurudhor, është një fazë që shteti kroat e ka kaluar para shumë vitesh dhe me shumë sukses. Ndaj kemi diskutuar mbi mundësitë e përfitimit të fondeve nga BE, për projektet hekurudhore që Kroacia ka kryer me mjaft sukses”, tha ajo.

Balluku kërkoi mbështetje nga ana e ministrisë kroate për shkëmbimin e eksperiencave që mundësojnë edhe mënyrën e hartimit të projekteve, mënyrën e aplikimit apo hapa të tjerë në të ardhmen, duke qenë se sipas saj, “sektori hekurudhor është një nga prioritetet e qeverisë Rama në mandatin e tretë”.

Butković: Pa hekurudha moderne nuk ka zhvillim të ekonomisë, të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë 

Ministri kroat, Oleg Butković e cilësoi takimin e sotëm shumë të suksesshëm, ndërsa nënvizoi gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e këtyre projekteve.

“Ne jemi në dispozicion për të bashkëpunuar, pasi kemi kaluar disa faza, si pagesat për rrugët dhe ndërtimi i hekurudhave, që është një prej sfidave më të mëdha që kemi ne si ministri. Gjatë këtyre viteve ne mund të themi se kemi bërë shumë hapa para në këtë sistem, ndaj jemi në dispozicion që me përvojat tona dhe me ekspertët tanë t’ju ndihmojmë, që të integroheni sa më shpejt në sistemin hekurudhor”, tha ai.

Ministri kroat theksoi se “pa hekurudha moderne, ekonomia jonë nuk mund të zhvillohet”.

“Jam i kënaqur me faktin se si po zhvillohet Shqipëria dhe me çfarë hapash është duke u punuar në këtë drejtim. Unë si anëtar i qeverisë kroate ju siguroj për bashkëpunimin tonë”, shtoi ai.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close