Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit ka marrë një letër nga Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike, ku është shprehur shqetësimi për vonesat e procesit të akreditimit të programeve. Kryetarja e Këshillit, Hasnije Ilazi, bëri të ditur për Radio Kosovën se mbledhja e Këshillit do të mbahet më 27 korrik dhe pritet që të merren vendimet për akreditim. Ajo theksoi se janë brenda kohës optimale për t’u shpallur konkurset për pranimin e studentëve në muajin gusht.

Institucionet e arsimit të lartë në vend kanë shprehur shqetësimin rreth vonesave të procesit të akreditimit të programeve të studimit, pasi kjo po shkakton vonesa edhe në procese të tjera, e veçanërisht në shpalljen e konkurseve për pranimin e studentëve të rinj. Ndërkohë, Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike, i është drejtuar Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, duke shprehur shqetësimin për këto vonesa. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetarja e Këshillit, Hasnije Ilazi, e cila bëri të ditur se mbledhja me anëtarët e Këshillit, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët do të mbahet më 27 korrik, ku pritet të dalë edhe vendimi për akreditimin e programeve dhe ato institucionale.

“Të gjithë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë duke përfshirë edhe ata ndërkombëtarë, kanë konfirmuar mundësinë e tyre për të marrë pjesë në takimin më 27 korrik. Ne kemi marrë një letër nga Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesat në akreditimin e programeve. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë të cilat mund të shfaqen për institucionet, jo vetëm për hapjen e konkurseve, por edhe për fillimin e vitit të ri akademik. Shpresojmë që ende është koha optimale, nëse ne përfundojmë këto programe, të cilat janë të mbetura me muaj, pasi Bordi është jo funksional për shkak të mungesës së anëtarëve dhe tani ky material me 239 programe, ka qenë një nga arsyet që s’kemi mundur të marrim vendime deri tani.”
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Hasnije Ilazi, mendon se ende është koha optimale që konkursi për pranimin e studentëve të rinj të shpallet gjatë muajit gusht. Ajo u bëri thirrje të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, publike e private të cilat janë në proces të akreditimit, të mos shpallin konkurse deri sa të dalin rezultatet e akreditimit.

“Apeloj në të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë të cilat janë në proces të akreditimit, qoftë institucionet publike e veçanërisht institucionet private, që të mos paragjykojnë vendimin e KShC-së bazuar vetëm në rekomandimet e ekspertëve dhe të mos hapin konkurse para se të marrin vendimet përfundimtare.”
Ndërkohë, drejtuesit e universiteteve kanë bërë të ditur se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e konkurseve për pranimin e studentëve të rinj. Sipas tyre, vonesat në akreditimin e programeve studimore, që shtynë edhe shpalljen e konkurseve, do të shkaktojnë vonesa edhe në fillimin e vitit të ri akademik.

 Radio Kosova