27 policë të arrestuar gjatë këtij viti

Për gjashtë muaj në Kosovë janë arrestuar 27 policë, ndërsa janë suspenduar 65 punonjës të tjerë. Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i autorizimeve zyrtare, janë dy veprat më të shpeshta për të cilat po hetohen pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe është rritur edhe numri i ankesave të qytetarëve, ku në Inspektoratin e Policor, janë pranuar 923 ankesa.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj deklaron se janë 358 raste penale duke u trajtuar nga departamenti i hetimeve. Ai për KosovaPress pohon se ka rritje të ankesave të qytetarëve, por edhe të arrestimeve dhe suspendimeve të policëve.

“Ka një rritje të ankesave të qytetarëve të Kosovës ndaj punës së policisë. Nga janari deri në fund të qershorit, kemi pranuar 923 ankesa të qytetarëve ndaj punonjësve të policisë për shkelje të ndryshme. Të cilat ankesa janë trajtuar në Inspektorat Policor, 358 prej tyre janë vlerësuar që kanë elemente të veprave penale dhe janë dërguar në Departament të Hetimeve për tu trajtuar konform procedurave të Kodit të Procedurës Penale. Ndërkaq, gjithashtu ka një rritje edhe të numrit të veprimeve hetimore dhe suspendimeve që kemi ndërmarrë këtë vit, si Inspektorat i Policisë. Janë suspenduar 65 punonjës të policisë për këto raste që janë trajtuar. Si dhe janë arrestuar 27 zyrtarë të policor për vepra të ndryshme penale sipas autorizimeve të prokurorëve përkatës”, deklaron Hodaj.

Hodaj thotë se krahasuar me vitin paraprak, janë rreth 200 ankesa më shumë, derisa tregon se për çfarë veprash penale janë arrestuar dhe suspenduar zyrtarët policor.

“Prej zyrtarëve të arrestuar dhe të suspenduar janë për vepra të ndryshme penale. Por, kryesisht janë për veprën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe për keqpërdorim i autorizimeve zyrtare apo pozitës zyrtare. Këto janë dy veprat që janë më të shpeshta. Ndërkaq, ka edhe vepra për shkaktim të lëndimeve trupore, dhunë në familje dhe vepra të ndryshme penale”, shton ai.

Të premten gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistët e kësaj partie. Megjithatë të njëjtit janë ankuar për përdorim të dhunës. Qeveria e Kosovës ka njoftuar se përgjegjësi për operacionin e policisë është suspenduar, ndërsa Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin.

“Ne e kemi pranuar një ankesë prej njërit prej zyrtarëve që ka qenë pjesëmarrës në atë protestë. Kanë dalur inspektorët tanë për të analizuar dhe verifikuar pretendimet e tyre. Do të vlerësojmë dhe analizojmë se a ka pasur keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo ka pasur tejkalim të përdorimit të forcave, kjo do të vlerësohet nga hetuesit tanë në bashkëpunim edhe me punëtorët përkatës, nëse vlerësohet që ka elemente sigurisht që do të trajtohet. Nëse vlerësohet që ka vetëm tejkalim që janë në domenin e procedurave administrative atëherë do të trajtohet nga Policia e Kosovës”, njofton Hodaj.

Gjatë vitit 2020, janë arrestuar 32 punonjës policorë të dyshuar për vepra penale, ndërkaq janë suspenduar 83 të tjerë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close