Një libër dokumentar për veprimtarinë e gjerë të Entit Regjional Arsimor-Pedagogjik të Gjilanit…

Ditë më parë, dy autorë të anës së Gjilanit: Azem Azemi, tash i ndjerë dhe Ilmi Rexhepi, pensionist, botuan monografinë me titull “Enti Regjional Arsimor-Pedagogjik i Gjilanit – (1965-1995), e cila vepër dokumentare flet për ballina  e libritveprimtarinë e gjerë të punëtorëve të Entit të Komunës së Gjilanit. Kur themi se kjo monografi është e rëndësishme, e arsyetojmë faktin se, njerëzit që kanë vizione të qarta e janë larpamës, edhe pas karierës së tyre të punës, mendojnë të lënë pas ndonjë shënim dokumentar për kohën ku kanë punuar e vepruar. Kjo ide është me vend dhe ia vlen të punohet në këtë drejtim, sepse, çdo gjë e mbetur si shkruar në letër, është e përjetësuar.
Thuhet se, i mençuri shkruan, e budallai mban mend! Pra, shkrimi mbetet i përjetshëm dhe e ka vlerën e madhe. Në të kundërtën, çdo gjë që nuk shënohet, s’e ka vlerën e duhur të dokumentit. Andaj, dy autorët e veprës në fjalë, duke punuar në një kohë të kaluar jo aq të largët në Entin Regjional Pedagogjik në Komunën e Gjilanit, u shkoi mendja se, pas krejt asaj “gjendje” që u kalua, t’i tubojnë disa shënime për të lënë gjurmë në kohë e të mos harrohet puna dhe veprimtaria e Entit në fjalë.
Andaj, në parathënien e këtij dokumentari, pos tjerash, thuhet se, “deri më tani nuk kemi ndonjë punim të veçantë për punën e Entit Regjional Arsimor-Pedagogjik, ku qëllimi i këtij punimi është ndriçimi i punës tridhjetë vjeçare të Entit në fjalë, si me organizimin, përmbajtjen dhe format e punës, kuadrin që ka punuar në këtë institucion si dhe aktivitetet tjera të zhvilluara”(f.7). Me një fjalë, ky libër dokumentar, që është një lloj monografie, i kushtohet të gjithë punëtorëve të Entit, ku “rrëfehen” rrethanat dhe koha e veprimtarisë së Entit në fjalë. Ky Ent ishte një institucion tejet i rëndësishëm për zhvillimin dhe avansimin e veprimtarisë pedagogjiko-arsimor me vlera të shumta dhe të padiskutueshme. Ky libër dokumentar është mbështetur në të dhënat që i disponon Arkivi Nërkomunal i Gjilanit për krejt veprimtarinë e Entit në fjalë, nga themelimi i vitit 1965 e deri më 1995 në kohën e shuarjes së tij.
Sipas autorëve, këto shënime, të cilat i kanë përmbledhur në një dokumentar (libër), thonë se të gjitha dokumentet kanë qenë mjaft të sakta, por e thonë edhe anë tjetër te medaljes se, disa raporte të punës të këtij Enti… nuk janë gjetur në “rregull”, sepse, sipas një dyshimi, ato janë asgjësuar gjatë kohës së dëbimit nga puna të punëtorëve shqiptarë në vitet ’90-ta, nga okupimi klasik serb, nga se, punëtorët e Entit në fjalë nuk kanë pranuar të punojnë me plan-programe të Serbisë. Thënë qartë, libri dokumentar anë fjalë përfshin në mënyrë të shkurtër veprimtarinë e Sektorit të Arsimit-Inspektoriatit Arsimor etj. Gjithashtu, në këtë monografi është përfshirë edhe gjendja e krijuar pas vitit 1999, me rastin e themelimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan me rrethinë.
Po ashtu, monografia “Enti Regjional Arsimor-Pedagogjik i Gjilanit…” përshkruan “gjendjen” me shumë të dhëna rreth hapjes së shkollave të para shqipe në Rajonin e Anamoravës nga viti 1941-1946. Kjo është kaptinë në vete. Në këtë vazhdimësi thuhet se, Anamorava ka një traditë të hershme në fushën e arsimit dhe janë të njohura shkollat e para të kësaj ane, si në Stubëll të Epërme, Pozharan e vendbanime të tjera të kësaj ane.
Siç dihet, Shkolla e parë fillore në gjuhën shqipe, në Gjilan, ishte ajo “Bogdani”, e cila është hapur më 8 .XII. 1941. Më vonë, në këtë objekt shkollor ka punuar Gjimnazi i Gjilanit, i cili objekt ëshë djegur në vitin 1976. Andaj, kjo datë e shkollës së parë shqipe merret si dita e parë e fillimit të mësimit në gjuhën shqipe në Gjilan me rrethinë, ku këtë të dhënë e pati shtuar Abdylaziz Veseli, prof. i ndjerë. Po ashtu, shkollat fillore të rrethinës së Gjilanit janë nga viti shkollor 1941-42, ku thuhet se janë hapur për herë të parë shkolla me mësim në gjuhën shqipe në këto mese tona, si: Bresalc, Cërnicë, Hogosht, Strezovc etj.
Mendej, nga viti 1942-43 dhe 43-44, sipas këtij dokumentari në fjalë, shkolla fillore janë hapur në Livoç, Kmetoc, Pozharan, Sllatinë e Epërme, Vërban dhe Koretin. Pas vitit 1950, shkolla fillore kemi në Përlepnicë, Pogragjë, Dobërçan, Bresalc, Cërnicë, Pasjan, Partesh, Bilinicë, Llashticë etj. Sipas këtij dokumentari të këtyre dy autorëve, inspektorë të arsimit të kësaj periudhe kanë qenë: Adem Meshina, Asllan Zuzaku, Shefqet Sherifi, Hasan Alidemaj, Hasan Dylxheri, Kadri Blloshnji (këta të dy të fundit) të ardhur nga Shqipëria, Sylejman Osmani, Fetar Rexha, Skender Gashi, Sejdi Hoxha, Mustafë Hajrizi, Hamdi Ajeti, Tefik Jakupi, Aleksandër Periq, Tefik Geci etj.
Siç dihet, Gjilani ishte, por është edhe sot, njëra nga qendrat rajonale-adrministrative, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Anamoravës. Gjilani, pos shkollave fillore dhe të mesme, para disa vjetësh ka hapur Shkollën e Lartë Pedagogjike, mandej ka Fakultetin e Edukimit dhe së fundi ka Univerzitetin.
Prandaj, themelimi i Entit Regjional Arsimor-Pedagogjik në Gjilan, ishte shkas i rritjes së një numri të shkollarëve dhe të mësimdhënësve. Kjo rritje bëri të mundur të paraqitet si nevojë e domosdoshme për themelimin e një institucioni për të krijuar kushte e për të ndihmuar këto institucione që kryejnë punë në mënyrë profesionale në organizimin e procesit edukativo-arsimor në shkollat fillore të Anamoravës (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Novobërdë). Andaj, veprimtaria e këtij Enti … ishte që procesi mësimor nëpër shkolla të zhvillohet në mënyrë profesionale. Në kuadrin e Entit, ishte themeluar biblioteka, finacimi, llojet e vizitave të Entit në shkolla, vizita të përgjithshme, të ngushta profesionale, informative, speciale etj.
Mandej, në monografi e autorëve në fjalë shtohet se, në këtë veprimtari hynin programet, planet, raportet, informatat, analizat, tekstet dhe pyetësorët. Ky Ent ka pasur drejtorinë, punëtorët administrativë – teknikë, bashkëpunëtorët e jashtëm të Entit, zyrën për zhvillim të Arsimit etj. Mandej, sipas kësaj vepre dokumentare thuhet se, është shënuar gjendja numerike e nxënësve të shkollave fillore për disa vite shkollore sipas strukturës nacionale në komunat: Gjilan, Kamenicë dhe Viti. Këtu janë shënuar biografitë e punëtorëve të Entit sipas fillimit të punës, mandej biografitë e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Këto biografi janë dhënë shkurt dhe mjaft mirë, duke dhënë nga pak shënime për secilin kandidatë të punëtorëve të punësuar të këtij Enti.
Vepra dokumentare është një prurje e kënaqshme, për të mos thënë një dokument mjaft i nevojshëm për historianët tanë, të cilët, shënimet e tilla të këtij Enti në fjalë mund t’i gjejnë të përmbledhura dhe të grumbulluara në një tekst që ia vlen jo vetëm të lexohen dhe të ruhet si dokument, por edhe të mbetet një dokumentar i një kohe të punës së Entit Regjonal Arsimor-Pedagogjik të Komunës së Gjilanit. Të shtojmë edhe këtë në fund se, ky dokumentar është i shoqëruar me disa fotografi, grafikone dhe dokumente të tjera të hershme që e ilustrojnë gjendjen e kësaj kohe në Entin Regjional Arsimor-Pedagogjik gjatë kohës (1965-1995).

Tefik Selimi    Gjilan, 19 qershor

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close