POZITA E SHQIPTARËVE ORTODOKS NË MAQEDONI

Autor: Dr. Veli Veliu


Kumtesë e publikuar në” Shqiptarët e Maqedonisë”,Shkup 1994 fq.(315-321)



    Në shekullin XIX dhe në fillim  të shekullit tonë shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm, në krahasim me shqiptarët e besimeve të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme. Sa ishin  të pranishëm në Durrës, Tiranë,Elbasan,Librazhd,Pogradec, aq ishin edhe në Strugë,Prespë, Dibër,Gostivar,Krushevë,Manastir e tjerë. Por, pas luftërave ballkanike edhe krijimit të shtetit  shqiptar, në Maqedoninë e sotme, situata ndryshoi shumë. Kështu, ndërsa brenda shtetit shqiptar struktura fetare nuk pësoi ndryshime, në Jugosllavi pas Luftës së Parë Botërore dhe në Maqedoninë e sotme numri i shqiptarëve  ortodoksë u zvogëlua në mënyrë të skajshme. Meqë i takonin fesë serbo-maqedonase, ndaj tyre, si edhe ndaj shqiptarëve ortodoksë në Greqi, filloi  asimilimi në forma të ndryshme: pjesa më e madhe u asimilua në tërësi  në maqedonas.

Ngelën të paprekur, në këtë pikëpamje, vetëm ortodoksët e  fshatrave malore e që   ndodheshin larg komunikacionit, si ata të krahinës së Rekës së Epërme të Dibrës,  të fshatrave Duf dhe Jollovicë të Gostivarit, të  fshatit Labanisht afër Shën  Naumit në Ohër, e ndonjë tjetër si edhe një pjesë e vogël  e ortodoksëve shqiptarë në qytete. Këta, si edhe vëllezërit e tyre myslimanë e katolikë, ruajtën gjuhën shqipe, traditat, doket e zakonet, veshjet, këngët e tjerë, duke pasur edhe më tutje të përbashkët me maqedonasit vetëm fenë ortodokse. Por, megjithatë, edhe këta, edhe pse ndjehen a e dinë veten që janë shqiptarë, për arsye të ndryshme, pranojnë para pushtetit se janë maqedonas. Cilat janë aryset? Cilat janë më konkretisht rrethanat, shkaqet,  dhe format e shtypjes për një asimilim të thellë të kësaj popullsie shqiptare në Maqedoni?

Siç dimë, shqiptarët në përgjithësi e sidomos ata të malësive, gjithmonë kanë qenë mjaft tolerantë në pikëpamje fetare. Edhe pse u  takonin   tri besimeve, jetonin   në harmoni. Ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, theksonte Pashko Vasa, “Nuk  ka pasur kurrë urrejtje  të rrënjosura, as armiqësi shekullore. Ndryshimi në fe nuk ka qenë kurrë arsye që t’i  shtynte në ndarje: myslimanët e të krishterët kanë jetuar gjithnjë, me ca pak përjashtime, në një rrafsh barazie, duke gëzuar të njëtat të drejta dhe duke përmbushur të njëtat, detyra”[1]Kjo   dukuri ka ndodhur ngaqë “shqiptarët në përgjithësi nuk kanë qenë fanatikë në besimet fetare. Ndjenjat fetare e sidomos të malësorëve kurrë nuk kanë  hedhur rrënjë të thella. Për një kohë të gjatë, pas kalimit në myslimanizëm, malësorët   shqiptarë, fshehurazi kryenin ritet fetare të krishtere. Kështu, bashkëjetesa edhe më tutje ngeli e   paprekur. Diplomati frëng i shekullit XIX, koloneli  Beker, shkruan se duke kaluar në myslimanizëm, vetëm për të shpëtuar nga presionet e ndyshme  të autoriteteve osmane “fshtarari ka ruajtur një bërthamë   nëse jo të krishterë, së paku të besimit kosmopolit, e cila i prin drejt tolerancës. Kështu shohim se shumë fise, pjesërisht myslimane e pjesërisht të krishtere jetojnë në harmoni më  të madhe”[2].

Për  një përçarje  të  tillë ndikuan mjaft edhe propagandat e huaja. Kjo u duk më qartë sidomos pas çlirimit të disa popujve të Ballkanit e sidomos  të sërbëve, grekëve dhe bullgarëve, të cilët, për qëllime pushtimi , filluan propagandën për t’i përçarë   shqiptarët, duke shfrytëzuar shumë herë me  sukses, ndarjen në besime të ndryshme fetare. Për prapambetjen e përgjithshme   e analfabetizmin e disa shiqptarëve, Josif Bageri shkruna:
Nji pal thon:”jemi  taljan”!
Disa:”turq.grek e sllavkjan”!
Tjerët mbahen shumë të mençëm,
Si  doj fmi e përkëdhelçëm.

Kto   e  bojn për fe   e  din,
Të zmetitun prej do  exhin;
O,exhin u vraft rrëfea!…
Dinie, që s’na   bon   gja fea.[3]

Propaganda  bullgare  e serbe, ku u përfshinë edhe shkencëtarë pa fije  etike shkencore e njerëzore, filloi përpjekjet për të bindur botën se kjo popullsi është serbe a bullgare, duke e predikuar si  mjet kryesor kishën e fenë e përbashkët ortodokse.
Në dobi të një  propagande të tillë  rol të madh ka luajtur edhe zhvillimi i mësimit në gjuhë të huaja. Siç dimë, si pasojë e përzierjes së kombit me fenë, për një kohë të gjatë shqiptarët nuk kishin të drejtë për shkolla në gjuhën shqipe. Por  ishin të detyruar t’i   vijonin  ato në gjuhë të huaja. Ata të fesë myslimane vijonin shkollat turke, të fesë ortodokse shkollat greke e pjesërisht  ato në gjuhën serbe a bullgare, kurse të fesë katolike shkollat në gjuhën italiane. Në Turqinë e shekullit XIX, sigurisht në saj të kujdesit të Rusisë,   serbëve dhe bullgarëve iu lejua të  kishin shkollat e tyre. Këtë e shfrytëzuan me të madhe qarqet reaksionare serbe e bullgare, si mjet shumë të rëndësishëm në propagandën e tyre për t’i  bindur shqiptërat  ortodoksë në Maqedoninë e sotme se janë gjoja serbë a bullgarë.
Duke  dashur ta demanskonte   një propagandë të tillë dhe të tërhiqte  nga rruga e gabuar ata bashkatdhetarë, shqiptarët ortodoksë të kësaj ane, të cilët  i kishin kuptuar shkollat e tilla si të vërteta dhe e kishin mohuar në shumë raste edhe kombin, poeti i Rekës së Epërme,ndër të tjerat, thotë:
Gjith sa jemi shqypëtar:
Kemi një gjak dhe një far…
Nona që na rriti n’gji,
Të gjithë ne na ka fëmi.

Kur asht kështu,pse mohoni:
Non e gjuh dhe ju shkoni?
Nëpër të t’huejat mësimore,
Në ato t’shkreta helmore?
…………………

O,sa  keq tash na turpnuet,
se gjuhën e vet mohuet”!
Dhe serbishten zut të msoni:
”Vake take” të na thoni”[4]
Sipas  asaj që thotë J.Bagëri, duket se shqiptarëtë ortodoksë të Rekës së Epërme dalloheshin më së shumti në këtë pikëpamje. Prandaj ai me keqardhje të madhe i drejtohej Shqiprisë me këto fjalë:
O, amë, Rekas, bijt e tu,
Ma shum se t’gjith jon hutu!
Dërgojn  para n’patrikhon,
Thon se sllaf na kemi kjon!

Mjera ti moj Shqypni!
Ke të drejt që po mba mni,
Se bijt e tu s’kan mëshir
Ah, kta ty me t’bo doj t’mir.

Kështu Rekasit mendojn,
Po sërbishten këta msojn!
Me nxitim e me shie..
Sikur s’jon fmi Shqypnie![5]
Këto  ndarje e përçarje, me formimin e shtetit të sotëm shqitpar, u zbutën për t’u  zhdukur plotësisht më vonë, por për shqiptartë që ngelën jashtë kufijve të këtij shteti ato patën pasoja shumë të mëdha. Në pikëpamje të asimilimit, për shkak të besimit të njëjtë me pushtuesin serb më shumë e pësuan shqiptarët ortodoksë në Maqedoninë e sotme, si edhe ata në Greqi. Ndaj tyre filloi një politikë e re, politika e frikës, në një anë dhe e përkrahjes, në anën tjetër.
Kështu,kur pas luftërave ballkanike Serbia bëri terror dhe gjenocid të paparë ndaj shqiptarëve myslimanë në Maqedoni, si edhe në Kosovë, kur u orvat me egërsinë më të madhe t’i kthente ata në të krishterë, duke shpallur   fshatra të tëra ortodokse dhe duke vënë kryqe në hyjre të tyre, siç  ishte rasti i Ravenit(Gostivar) kur digjte fshatra të tëra, siç ishte  rasti i Qafës (Gostivar) kur vriste dhe digjte të gjallë dhjetëra dhe qindra shqiptarët myslimanë, siç   ishte rasti i Simnicës dhe i Gjenovicës (Gostivar),shqiptartë ortodoksë falëdneronin zotin që kishin  ngelur të krishterë, sepse do të pësonin të njëjtin fat, si edhe bashkëkombasit e tyre myslimanë. Në kushte të tilla, para një  fuqie të tërbuar, siç ishte Serbia,edhe ata  më të zjarrtit nuk guxonin as të  përmendinin përkatësinë kombëtare.

Prandaj,  me sa di unë,  nuk   pata ndonjë qëndresë  a ndonjë shprehje zemërimi të hapur. Por  reagime e revolta pati nga ata që jetonin në kolonitë shqiptare  jashtë vendit. Kështu, p.sh. në ½   janar 1913, përfaqësuesit  e 25 fshatrave   ortodokse të Rekës së Epërem, që  jetonin në mërgim në Rumani, iu drejtuan ministrit britanik, E.Grejit, me një protestë,ku thuhej:”Ne protestojmë energjikisht kundër shtypje  që   ushtrohet mbi bashkatdhetarët tanë, të cilët telegrafisht shprehën pakënaqësi për administratën serbe…  Njohja e gjuhës serbe  në ato lokalitete,  përgjithësisht të njohura si shiqptare, nuk provon aspak origjinën serbe… Ajo është e nënshkruar  nga Neofil Simeon, Manoli Georgi,Manoli Boshko, Nicefor Pandeliu,Gregor Petre, Vasil Konstantini,Hamdi bej  Dibra,Feizi Aliu  dhe Ismail Fetahu[6].

Serbija jo vetëm që nuk ushtroi ndonjë trysni të veçantë ndaj ortodoksëve, por,   duke i quajtur serbë, për shkak të fesë së njëtë, i përkrahu me forma të ndryshme. Këtë qëndrim a politikë ajo e  vijoi edhe gjatë gjithë kohës së Jugosllavisë para Luftës së Dytë Botërore. Për gjuhën në   në shkolla, këtu ishin të barabartë me bashkëkombasit e tyre myslimanë, sepse, siç  e dimë,   të gjithë shqiptarët  atëherë mësonin në gjuhën serbe.

Për fat të keqë të njëtën politikë e ndoqi edhe pushteti i Maqedonisë së tashme. Kështu, gjendja e ortodoksëve shqiptarë që në fillim nuk ndryshoi aspak, përveçse në pushtetin e ri nga serbë u bënë maqedonas dhe në vend të serbishtes filluan të mësonin maqedonishten. Për pushtetin maqedonas kjo ishte çështje tabu, askush nuk guxonte të bënte fjalë, nqoftë edhe privatisht për këtë e aq më pak të kritikonte haptas. Këtë sidomos nuk guxonin ta bënin shqiptarët myslimanë, sepse  shpalleshin nacionistë, shqiptaromëdhenj  dhe keqtrajtoheshin,largoheshin nga puna e burgoseshin.
Është interesant  se i njëti pushtet, që nga vitet e gjashtëdhjeta,filloi me të madhe të zhvillonte  tezën  se torbeshët    janë  maqedonas duke u nisur nga i vetmi fakt se ata flitnin maqedonisht. Kështu vijon të veprojë edhe sot me shqiptarët ortodoksë   të këtij nënqielli, të cilët flasin jo vetëm të njëtën gjuhë, si edhe shqiptartë e  tjerë, por kanë edhe të njejtat doke,zakone,tradita,veshje, të njejtin folklor e tjerë.

Edhe  pse   fëmijët shqiptarë ortodoksë të fshatrave të Rekës, të Gostivarit     e të tjerë nuk e dinë maqedonishten, janë të detyruar të mësojnë në këtë gjuhë. Kështu,  p.sh. mësuesi i ri Ferit Bajrami i fshatit të Josif Bagerit, u ndoq dhe u  largua përgjithmonë nga puna në arsim. Një ditë, duke zhvilluar   mësim me  klasa të përziera   në shkollën e këtij fshati, shqip me nxënësit shqiptarë myslimanë e maqedonisht me ata ortodoksë, një nga këta të dytët e pyet:”Na , mësues, nuk dijmë maqedonisht, a mundesh edhe neve të na e japësh   mësimin shqip?”. Ai u përgjigj këtij nxënësi se mundej, por për këtë duheshin pyetur prindërit . Pasi këta të fundit dhanë pëlqimin,mësuesi filloi ta zhvilloje mësimin vetëm në gjuhën shqipe. Por këtë e mësoi pushteti maqedonas,mësuesi u dëbua nga vendilja.

Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni arritën të ngriheshin në një nivel të lartë të emancipimit dhe të përparimit. Nga gjiri i kësaj popullsie dolën shumë  intelektualë të shquar si shkencëtarë,shkrimtarë, diplomatë e tjerë. Por   është për t’u   vënë në dukje se edhe ata quhen zyrtarisht maqedonë, edhe pse shumë prej tyre pranojnë se janë shqiptarë.

Një   sjellje a politike   e tillë, e cila po zgjat afër 80 vjet me radhë, e ka bërë të vetën. Duke qenë dikur një popullsi në numër relativisht mjaft   e  madhe dhe e pranishme si në qytete, ashtu edhe në fshatra të Maqedonisë  Perëndimore, popullsia shqiptare ortodokse është ruajtur e paprekur në  aspektin kombëtar  (të gjuhës, të traditave, të dokeve e zakoneve, të veshjes e tjerë.)Vetëm në fshatra të Rekës së Epërme dhe në ndonjë fshat të rajoneve  të tjera  por shumë pak në qytete. Por , nëse kjo politikë vijon edhe më tutje,  edhe  pse shqiptarët janë në përgjithësi mjaft të qëndrueshëm kundrejt  asimilimit, numri i tyre do të pakësohet edhe më. Është detyrë kombëtare dhe historike, sidomos e intelegjencës shqiptare  (ortodokse) në Maqedoni të ngrejë zërin sa nuk është ende vonë dhe, pa u trembur për privilegjet e  pozitën ,  të pohojë  kombësinë e saj shqiptare. Ortodoksëve shqiptarë u duhet  thënë e vërteta, t’u  thuhet se deri tani kanë qenë të mashtruar,  sepse kombin e bëjnë gjaku i njëjtë, gjuha, traditat, doket, zakonet, foklori, e jo  besimi fetar. Të gjitha këto ata i kanë shqiptare. Shqiptarët qëmoti e kanë kuptuar  se feja e shqiptarit është shqiptaria, siç thotë Pashko Vasa. Prandaj, edhe  zënkat,ndarjet,   dhe urrejtjet për shkaqe fetare, tashmë gjithkund do t’i  takojnë së kaluarës. Kështu shpiptarët mysliman dhe katolikët në Maqedoni e gjetiu me kënaqësi do të pranonin një hap të tillë të bashkëkombasve të tyre ortodoksë.

Zgjodhi për  ribotim:Edibe Selimi- Osmani 28.06.2016 Tetov
Referencat
[1] Pashko Vasa,E vëreteta për shqipërinë dhe shqitparët, në :Pashko Vasa”.
[2]Vepra vëll.III,Prishtinë,1989,f.329-330
2.Le colonel Becker, L’Albanie  et  les Albanias,Paris,1880, f.37
[3] Josif  Bagëri,vep.e përm.f.62
[4] Po  aty.

[5] Po aty.
[6] Cituar sipas Xhafer Shatrit, Dëshmi mbi tragjedinë shqiptare, në Bujku,3 dhe 5 dhjetor 1991,f.13.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close