Nisë seminari XXXV ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare

PRISHTINË, 15 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Në kryeqytetin e Kosovës, sot në mesditë, u hap seminari XXXV ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën Shqiptare, në Universitetin e Prishtinës-Fakultetin e Filologjisë.

Në ceremoninë ku po marrin pjesë edhe krerë të institucioneve të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa e kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, me një fjalë rasti hapjen e bëri dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova, e cila përkujtoi historikun e seminarit dhe paralajmëroi axhendën e këtij viti.

seminari ndrkombtar

Kryeministri Mustafa tha se “ky seminar përgjatë shumë viteve ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqipe, por po ashtu edhe për njohjen e Kosovës nëpërmjet këtyre vlerave themelore me të cilat përfaqësohet identiteti ynë kulturor dhe kombëtar. Prandaj falënderoj të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë seminar që nga themelimi e deri më sot, ndaj atyre që e themeluan dhe e mbajtën gjallë dhe po vazhdojnë me këtë traditë shumë domethënëse për Kosovën dhe për kulturën tonë kombëtare”.

“Seminari pa asnjë dyshim tani më është një prej ngjarjeve me të rëndësishme të kulturës shqipe ku bashkohen njerëz të gjuhës shqipe të letërsisë dhe kulturës dhe për disa ditë ata këmbejnë kulturën e tyre, dhe mësojnë gjithnjë duke avancuar edhe më tutje dijet albanologjike”, deklaroi Mustafa.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli , në fjalën e tij u shpreh se “dëshiroj në mënyrë të veçantë të falënderoj ata të cilët e kanë filluar këtë iniciativë 42 vite më parë që nga akademiku shumë i nderuar Idriz Ajeti, si dhe profesorët e universitetit të Prishtinës, të cilët po bëjnë punë të jashtëzakonshme në mënyrë që sa më shumë të vijnë studiues. Ky është një shembull i mirë për institucionet e Kosovës”.

Deri në 26 gusht, kur përmbyllet, tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore do jenë: Gjuhësi -Varietetet e shqipes; Letërsi – Koncepti i tjetit në letërsinë shqipe; Kulturologji – Media dhe kultura në epokën e internetit.
Programi bazë i Seminarit XXXV është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta.

Mes pjesëmarrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëvetë Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione derit tash dhe i sivjemi është jubilar – i tridhjetë e pesti. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close