PARANOJA E NJË KOMANDANTI

Sermet Sulejmani



Mezi po u besonte syve e veshëve kur erdhi nga Prizreni. Ajo skenë e pabesueshme në të cilin ai qe dëshmitar, aty nga mesi luftës, e shtynë disa herë që t’i merrte valixhet e emigrantit e të kthehej nga kishte ardhur. Dikush e shtërngoi fort dhe Shabani më në fund mori guximin të ngjitej majave të malit Sharr, në Shipkovicë. Një natë iu ringjall në mendje lemerria dhe frika me ato pamje të tmerrshme të luftës. Po ecte me çapa të imët si lepur rrugicave të ngushta me gurë, e tundte kokën sa nga e djathta në të majtën. Sakaq, me të hyrë në një shtëpi prej guri dhe druri, e pa veten para një pasqyreje të thyer, të varur në murin e dhomës plot me lagështi. Dalë-ngadalë i ngriti supet para saj dhe shumë shpejt iu duk vetja si hero, njësoj si xhaxhi Enver, si dikur. Pikërisht atëherë, atë çast kur mbeti vetëm në atë dhomë të mbushur përplot me uniforma e grada ushtarake, dora padashje iu ngrit te gishtat e pëllëmbës dhe u mblodhën në formë grushti, në gjendje gatishmërie për betejat e tij e radhës, njësoj si në filmat me partizanë. Epo, në aq filma dhe libra që e kishte parë xhaxhin Enver, vdiste nga meraku që t’i ngjante sadopak. Një mëngjes u zgjua si i marrë dhe befas filloi t’i qëllonte faqet e tija me shuplakë sa as vetë s’e kuptoi arsyen pse! ”Përse vallë u solla kaq dhunshëm me mollëzat e mia kështu?” – thoshte me vete i harlisur njeriu që kishte ardhur t’i merrte në duar fatet e atdheut të robëruar. Më vonë kur i doli kllapia, iu kujtua se lufta kishte dhjetë vjet që ishte sosur, dhe iu kujtua arsyeja e kësaj paranoje: – “Hëëë, medoemos do të shkoj në atë Kumanovën e mallkuar, pa çka se ma bëjnë shpinën petull’’! Kur u kthjell mirë e mirë, atëherë kur i filluan dhimbjet e zakonshme të kokës që i kërciste si një shalqi vjeshte, me zë neveritës, tha: – ”Ptuuf, dreqi e marrtë, ç’m’u desht edhe mua të merresha me këtë politikë të mallkuar, aq më tepër t’u premtoja këtyre të pabindurve se vendin do t’ua bëja Shipni’! S’e llogarita se shumë shpejt do vinte dita kur do duhej të jepja llogari! E si të shkoj tani në atë vend të mallkuar ku i thonë “Kala e Rrezistencës”! Po s’vejta atje, ç’e vlen t’i vjedh votat e Kërçovës.

Këta kokëtrashë s’duan të dinë për sakrificat e mia për lirinë që ua solla e s’rreshtin akoma për luftë për ta bërë vendin Shipni?! Epo, kam faj… edhe atë… shumë… Hëm… ashtu u kisha dërdëllitur dikur nga Lucerni!… Pale, pastaj, shokët më thonin të kërkoja të pushtoja tokat nga Çamërija deri te Serbija!… Pu, pu, pu, ka dy vite që s’shkeli me këmbë atje… Atje? Atje ka shumë njerëz me armë që s’e heqin qafën si mizë vjeshte… Bo-bo-bo, sa shumë armë që ka… Po djersitem… S’di pse, po djersitem sa herë që më kujtohen vrasja e Harunit dhe Shqiponjës… Hëëë… Ata akoma s’dinë çfarë mund t’u bëj… Akoma s’e kanë parë damarin tim të vërtetë. Mbase një ditë do ta kuptojnë se kush dhe ç’jam në gjendje t’u shkaktoj… O-o-oh… më plas koka… më plaaasii!!! Pse sa herë më bie në mend Kumanova, kam shumë dhembje koke. Oooo, ze-ze-m-ra, – iu përplas koka mbi tavolinën e punës ‘’shklluq’’ dhe thirri ndihmë: – Ndihmë!… A ka njeri të më ndihmojë!… Po më plas krahërori”! Pas kësaj u hap dera dhe hyri me rrëmbim bodigardi tij, Mahbiu. Kur e pa se si ishte palosur komandanti i tij nxorri nga brezi një revole dhe ia dha drejt dritares dy-tri të shkrepura ‘’bam-bam-bam’’ në shenjë alarmi e shpejt e shpejt ia lagu buzët me ilaçin e tij të preferuar, uiskin skocez, dhe filloi t’ia fërkojë ballin dhe gjoksin.

Shabanit ngadalë po i vinte çeherja dhe filloji ta drejtonte trupin në kolltukun e punës ku nga goja i doli një psherrëtimë melankolike: – ”Ashtu Gojëmjaltë… Të lu-lumshin duart… Ooo, ooo më kënaqe’’! – S’jam… nuk jam Gojëmjalta po Gojëmjalti… – ‘’Aaa? Po ç’kërkon ti mor gomar në vendin e saj?… Ik-ik, shpooorru hajvan! Jo. Rri këtu, se më duhesh sa, të vete… të vete në atë vend, e pastaj – le të vdes!” – “Po pse të vdesësh, kryetar, kur ti mund të vrasësh akoma të tjerë… sa të duash… Të kam thënë një herë, vetëm hape gojën, kurse unë ”fërc-tërc”, ua këpus kokën, – ai e vari buzën te veshi dhe pastaj u drejtua dhe mori një qëndrim ushtari që priste vetëm urdhëra. – ”Hë, Mahbi, thua t’i vrasim të gjithë?’’ – Marr guximin t’ju pohoj me kënaqësinë dhe përultësinë më të madhe se për një ditë ua heq flamën të gjithë maskarenjve që ngrisin zërin kundër teje.

Një komandanti legjendar si Ju, që tek e fundit s’luftoi sup më sup me armikun, po ama ua solli lirinë dhe demokracinë këtyre bukëshkelësve. Të lutem, shef, të lutem më jep urdhër sa t’i shtypi si miza plehu… – ”Thua…t’i vrasim a… si… si Harunin e Shqiponjën’’? – Po, po… – ‘’Hëm… hëm… Ashtu them edhe unë… por… por t’i lëmë ca sa të cicërojnë? A? Se, helbete disa nga ata edhe na duhen për zgjedhje’’. – Jo shef, pa asnjë… t’i zhbëjmë nga faqa e… pa përjashtim! – ‘’Jo të gjithë, more kokëbanane, jo se pastaj s’ka kush na voton… Lëri këto lajthitje tuaja të marra e më thuaj, si i kemi punët me lakrat dhe marullat… a do ketë mjaftueshëm për ti fituar zgjedhjet e arrdhëshme se paratë na i mori Gruja?’’ – Për merak, shoku komandant, për merak po…po edhe ne ia nxorrëm ‘’bishtin’’, edhe disa nga ne brenda natës i mbushën malet me dele… – ‘’Çfar-çfar… don të thuash se edhe unë… Maskara i poshtër…’’ –Jo-po, deshta të them… sikurt të vazhdonte të binte edhe një shi siç ra në Hasanbeg, do bënte shumë punë…s’do mbetej asnjë kundërshtarë që ta ngris kokën as këtu në Kumanovë. Ky popull kështu e meriton. Sa më shumë të vuaj, aq më tepër të binden për të votuar. – ”Ashtuu?! Po, ç’pret atëherë, le të bjerë e le t’i vërshojë të gjithë ata që kanë ngritur kokë kundër nesh. Përdori orgjitë tuaja Mabi dhe m’a plotëso këtë dëshirë”! – Marr- marr- guximin t’ju them, zo-zo-ti, ko-ko-mandant se,…edhe mundem, në një kohë kur edhe… nuk, nuk – nuk mudem!… – ‘’E ç’është kjo ‘’edhe mundem’’ edhe ‘’s’mundem’’?! Mundesh apo s’mundesh’’?! – Ama… – ”S’ka këtu asnjë ”ama”, menjëherë të urrdhërosh të vërshojnë shirat, more vesht, ”mora” – thuaj!’’ – Si të urrdhëron… Do ta bëj rrafsh këtë vend… – ”Thua, mundesh, a? Hë, Mabi! Mundesh? Hë m’a thuaj, të lutem, të lutem bëje!?… Do ta bësh për mua e unë do të të shpërblej me një kope delesh që syri yt asnjëherë s’i ka parë. Do t’i jap të gjitha malet deri në Dibër, delet tona do kullosin të lira kokë më kokë…’’ – Si urrdhërron, ti e the unë e bëj, siç një dhe një që bëjnë dy!… –‘’ Huuu, sa i madh që je, do të marrin një mësim të mirë kur përnjëherë do plasë ‘’buuum’’! Shiko me kujdes që vërshimi le ti kapë vetëm të ”thatët” dhe ‘’të pabindurit’’, more vesh! Pastaj, le të më kërrcënojnë e të provojnë të marrin guximin të më shajnë se se si qenkam ”i sëmurë zvicrre”!… Edhe, kush po e thotë, se?’’ – Unë jo, shef! Për atë kokë tënden-unë jo… Marr, marr guximin t’ju them me përulësinë më të madhe, se unë kurrë s’e kam shqiptuar një llaf kaq të pështirë si kjo. Betohem se për herë të parë e kam dëgjuar nga njerëzit tanë të afërt në parti… –‘’Si-si? Kush i pari e pat thënë?’’ – Po, po, këtë llafe, ko-ko-komandant, ka shumë kohë që fliten nëpër zyre e … që atëherë kur u botua në atë gazetën e mallkuara zviceerrjane. I pari… i pari që e lexoi gazetën ishte Kancelari – Musa Kesexhija dhe Alltan Pupla… Po, me sa di, as ju s’i keni mohuar këto ‘deziformata’, a po jo? –‘’Unë? Unë qenkam idiot! Si kështu more, more, rrugaç! Po të jetë kështu, atëherë mijëra ”idiotë” si unë kanë dalur në pension me dokumenta të tilla, që sot i ke politikan në Kosovë dhe Mqedoni. Bile ata udhëheqin shtetin!… Pse unë vetëm po marrkam pension ‘’shizofrenije’’? Po të pyes edhe njëherë: e vërshon Kumanovën me ujë, apo jo?’’ – Aaa, jo komandant, këtë punë ka kohë që s’i bëjë dot më. Të them të vërtetën, këtë ‘nam’’ budallallëku m’a patën sajuar fshatarët e mij kur isha trembëdhjetë vjeç… Po patët durim e duhur e duhur, do t’jua rrëfej se ç’më patë bërë vaki… Epo meqë ke durimin e duhur… Dikur, shumë herët, në moshën time të r, fare të re, ama… Isha i ri dhe trazovaç, shquhesha për majmunllëqe por të tjerët e merrnin për orgji e fall të jashtëzakonshëm, saqë u bëra ‘’shpëtimtar’’ i halleve të banorëve të fshatit. S’e di as sot ‘’pse’’-në. Me të marrë vesh këtë ‘’aftësi’’ fallxhorja e fshatit, Xhevrija, më zuri e më zhdëpi mirë e mirë me një thupërr shelgjeje sa m’i plevosi të njomat vithe. Mbaj në mend, shoku komandant se rafsh shtatë ditë e gjashtë netë nuk arrita të zgjohesha nga shtrati.

Arsyeja kryesore për këtë ‘llap-llupje vithesh kishte qenë mbarsja e papritur e të gjitha buallicave të fshatit. – ”Dokrra, këto janë dokrra” – u përpoqa t’i bindja njerëzit se s’isha unë ai…por kot. Fjala kishte marrë dhenë. E si mundesha, shoku komandant, si fëmijë 12 vjeçar t’i bëjë me barë qindra kafshë kur akoma as dyshekun e fjetjes s’e kisha lagur me lëng puberteti, e lëre më të lija një kope të tërë me barë! Në mes të fshatit, tek xhamija u mblodhën burrat e fshatit e m’i puthnin duart dhe këmbët si të isha një jashtëtoksor. Më uronin e më bekonin për orgjitë e mija të ‘’jashtëzakonshme’’! Hec e mos besoje një gjë të tillë kur të bindin se je ti ai që shpëtove fshatin. Pak nga pak u mësova me këtë famë, dhe pas kësaj ngjarjeje, fallxhorja e fshatit iku dhe s’u kthye më kurrë. Por edhe unë, komandant, nga ajo kohë, mbaj mend vetëm një mrrekulli që bëra; parashikova thatësirën e vitit 84. Kob i madh. U tha gjithëçka. Edhe krojt dhe burimet e lumit u shterrën krejt. Me të kaluar thatësira e asaj vere, në vjeshtë, papritur dhe pakujtuar fshatarët më shpallën të marrë dhe të çmendur. Nga ajo kohë… – ‘’E di, e di, se je hajvan, bile i shkuari hajvanit! Po më thuaj, a mundesh, kështu si budalla i lindur që je, të më ndihmosh që t’i fitoj zgjedhjet? – A, jo! E din si është puna… në vitin e largët të 2004-ën, kur sapo pata marë vesh lajmin e keq për ju nga ajo gazeta e poshtër zvicerrjane se si…ju-ju-ju kishin shp-a-shpa-ll-ur… idi-idi-jooot… – ‘’Ooo, hiqmu bre syve se të vrava! Unë vërtet jam budalla me dokumente të Zvicrrës, po ti je hajvan pa to! Ik… Ik marrsh se të vrava!… Of, of… më plasi koka!… O ma thirrni Gojëmjaltën, se vetëm ajo m’i heq dhimjet? Ku-kuuu ç’më gjeti!… Ku, ku është ajo e bekuara…ku ma zhdukën dilinxhinjët e s’lanë femër pa ç’nderuarr? Më ka marë malli për atë zë të ëmbël… Duar të buta si pambuk që të rrëshqisnin mekshëm që nga balli e deri…’’ -Hë- hë, deri ku, deri ku?…Fol-fol? … – ‘’Po si ma përzuri ky Kesexhiu e m’i la budallenjët e Kasabasë të sorrollaten rreth meje. Of-of-of, ku-kuuu ç’më gjeti! Po a ka mbetur ndonjë sagllam që të llafosi tamam?’’ – Unë komandant. – ‘’Ti? Ti! Pu-pu-pu, do të djeg si sallam…’’ – Ta djegim njëherë Kumanovën, pastaj më digj edhe mua dhe gjithë kasabanë… edhe sikur të na shpallin pirroman si Neronin dikur!… Buuuum!… Vuuuum!…

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close