Prishtina dhe polemikat e orkestruara

 

prisht

Nga:Ylber Vokshi -Ylli  -Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)  04.01.2016  Prishtinë


 

Deklarata e fundvitit e Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti se “Qeveria po e bllokon kryeqytetin ” sa është befasuese po aq është dëshpëruese,për njerëzit e vullnetit të mirë që mendojnë pozitivisht. Se si funksionon kryeqyteti i Kosovës po e vërejmë të gjithë ne që jemi viktima e të gjitha këtyre tentim pengesave të krijuara. Janë dhe do të jenë qytetarët e kryeqytetit,të cilët po vërejnë dhe po e ndiejnë një ringjallje shpirtërore të shpresës,një frymë të re në kryeqytetin e tyre kohët e fundit.

Me indinjatë jam duke i përcjell se si në mënyrë të organizuar janë orkestruar kritikat, ekskluzivisht politike e aspak konstruktive, ndaj Kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës,lidhur me shfrytëzimin e buxhetit për vitin 2015. Në anën tjetër ai deklaron se “Komuna e Prishtinës e përmbyll një prej viteve më të suksesshme në realizimin e buxhetit”. Çdo banor i kryeqytetit është i befasuar me nivelin e ulët të kritikave, të cilat nuk qojnë në përmirësimi sado pak të jetës urbane në kryeqytet. Ato i krijoi mu kjo klasa politike që tani kritikon pa argumente të qëndrueshme, të cilat të gjithë ne që jemi të detyruar të jetojmë në këtë “xhungël betoni”, jemi duke i përjetuar në lëkurën tonë çdo ditë në vitet e pas luftës.

Shumë kujt i pengoi imazhi i ri i Kryetarit të kryeqytetit,pa roje përcjellëse (bodyguard-a),pa eskorta të automjeteve,me një qasje realiste ndaj problemeve të shumta,posaçërisht atyre urbane të trashëguara nga qeverisjet e kaluara. Prishtina është trajtuar si një vendburim i përfitimeve të mëdha materiale në fushën e ndërtimit. Aty kanë pjesëmarrje të gjitha partitë politike deri në ekstrem, që e degraduan me të madhe tërë hapësirën urbane të saj,duke mos qarë kokën për pasojat katastrofale në jetën normale urbane në një kryeqytet.

U ndërtua me leje e pa leje ndërtimi, duke mos përfillur as rregullat ma elementare të ndërtimit. U lejuan uzurpimet e hapësirave publike,u bënë keqpërdorime me pronën. Njeriu neutral i cili i sheh dhe i përjeton të gjitha ato procese që ndodhën në Prishtinë në vitet e pas luftës,e ka shumë vështirë të kapërdinë një deklaratë të një zyrtari partiak,kur në vazhdën e sulmeve të koordinuara deklaron ”Kryetari Prishtinës dhe ekipi tij – s’kanë e s’kishin asnjë vizion dhe koncept zhvillimor – as ide për nevojat e qytetit ”http://www.indeksonline.net/?FaqeID=7&LajmID=201905 ! Cili ishte ai VIZIONI dhe Koncepti zhvillimor që e kishin paraardhësit e tij,kur për 13 vite punuan pa Dokumente Hapësinore,që do të ishin bazë për zhvillimin e kryeqytetit. Imagjino një Kryeqytet Shteti që nuk ka ujë 24 orë së paku për higjienë,ku gati asgjë nuk ka funksionuar si duhet,e dikush ka kurrajo për të folur për Vizion dhe për një jetë normale urbane.

pristin

Qytetarëve të thjeshtë nuk iu interesojnë lojërat politike që po luhen që 17 vite për të qeverisur kryeqytetin. Atyre iu intereson të ketë rregull urban të përcjella me sigurimin e të gjitha infrastrukturave teknike dhe sociale. Kryeqyteti duhet së pari me pas rregull në shërbimet komunale,transport lokal të dinjitetshëm,pastërti të duhur,hapësira për parkimin e automjeteve,trotuare të kalueshme,rrugë dhe komunikacion normal,e jo ngecje të mëdha (tollovi) në trafik urban me të cilin qytetarët ballafaqohen që 17 vite. A ka menduar dikush ndonjë herë për trasat e largpërçuesve që kalojnë nëpër zona të banimit me rrezikshmëri të lartë, se si me i zgjidhur ato probleme së paku në Dokumentet Hapësinore. Siguria e ndërtimeve të shumta asnjëherë nuk është aktualizuar në këto vite pasi është ndërtuar pa mbikëqyrje shtetërore,ai është problemë i madh permanent që do ta përcjellë kryeqytetin tonë.

Brengosen për gropat nëpër rrugë, e kurrë nuk kanë parashtruar pyetje përse ato po ndodhin edhe se kishte vullnet dhe parat që ato të sanohen. Ironizohet se “rrugët janë bërë sallatë” se “megjithatë është rritur qarkullimi tek automekanikët”, pa treguar shkaktarët përse po krijohet një situatë e tillë. Përse zyrtarët komunal të prokurimit po detyrohen të përsërisin procedurat e prokurimit,për disa detale që fare nuk janë të rëndësishme. A thua kjo është e qëllimshme ashtu si deklaron drejtori aktual i infrastrukturës,vetëm për të degraduar udhëheqësin komunale,pa u brengosur për pasojat të cilat po i paguajnë qytetarët e mjerë të kryeqytetit.

Të pa pranueshme janë ndodhitë në Asamblenë Komunale në kohën e fundit, ku propozimet e Drejtorisë së Urbanizimit (Planet Rregulluese), të cilat kërkojnë diskutime,sugjerime,shqyrtime dhe së fundit aprovimet bllokohen. Arsyetimet aspak nuk kanë të bëjnë me rëndësinë që e kanë ato dokumente për funksionimin normal të zonave të caktuara të kryeqytetit. Nuk ka askush të drejtë juridike apo morale që të bllokon jetën urbane,e aq ma pak asamblistët komunal. Problemet politike le të zgjidhen me mekanizma tjerë ligjor e mos të veprohet kështu. Kjo tregon një të vërtetë të hidhët se ata fare nuk brengosen me vijueshmërinë e jetës në lagje të caktuara,por vetëm i mbrojnë interesat e tyre partiake.

Kam pasur kritika konstruktive në mënyrën e qasjes së problematikës së parkingjeve publike në kryeqytet. Të çudit indiferenca e Qeveris së Kosovës gjegjësisht MZhE (Ministria e Zhvillimit Ekonomik),e cila ka bllokuar konstituimin e ndërmarrjes “Parking Prishtina” me “arsyetim” se ende nuk është aprovuar ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për ndërmarrjet publike. Kryetarit Ahmeti thekson se i kanë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara,në favor të kujt shkon kjo çmenduri ? Qytetarët e Prishtinës janë ata që humbin ma së shumti.

Vetëm nëse analizohen veprimet e Ujësjellësit Regjional, me maltretimin e qytetarëve me muaj të tërë,për mos kthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme është skandaloze! Në botën e civilizuar shqyrtohen dhe mbyllen segmente të shkurta për të mos penguar lëvizshmërinë, edhe ashtu të kufizuara gjatë këtyre punimeve.

Harmonizimi i dokumenteve hapësinore me nivelin qendror është i domosdoshëm, për atë kërkohet edhe pëlqimi nga MMPH të cilat në të kaluarën nuk janë përfillur. Rasti i fundit me devijimin e trasës së autostradës Prishtinë – Hani i Elezit ma së miri e ilustron ketë. Veprimet e MI (Ministria e Infrastrukturës), i kanë shkaktuar shumë probleme Komunës së Prishtinës.

Garnitura udhëheqëse në Komunën e Prishtinës në rrugëtimin e tyre drejt një jete normale urbane në kryeqytet,për këtë periodë të shkurtë dy vjeçare ka arritur të vendos një kontroll korrekt në fushën e ndërtimeve. Ka çrrënjosë ndërtimet pa leje dhe ka filluar të vendos rregull urban,që ishin çështje të pa arritshme për të tjerët. Natyrisht në këtë rrugëtim janë bërë edhe gabime të cilat me vullnet të mirë dhe kritika konstruktive duhet përmirësuar. Për këtë duhet përkrahja e të gjithë neve që pretendojmë një kryeqytet i cili do të na siguron një jetë të dinjitetshme e cila po na mungon. Kjo kërkon kohë,punë profesionale,angazhim të madh për të korrigjuar gabimet e shumta që kanë ndodhur në Prishtinë në fushën e Ndërtimit,Urbanistikës dhe Planifikimit Hapësinor.
Apeloi te të gjithë vendimmarrësit Kosovar të përkrahin “Bërjen e kryeqytetit”,të mos i bllokojnë iniciativat konstruktive të zyrtarëve komunal në krye me kryetarin Shpend Ahmeti,për hir të mirëqenies se banorëve të tashëm dhe të ardhshëm të kryeqytetit.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close